Platformë bashkëpunimi Prishtinë - Tiranë

Marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që priten të nënshkruhen të shtunën ndërmjet dy kryeministrave të këtyre dy shteteve, nga analistë të çështjeve politike dhe ekspertë të ekonomisë konsiderohen hap i rëndësishëm.

Megjithatë, ata vlerësojnë se tri marrëveshjet e para mund të jenë të një rëndësie të veçantë vetëm nëse gjendet një platformë bashkëpunimi, e cila do të mund të anashkalonte vullnetin politik dhe bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri të jetë çështje e natyrshme.

Prishtina dhe Tirana do të nënshkruajnë zyrtarisht dokumentin për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Po ashtu dy qeveritë do të nënshkruajnë edhe marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë, pastaj një marrëveshje do të jetë për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës, dhe marrëveshje për thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian.

Krenar Gashi, njohës i zhvillimeve politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se për zbatimin e këtyre marrëveshjeve duhet të bëhet punë intensive e të dy qeverive për të pasur efekt pozitiv.

Sipas tij, nëse nuk do të arrihet të ketë bashkëpunim të mirëfilltë, atëherë vlera e këtyre marrëveshjeve do të mbetej vetëm simbolike.

“Do të ishte fatkeqësi e madhe për popullin shqiptar nëse bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve, pra Kosovës dhe Shqipërisë, mbetet në dorë të vullnetit politik të partive politike që janë në pushtet. Unë mendojë që më me rëndësi është të krijohet një platformë e cila platformë do të kishte me siguri qëndrueshmërinë e bashkëpunimit mes dy shteteve, në mënyrë që ky bashkëpunim mos të varet nga partitë politike në pushtet. Këtu është rreziku”, bën të ditur Gashi.

Marrëveshjen për thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian mes Kosovës dhe Shqipërisë, Gashi nuk e konsideron të një rëndësie jetike.

Kjo marrëveshje thekson ai mund të bëjë rrugën e Kosovës dhe të Shqipërisë pak më të lehtë, duke mësuar nga gabimet dhe përvojat e njëri tjetrit.

“Edhe Shqipëria edhe Kosova do të mund të përfitonin nga njëra tjetra, qoftë përmes këmbimit të përvojave gjatë procesit të integrimit, qoftë përmes rrugëve përmes së cilave është ndryshuar legjislacioni duke e bërë atë në harmoni me Bashkimin Evropian apo edhe gjërat praktike, siç është çështja e pranimit të kushtëzimeve të ndryshme të BE–së dhe mënyra e amortizimit të këtyre kushtëzimeve në politikën publike të shteteve”, thekson Gashi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e së premtes të Qeverisë së Kosovës e ka quajtur ngjarje historike nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Ai ka theksuar se takimi i së shtunës në qytetin e Prizrenit, do të shënojë fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizion euroatlantik.

Thaçi po ashtu ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë me takime të tilla me të gjitha vendet tjera të rajonit edhe gjatë vitit 2014.

Marrëveshjet të cilat priten të nënshkruhen mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë shihen si mënyrat më të mira për rimëkëmbje ekonomike të të dy vendeve, por gjithsesi se këto efekte pozitive do të arrihen nëse do të punohet në zbatimin e marrëveshjeve.

Profesori i ekonomisë Musa Limani tha për Radion Evropa e Lirë se përftimet ekonomike të të dy shteteve do të jenë të mëdha nga nënshkrimi i marrëveshjeve.

“Transaksionet ekonomike mes dy vendeve shqiptare, Kosovë – Shqipëri duhet të ngrihen në unionin ekonomik, në kuptim që qarkullimi i mallrave, kapitalit, i fuqisë punëtore dhe ideve të këmbehen mes trojeve tona etnike, pa asnjë barrierë administrative dhe të politikës fiskale. Pra duhet të veprojnë ashtu si treg unik evropian, pra ne duhet ta bëjmë një treg unik shqiptaro–shqiptar”, vlerëson profesor Limani.

Ndryshe, Kosova dhe Shqipëria deri më tani kanë të nënshkruara në forma të ndryshme marrëveshjeje bashkëpunimi që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, arsimit dhe shëndetësisë.