Ndërlidhjet

Prizreni pret Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës


Lidhja e Prizrenit
Lidhja e Prizrenit
Pas 135 vitesh, qyteti që iu dha mbarë shqiptarëve Lidhjen e Prizrenit, do të presë dy qeveri shqiptare të ulura rreth së njëjtës tryezë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Republikës së Kosovës do të zhvillojnë në Prizren më 11 janar mbledhjen e tyre të parë të përbashkët.

Ministrja për Inovacionin e Administratën Publike në qeverinë shqiptare, Milena Harito në një deklaratë për shtyp dha detaje lidhur me takimin e dy kryeministrave ditën e shtunë në Prizren, ku bëri me dije se do të nënshkruhen disa marrëveshje nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

“Do nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi dhe partneriteti mes dy qeverive. Do të nënshkruhet dokumenti për partneritet strategjik. Do të nënshkruhen marrëveshje në fushat e transportit dhe infrastrukturës, si dhe thellim të bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian".

"Kemi dy projekte për Preshevën. Një për bashkëfinancim për pajisjet mjekësore në maternitetin e Preshevës si dhe të një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës. Do bëhet nënshkrimi formal i këtyre marrëveshjeve dhe dy kryeministrat do iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve”, deklaroi zonja Harito.

Ndërkaq analistë e gazetarë e shohin në këndvështrime të ndryshme këtë mbledhje.

Gazetarja Mimoza Koçiu thotë se aspekti pozitiv i kësaj mbledhjeje, tejkalon interesat e ngushtë të marketingut politik, si nga kryeministri i Shqipërisë ashtu dhe nga ai i Kosovës.

Është koha për të bërë një mbledhje të tillë, qoftë edhe për të jetësuar tezat e hedhura nga Arbën Xhaferri në vitin 2007 për një shkëmbim të tillë idesh, apo një veprim të përbashkët në të mirë të shqiptarëve. Është një akt i vonuar, por që po rregullohet në mbledhjen e Prizrenit për shqiptarët në Luginën e Preshevës me anë të një fondi që do të përcaktohet për qytetarët e asaj zone".

"Do të ketë shumë impakt publik, jo mediatik, pasi në media po shihet si sukses i Thaçit apo i Ramës… mendoj se do të ketë një vëmendje shumë të madhe ndërkombëtare nga pikëpamja gjeopolitike. Do të jetë faktori ndërkombëtarë që do ta ndjekë me më shumë vëmendje se media apo politikat e brendshme të të dy vendeve”, thotë zonja Koçiu.

Ndërsa kryeredaktori i gazetës Mapo, Alfred Lela thotë se nismat për Luginën e Preshevës janë për t’u përshëndetur.

“Nismat në vetvete janë interesante e të qëlluara. Skepticizmi fillon te fakti nëse do të shkojnë këto nisma deri në fund, a do të plotësohen këto nisma me aksione të tjera, apo do të mbeten një fillim i mirë dhe asgjë më shumë”, thotë Lela.

Për analistin Lela bashkëpunimi i vazhdueshëm Thaçi – Rama është një bashkëpunim interesant mes përfaqësuesve politik që përfaqësojnë dy kahë të ndryshëm politik.

“Thaçi , si përfaqësues i një partie të qendrës së djathtë, takohet me një përfaqësues të qendrës së majtë (kryeministri Rama). Është një zhvillim interesant, do të shohim se çfarë do të prodhojë në të ardhmen”, shprehet Lela.

Mbledhja e qeverive do të zhvillohet në një hotel të qytetit të Prizrenit, ndërsa konferenca e përbashkët për shtyp do të mbahet në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG