PTK-ja në "bllokadë"

Procesit të Privatizimit të Post Telekomi të Kosovës duhet dhënë kohë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Ata konsiderojnë se ky aset publik nuk duhet të shitet me çdo kusht dhe menjëherë pas zhvillimeve që ndodhën gjatë këtij procesi.

Procesi i shitjes së 75 për qind të aksioneve është përcjell me debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e së enjten deputetet kishin hequr nga projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, amendamentin, me të cilin parashihej shitja e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Largimi i këtij amendamenti nga projektligji për buxhetin pamundëson shitjen e PTK-së

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se pas bllokimit të këtij procesi, Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë dhe t’i gjen gabimet apo lëshimet e saj rreth këtij procesi.

“Në këtë proces kanë ndodhur tri probleme shumë të rëndë. E para është vërejtur shumë qartë ka pasur mospërfillje të ligjit dhe mos respektim të institucioneve të vendit, në rastin konkret mos respektim të Kuvendit të Kosovës i cili kurrë nuk ka marr vendim për shitjen e PTK-së. E dyta është dëmtuar biznesi i PTK-së pasi që zhvillimi i saj ka qenë i bllokuar dhe ka hupur hapin me konkurrencën, dhe se treti ka zbehur imazhin e vendit në raport me investitorët ndërkombëtarë”, shton Rexhepi.

Rexhepi konsideron se çështja e Postë Telekomit të Kosovës duhet të zgjidhet, por që siç thotë ai duhet vullnet i mirë, qëndrueshmëri dhe një qasje krejt tjetër nga ajo që ka qenë deri tani ndaj këtij procesi.

Fillimi i menjëhershëm i një procesi të ri për Postë Telekomin e Kosovës konsideron Rexhepi nuk do të duhet të bëhet, pasi që sipas tij, është diskutabile a mund të arrijë çmimin aktual që e ka ofruar kompania Axos Capital.

Konsorciumi “Axos capital” kishte ofruar 277 milionë euro për 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Komisioni për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës kishte shpallur këtë ofertë si ofertën më të mirë.

Eksperti i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi thotë se Postë Telekomi i Kosovës duhet të forcohet, të fuqizohet dhe në një rrethane më të mirë të del në shitje pasi që vetëm, atëherë, ndoshta mund të arrijë çmim më të leverdishëm.

Për rrjedhën e deritanishme të Privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës mjaft kritik është shprehur edhe drejtori i Institut “Riinvest”, Lumir Abdixhiku.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se procesi ka kaluar në gabime të vazhdueshme të cilat rrjedhimisht e kanë ulur vlerën e asetit në një vlerë tejet simbolike dhe ofenduese.

“Ne ndodhemi në një situatë bllokuese, në të cilën kemi një investitorë për të cilin nuk dimë çfarë background (prapavijë) ka, dhe kemi një situatë në të cilën nuk dimë se si të protestojmë më tutje , për shkak se parlamenti nuk arrin të ketë koncensues sa i perkat privatizimit të asetit. Në një situatë të tillë vlera e astetit do të vazhdojë të bie ne do të mbesim pa reformë serioze në teknologji dhe do të mbesim pa investitorë serioz”, thotë Abdixhiku.