Ndërlidhjet

Buxheti dhe shitja e PTK-së në seancën e së enjtes


PTK
PTK
Qeveria e Kosovës dhe partitë e koalicionit kanë vendosur përfundimisht që amendamenti për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës të hyjë në kuadër të leximit të dytë të Buxhetit për vitin 2014 në seancën e thirrur për të enjten.

Një veprim i tillë ka acaruar dy parti opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat jo vetëm që e kundërshtojnë, por e konsiderojnë të jashtëligjshme shitjen e aksioneve të PTK-së në formën se si është vepruar.

Megjithatë, për partinë më të madhe në pushtet, Partinë Demokratike të Kosovës miratimi i buxhetit bashkë me shitjen e aksioneve të PTK-së është një akt i ligjshëm por edhe i domosdoshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci shprehet më se i bindur se Kuvendi me shumicë votash do të aprovojë buxhetin bashkë me amendamentin për PTK-në.

“Absolutisht, buxheti i Republikës së Kosovës ditën e enjte do të votohet nga deputetët. Kam besim të plotë në arsyeshmërinë e deputetëve dhe ata do ta dëshmojnë këtë pjekuri politike”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër, LDK dhe Vetëvendosje nuk e përjashtojnë mundësinë që në përpjekje për ta lënë kuvendin pa kuorum të bojkotojnë seancën e të enjtes.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se në momentin që shitja e aksioneve të PTK-së të dalë për shqyrtim bashkë me buxhetin në seancë, deputetët e kësaj partie politike do ta lëshojnë sallën.

“Jemi kundër kësaj, është amendament i cili nuk e ka vendin aty. Është shumë e qartë që është një tentim i kontrabandimit të PTK-së, dhe ne si LDK e kemi bërë të ditur, ka ditë të tëra, që nuk do të marrim pjesë në tentimin dhe legjitimimin e diçkaje që është e paligjshme”, ka thënë Beqiri.

Një veprim të ngjashëm paralajmëron edhe Vetëvendosje.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri thotë se bojkoti është një nga masat për të pamundësuar shitjen, siç e quan ai, të jashtëligjshme të aksioneve të PTK-së.

“Të enjten në diskutimin për buxhetin do të marrim masa që ta pengojmë qoftë kuorumin apo dhe votimin e këtij amendamenti dhe ligjit të buxhetit me këtë amendament. Nëse bojkoti e pamundëson kalimin e këtij amendamenti dhe pastaj edhe buxhetin, natyrisht që do ta bojkotojmë seancën”, ka deklaruar Ymeri.

Ndërkohë, Mzejene Selmani, kryetare e Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, subjekt ky që bën pjesë në koalicionin qeverisës, preferon që të pritet seanca e të enjtes dhe të shihet se a do të kalojë apo jo buxheti bashkë me shitjen e aksioneve të PTK-së.

Do të mbetet në ditën e enjte të shihni se si Koalicioni do të votojë shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së”, është shprehur Selmani.

Përderisa pozita po përgatitet që të sigurojë votat e mjaftueshme që buxhetin dhe shitjen e aksioneve të PTK-së t’i kalojë me një procedurë votimi, opozita paralajmëron se në rast të miratimit, do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

Buxheti për vitin 2014 ka kaluar tashmë në leximin e parë, por nevojitet edhe leximi i dytë para miratimit final.

Ndërkaq shitja e aksioneve të PTK-së nuk ka marrë mbështetjen e Kuvendit për shkak të kundërshtimeve të opozitës.

Gjatë procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ishte zgjedhur konsorciumi "Axos capital" si ofertuesi më i mirë me ofertën prej 277 milionë euro.

Nënshkrimi i kontratës me këtë kompani ishte shtyrë dy herë, derisa afati i ardhshëm është caktuar për 26 dhjetor.

Kjo lë të nënkuptohet se nëse Kuvendi e miraton këtë pikë të enjten, pasdite qeveria mund të shpallë edhe procedurën e nënshkrimit me kompaninë fituese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG