Serbia doli e shpërblyer nga negociatat

Qeveria e Serbisë

Deputetët e Kuvendit e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë vazhduar të kritikojnë Qeverinë e Kosovës lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë.

Deputeti Rexhep Selimi, nga ky subjekt politik, duke folur për përparimet e Serbisë për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, tha se këto bisedime janë një proces që e afrojnë Kosovën me afër Serbisë dhe Serbinë më afër Evropës.

Selimi tha po ashtu se si rezultat i negociatave dhe i marrëveshjeve Thaçi-Daçiq, Serbia mori datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë.

Ju deputetët, nga cilido grup parlamentar që i keni mbështetur këto negociata me votën tuaj, të vetëdijshëm apo jo, jeni ata që falë mbështetjes suaj, kryeministri negocioi me Daçiqin dhe falë këtyre negociatave Serbia mori shpërblimin”.

“Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim. Kështu ju, ia dhatë amnistinë Serbisë, asaj që mbi kurriz mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit, e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë”, tha Selimi.

Deputeti Selimi theksoi se para nisjes së negociatave u propagandua se në dialog do të bisedohet për të pagjeturit shqiptarë të zhdukur nga forcat e Serbisë në luftë.

Por siç tha ai, “jemi dëshmitarë askush s’i përmendi kurrë në asnjë tryezë në Bruksel”.

Rastësisht apo jo, asfalti dhe objekti mbi trupat e shqiptarëve në Serbi i përkiste një ndërmarrje që quhej ‘Kosmet-Put’ që në shqip do të thotë ‘Rruga Kosmet’, apo ‘Rruga Kosova’. E pra, e di apo nuk e di BE-ja se nëpër çfarë rruge po i afrohet Serbia asaj, Kosmet-Put quhet rruga e Serbisë drejt Evropës, rrugë e cila kalon mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të fshehur”, u shpreh Selimi.

Selimi, duke kritikuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se “ai nuk flet me Daçiqin për t’i kthyer trupat dhe eshtrat e shqiptareve por për kthimin e policëve serbe të MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë) në Policinë e Kosovës”.

Sipas tij, kryeministri kosovar do të duhej të kërkonte nga Brukseli hapjen e Kosovës e cila është kthyer në një vend të izoluar në mes të Evropës.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se nga ajo që shihet, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë i ka ndihmuar Serbisë se sa Kosovës që të afrohet me Bashkimin Evropian.

“Për mendimi tonë nuk është Serbia ajo që i ka kryer të gjitha obligimet për të merituar këtë shpërblim – këtë hapje të mundësisë për integrim. Ne mendojmë që Serbia nuk është duke i kryer ato obligime si do të duhej të kryhen”, u shpreh Beqiri.

Ai shtoi se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë që të jenë të barabartë si gjithë qytetarët që jetojnë në Evropë.

“Pak kemi parë që Kosova realisht është përkrahur, karshi asaj se si është sjellë gjatë dialogut dhe ne mendojmë se ky është të mos them një dënim, por realisht një vlerësim jo i drejt për Kosovën dhe qytetarët e saj”, vlerësoi Beqiri.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se viti 2013 ka qenë vit evropian për shtetin e Kosovës.

“Zhvillova takimin përfundimtar, për vitin 2013, me përfaqësuesin ne BE-së në Kosovë, zotin Zhbogar dhe gjithë ambasadorët e vendeve të BE -së në Kosovë. Viti 2013 për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj ishte viti i konsolidimit dhe forcimit, i rritjes stabile ekonomike, i njohjeve të reja, i anëtarësimit në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare dhe organizimit të zgjedhjeve të lira të standardit më të lartë demokratik, për herë të parë me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe në gjithë territorin e Republikë së Kosovës”.

“Të gjithë kryetarët do të punojnë me ligjet e Republikës së Kosovës. Viti 2013 shënon edhe fillimin serioz dhe konkret të normalizimit të marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, edhe pse ka mbetur ende shumë për t’u implementuar. Ishte konkludim i përbashkët se viti 2013 ishte vit evropian për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në anën tjetër, analistë politikë në Kosovë, kanë deklaruar se Kosova nuk arriti të përfitojë nga dialogu me Beogradin, qoftë në integrimin e veriut të Kosovës, apo edhe përmbylljes së subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Ndryshe, në konkluzionet e BE-së për Serbinë, thuhet se para hyrjes së saj në BE, ajo duhet të nënshkruajë një dokument obligues ligjor për rregullimin e raporteve me Prishtinën.