Buxheti në pako me PTK-në, opozita kërcënon me kuorum

Ilustrim

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës që miratimi në lexim të dytë i Buxhetit për vitin 2014 të kalojë në pako me amendamentin për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës po kundërshtohet ashpër nga dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Të dy këto subjekte politike paralajmërojnë se do të votojnë kundër e në rast nevoje edhe do të lëshojnë sallën e Kuvendit në përpjekje që të krijojnë mungesë kuorumi për të mos lejuar miratimin në pako të Buxhetit dhe shitjes së PTK-së.

Në instancë të fundit, ato thonë se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, qeveria dhe partitë e koalicionit duken të vendosura që javën e ardhshme të provojnë që buxheti dhe shitja e aksioneve të PTK-së të kalojnë në pako.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se buxheti është në interesin e të gjitha subjekteve politike sikurse që edhe shitja e PTK, ka nënvizuar ai, duhet të merr një miratim nga Kuvendi para se t’i nënshtrohet nënshkrimit të kontratës me përfituesin.

“Çështja e privatizimit të PTK-së e dimë se ka mbetur e pa përfunduar apo pa përmbyllur nga Kuvendi i Kosovës. E mira e të mirës kishte me qenë që kjo pikë të vendoset si pikë e rendit të ditës dhe të përmbyllet. Kuvendi të merr një vendim, nuk dua të paragjykoj, qoftë për apo kundër dhe ta thotë fjalën e vet dhe besoj që kjo është mënyra më e mirë”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë thënë se nëse buxheti kalon me amendamentin për miratimin e shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së, atëherë ky ligj do të dërgohet në gjykatën kushtetuese.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se privatizimi i PTK-së nuk i ka respektuar procedurat.

Kurse futja në pako me buxhetin, sipas tij është një veprim i paligjshëm dhe një rast që po ndodhë vetëm në Kosovë.

“Është e paligjshme sepse të futet në ligjin e buxhetit shitja e PTK-së, kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe nga kjo qeveri. Prandaj si LDK ne nuk do ta pranojmë një buxhet të tillë, nuk do ta votojmë dhe mbi të gjitha ne nuk do të hyjmë fare në seancë dhe do ta bojkotojmë një seancë të tillë ku është i përfshirë edhe ky amendament”, ka thënë Beqiri.

Për të parandaluar miratimin e shitjes së aksioneve të PTK-së në bashkëngjitje të Buxhetit është shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Ai ka thënë se do të bashkëpunohet ngushtë edhe me LDK-në vetëm e vetëm që të mos lejohet ky miratim.

“Qeveria po insiston që Kuvendi të jetë lavatriçe e saj për shpëlarjen e ilegalitetit apo proceseve ilegale që i ka zhvilluar deri më tani për t’i vendosur deputetët para një alternative më të vështirë. Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtoj këtë amendamentin, këtë ligj për buxhetin dhe do t’i ndërmarrim të gjitha masat përbrenda sallës së Kuvendit për ta pamundësuar trajtimin apo votimin e një votimi të tillë”, ka thënë Ymeri.

Buxheti i Kosovës ka kaluar tashmë në leximin e parë, por nevojitet edhe leximi i dytë para miratimit final. Ndërkaq shitja e 75 për qind e aksioneve të PTK-së nuk ka marrë mbështetjen e Kuvendit për shkak të kundërshtimeve të opozitës.

Gjatë procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ishte zgjedhur konsorciumi "Axos capital" si ofertuesi më i mirë në ofertën prej 277 milionë euro.

Nënshkrimi i kontratës me këtë kompani ishte shtyrë dy herë, derisa afati i ardhshëm është caktuar për 26 dhjetor të këtij vit.

Tani, qeveria dhe partitë e koalicionit qeverisës në Kuvend po provojnë që miratimi të kalojë në pako, duke llogaritur që disa deputetë që kishin kundërshtuar shitjen e PTK-së nuk do ta bëjnë edhe kundërshtimin e buxhetit.

Seanca është paralajmëruar të mbahet javën e ardhshme pasi që për këtë javë u tha se nuk ishin plotësuar procedurat e nevojshme.