Miliona euro donacione në shëndetësi

Ilustrim

Në Qendrën Klinike Universitare, kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.

Kjo ka arritur vlerën e disa milion euro, për vitin 2013, thonë zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shpend Fazliu, zëdhënës, njëherësh ushtrues detyre i koordinatorit për donacione brenda QKUK-së, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti donacionet e dhuruara për këtë institucion kanë qenë të shumta dhe me vlera të mëdha.

"QKUK nuk e ka shënuar vlerën e donacioneve në vlerë materiale. Por lirisht mund të thuhet se donacionet që janë dhuruar vetëm këtë vit arrijnë miliona euro. Gjatë vitit 2013, QKUK ka pranuar një numër të konsiderueshëm të donacioneve, prej tyre ka pasur material shpenzues".

"Makina për larje, dezinfektim, makina për sterilizim, makina për larje - tharje dhe hekurosje të rrobave në kuadër të lavatores qendrore të QKUK-së, e që ka qenë problematikë e vazhdueshme e këtij institucioni. Kjo është dhuruar nga organizata Care for Kosovo Kids, dhe mund të them se është njëri prej donacioneve më të mëdha të dhuruara për QKUK-në këtë vit", shprehet Fazliu.

Derisa në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ky institucion këtë vit ka qenë i mbështetur nga shumë donatorë me vlera milionëshe.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, jep hollësi të tjera.

"Ministria e Shëndetësisë ka qenë e mbështetur prej qeverive dhe donatorëve të ndryshëm me programe të ndryshme, që kanë të bëjnë me zhvillimin e reformës shëndetësore, me ngritje të infrastrukturës, ngritje të kapaciteteve humane, e që kanë kontribuar që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve".

"Është financuar me donacione në projektin e kardiokirurgjisë, projektet për implementimin e sistemit të informimit shëndetësor, odave mjekësore, përkrahës në legjislacion dhe projekte tjera nga qeveria e Luksemburgut, gjithashtu mbështetje të projektit HOPE, me citostatik, mbështetje për tuberkuloz, HIV/AIDS, për projekte për shëndetin e nënës dhe fëmijës etj", shprehet Hoti.

Ndryshe, sipas zotit Hoti, buxheti për shëndetësi i ndarë për vitin 2013, ka qenë 107 milionë euro, derisa vitin tjetër do të jetë 114 milionë euro.

Sidoqoftë, prej pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka pasur shumë donacione dhe ato nuk janë regjistruar askund.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se me kohë është zbehur edhe interesimi për të dhuruar donacione, qofshin ato individuale, apo edhe nga organizata të caktuara.

Por, Qendra Klinike Universitare vitin e kaluar ka formuar komisionin brenda këtij institucioni, i cili tashmë monitoron dhe regjistron donacionet.

Andaj edhe vlera e donacioneve për këtë vit është arritur me miliona euro.