Barriera të shumta për personat me aftësi të kufizuara

Your browser doesn’t support HTML5

Barriera të shumta përballë personave me aftësi të kufizuara

Me moton “Për Kosovën gjithëpërfshirëse”, komuniteti i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë ka organizuar në Prishtinë marshin, për, siç u tha, vetëdijesimin e qytetarëve për vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky komunitet në qasjen në objektet publike, si dhe në përgjithësi në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike.

Marshi, me të cilin është shënuar Dita botërore e personave me aftësi të kufizuar, është organizuar nga organizata joqeveritare e personave me aftësi të kufizuar “Hendikos” dhe është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është zhvilluar nëpër rrugën “Nëna Terezë” e deri në sheshin “Skënderbeu”, ku ishte vendosur një hartë në të cilën ishin paraqitur objektet infrastrukturore publike ku personat me aftësi të kufizuar nuk e kanë të mundur qasjen fizike.

Këtij marshi i janë bashkuar edhe disa dhjetëra qytetarë tjerë.

Afrim Maliqi, drejtues i organizatës joqeveritare “Hendikos” ka theksuar se shoqëria me vetëdije ose jo i vendos barrierat para personave me aftësi të kufizuar.

“Personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me barriera të shumta, çdo ditë, që nga pengesat fizike në objekte e deri te barrierat sistemore në punësim dhe në programet qytetare. Ndërkaq, pengesat më të vështira për t’i tejkaluar, janë barrierat psikologjike, respektivisht, qëndrimet që njerëzit kanë ndaj personave me aftësi të kufizuara".

"Pavarësisht se cili është burimi i këtyre qëndrimeve, injoranca, frika, keqkuptimi apo urrejtja, ato i ndalojnë njerëzit që të kenë mirëkuptim dhe ta njohin dhe përjetojnë potencialin e plotë, të cilin personi me aftësi të kufizuar mund ta arrijë”, tha Maliqi.

Tomas Joki, shef i Departamentit për çështje politike, ekonomike dhe integrime evropiane në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se marshi është vetëm një formë, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së shoqërisë kosovare për vështirësitë me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuar në shoqërinë kosovare.

Siç ka thënë ai, Zyra e Bashkimit Evropian është duke e luajtur rolin e saj për ta ndihmuar komunitetin e personave më aftësi të kufizuar.

“Roli i Bashkimit Evropian dhe zyrës së tij në Kosovë është që të mbështes masat për përparim e qasjes në arsim, në hapësirat e ndërtuara, për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar, përmes programit të financuar nga bashkimi Evropian. Kosova ka legjislacion në këtë lëmi, ka plan të veprimit, ka strategji, por çështja kryesore është jetësimi i tyre në përditshmëri".

"Për sa u përket masave, të cilat duhet të ndërmerren për mbështetjen e njerëzve me aftësi të kufizuar, rolin kryesor e ka komuna, e cila duhet ti bartë këto veprime”, theksoi Joki, i cili shtoi se megjithatë kanë filluar të shihen ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Pranvera Muçaj, nga organizata joqeveritare “Hendikos”, ka theksuar se numri i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk dihet saktësisht.

Por, siç tha ajo, bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë jetojnë me aftësi të kufizuara, atëherë del se në Kosovë janë rreth 170 mijë deri në 255 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

Muçaj ka theksuar se këta persona nuk gëzojnë vëmendjen e merituar.

“Vetëm 11 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në sistemin edukativo-arsimor. Ndërkaq, 89 për qind të fëmijëve të tjerë u mohohet e drejta e shkollimit të rregullt. Problemi më i madh, me të cilin ballafaqohen personat me aftësi të kufizuar është punësimi".

"Vetëm 17 mijë qytetarë me aftësi të kufizuara, mes moshës 18 dhe 65 vjeç, gëzojnë të drejtën për pension për personat me aftësi të kufizuar. Është rreth 60 euro në muaj, respektivisht dy euro në ditë”, u shpreh Muçaj.

Ndryshe, drejtuesit e organizatës joqeveritare Hendikos” kanë theksuar se marshi i së martës është i pari dhe se iniciativa me moton “Për Kosovën gjithëpërfshirëse” do të përcillet edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme për të ndërtuar, siç u tha, një Kosovë të barabartë për të gjithë, për pjesëmarrje qytetarie.