TI: Shqipëria e fundit në rajon për luftën ndaj korrupsionit

Shqipëria është renditur e fundit krahasuar me vendet e rajonit sipas vlerësimit të organizatës Transparency International. Ajo ka rënie nga viti i kaluar, duke zënë vendin e 116.

Analisti mediatik, Aleksandër Çipa, shpjegon disa prej shkaqeve dhe jep opinionin e tij se si mund të zgjidhet ky problem i vazhdueshëm i shoqërisë shqiptare të 20 viteve të fundit.

Korrupsioni ende mbetet një problem madhor i Shqipërisë, ndonëse lufta ndaj tij është kryefjala e të gjitha qeverive gjatë 20 viteve të fundit.

Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, duke renditur 177 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Shqipëria këtë vit ka pësuar rënie në renditjen e "Transparency International", në krahasim me vitin e kaluar, duke zënë vendin e 116-të, ndërsa një vit më parë mbante vendin e 113-të.

Në vitin 2013 Shqipëria është vlerësuar me 31 pikë nga 100 pikët e mundshme, së bashku me Nepalin dhe Vietnamin. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e fundit.

Analisti Aleksandër Çipa mendon se pandëshkueshmëria e korrupsionit në Shqipëri është një problem kritik dhe serioz, dhe se legjislativi shqiptar është përpara nevojës së ndërmarrjes se përmirësimit të aspektit ligjor.

“Ka një konstatim thuajse të përbashkët, që jemi në një krizë të sistemit dhe dominancë të korrupsionit ndaj sistemit ligjor. Sot Shqipëria ka një betejë të rëndësishme me dy parametra të rëndësishëm të sendërtimit të demokracisë institucionale".

"E para ka të bëjë me zbatimin e ligjit që është një ndër defektet më të konstatuara nga aktorët , partnerët dhe institucionet ndërkombëtare, dhe e dyta që është po kaq e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit, që është e lidhur pazgjithshmërisht me mentalitetin e tranzicionit të pambarimtë"
.

"Kjo është një çështje që ka të bëjë jo vetëm më ndërgjegjen e qytetarëve, ku fataliteti I pandëshkueshmërisë dhe pranimi i korrupsionit si 'një vaj për makinat', është një nga çështjet më thelbësore mbi të cilën duhet të bazohet edhe emendimi i legjislacionit në fuqi edhe sipërmarrja e reformave të cilat nuk duhet të zhbëjnë partneritetin e arritur gjatë legjislaturave të mëparshme”, thotë Çipa.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka propozuar një paketë masash ligjore për reformën në drejtësi, sipas së cilës të gjitha rastet e korrupsionit duhet të hetohen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Por ekspertët ndërkombëtar ligjorë kanë shprehur skepticizmin e tyre.

Sot Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me anë të një letre shprehet se propozimi i mësipërm nuk i shërben luftës kundër korrupsionit, pasi sipas OSBE-së as Gjykata e Krimeve të Rënda dhe as Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk janë aktualisht të specializuara për t'u marrë me çështjet e korrupsionit.

“Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet ne Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe te mungesa e burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme. Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo tek reforma thjesht ligjore".

"Transferimi i juridiksionit siç parashikohet nga projektligji do te mbetej thjesht një reformë ligjore, nëse nuk shoqërohet nga hapa konkrete shumë specifike. Hapa të tillë duhet të konsistojnë të paktën në pajisjen e çdo organi te specializuar qe presupozohet të luftojë korrupsionin me burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale. Për më tepër, duhet të garantohet llogaridhënia e atyre që e kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin.”- thuhet në letrën e OSBE-së.

Një ditë më parë OPDAT, misioni amerikan që ndihmon palën shqiptare në fushën e drejtësisë penale, ka vënë në dijeni Komisionin Parlamentar të Ligjeve se për ndryshimet e paketës ligjore në drejtësi, qeveria nuk është konsultuar me misionin.

Hetimi dhe gjykimi I rasteve të korrupsionit përmes Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, vëren OPDAT-i, "zgjeron detyrat e këtyre institucioneve".

Sipas ekspertëve amerikanë, kjo do të "pakësonte vëmendjen ndaj krimit të organizuar dhe nuk do t'i shërbente suksesit të tyre në të ardhmen".

I pyetur për reagimin e ekspertëve ligjorë amerikanë, analisti Çipa thotë:

“E vlerësoj si një adresim shumë serioz, I cili duhet lexuar jo vetëm në tekstin por edhe nëntekstin e vet prej shumicës parlamentare në vend. Reagimin e parë, e ka bërë partneri kryesor i qeverisjes aktuale, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila për mes reagimit të saj ka nënkuptuar se çdo sipërmarrje për përmirësimin ligjor nuk duhet të shkelë apo të cenojë investimin e realizuar në periudhat e mëparshme me partnerët ndërkombëtarë e aq më tepër me Departamentit Amerikan të Shtetit", shprehet ai.

Lufta ndaj korrupsionit është ndër 5 rekomandimet e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.