Indeksi i korrupsionit: Kosova shënon përkeqësim

Tabela e radhitjes, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit / Transparency International, 2013

Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, duke renditur 177 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Kosova këtë vit rradhitet në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë), për dallim nga viti i kaluar kur ka shënuar përparim simbolik dhe ka zënë vendin e 105-të.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 116-të. Shqipëria, vitin e kaluar, mbante pozitën e 113-të.

Në fakt, janë vetëm Kosova dhe Shqipëria dy vendet që janë rradhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit.

Mali i Zi ka zënë pozitën e 67-të, duke rënë nga vendi i 75-të ku ishte radhitur vitin e kaluar.

Përmirësime në krahasim me vitin e kaluar kanë shënuar edhe Kroacia me vendin e 57-të nga pozita numër 62, pastaj Serbia me vendin e 72-të nga 80, kurse Maqedonia është radhitur në vendin e 67-të, për dallim nga pozita e 69-të vitin e kaluar.

Transparency International tërheq vërejtjen se korrupsioni brenda sektorit publik vazhdon “të shkatërrojë” vende në gjithë botën.

Svetlana Savitskaya është koordinatore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Në lidhje me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, do të thosha se nuk kemi asgjë për të festuar këtë vit, sepse imazhi është mjaft i zymtë dhe mund të përshkruhet si stagnim në të gjitha vendet. Edhe Gjeorgjia, e njohur si kampione e reformave anti-korrupsion në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, ka rënë në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Savitskaya.

Sipas saj, rezultatet për të gjitha vendet e tjera sovjtike ose janë përkeqësuar, ose kanë mbetur njëjtë si vitin e kaluar, siç është rasti i Rusisë dhe Kirgizisë.

Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani mbesin këtë vit në mesin e shënuesve më të këqij.

Savitskaya thotë se janë disa faktorë që e bëjnë të vështirë luftimin e korrupsionit në vendet ish-sovjetike.

“Këto vende kanë llojin e njëjtë të sëmundjes, që është përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik në duart e elitave sunduese. Atje po ashtu ka një linjë të paqartë midis interesave politikë dhe biznesorë. Pastaj kemi edhe dobësinë e gjyqësorit dhe të policisë”, thotë Savitskaya.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, Danimarka dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë, kurse vendin e fundit me numër 177 e ndajnë Afganistani, Koreja Veriore dhe Somalia.(v.tela)