Fushatë pa kod mirësjelljeje

Ilustrim

Fushata zgjedhore për balotazh në 25 komuna, sipas shoqërisë civile, ka shpërfaqur mungesën e edukatës politike të partive që garojnë në raundin përfundimtar të ciklit elektoral lokal këtë vit.

Vëzhguesit kosovarë të këtyre zgjedhjeve, të mbledhur nën ombrellën “Demokracia në Veprim”, kritikuan të premten gjithë skenën politike kosovare pa dallim, për tonin e ashpër të diskursit politik.

“Në fakt, kemi parë një nivel më të ulët të edukatës së kandidatëve, sesa do të donim të shihnim”, tha Shqipe Pantina nga ky koalicion i organizatave joqeveritare, duke argumentuar se “do të duhej që kandidatët të kenë projekte goxha të detajuara, por në fakt më shumë fushata është karakterizuar me akuza dhe kundërakuza të kandidatëve, të cilat shpeshherë nuk kanë pasur të bëjnë fare as me qeverisjen lokale, edhe pse këto janë zgjedhje lokale”.

“Demokracia në Veprim” publikoi të premten gjetjet nga vëzhgimi i fushatës për balotazh, ku theksohet se gara elektorale është përcjellë me një fjalor të ashpër politik nga kandidatët dhe subjektet politike.

Por, një vlerësim tjetër dha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, të premten, në Prishtinë.

“Unë uroj të gjithë fituesit në raundin e parë, ndërsa ftoj të gjithë spektrin politik që të vazhdohet edhe sot me fushatë fer, [fushatë] të konkurrencës, ndërsa në të njëjtën kohë me besim të plotë, flas se edhe zgjedhjet e 1 dhjetorit do të jenë të standardit më të lartë”, tha Thaçi.

Madje, kur hapi mbledhjen e kabinetit, kryeministri Thaçi falënderoi partitë për “një fushatë të mirë” që treguan në raundin e parë zgjedhor, që u hap më 3 tetor, një muaj para ditës së zgjedhjeve.

Hashim Thaçi

“Raundi i parë ka qenë me të vërtet një fushatë e mirë, ka qenë një pjesëmarrje e vlerësuar e qytetarëve, ka qenë një fushatë, por edhe organizim i zgjedhjeve të standardit të lartë, standard që është vlerësuar prej bashkësisë ndërkombëtare, që mund të them lirisht se kemi kaluar një sprovë të rëndësishme evropiane, për vetveten dhe shtetin tonë, si dhe kemi dërguar mesazhin më të mirë politik dhe qytetar”, deklaroi Thaçi.

Qytetarët në 25 komuna në nivel të vendit, do të ftohen për një raund të ri të zgjedhjeve më 1 dhjetor, pasi kandidatët e tyre nuk fituan 50 për qind të votës popullore më 3 nëntor.

“Demokracia në Veprim” ua rikujtoi subjekteve politike, që para fillimit zyrtar të procesit zgjedhor, ato nënshkruan një Kod të mirësjelljes, të cilin, siç tha koalicioni i organizatave joqeveritare, e kanë shkelur me dy këmbë.

“Ashpërsimi i gjuhës shpeshherë ka tejkaluar dhe ka shkelur në fakt Kodin e mirësjelljes, gjë të cilën partitë politike e kanë nënshkruar para fillimit të fushatës”, potencoi Shqipe Pantina.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje, që partitë politike, pa marrë parasysh qëllimin e tyre përtej këtyre zgjedhjeve lokale, të vazhdojnë të respektojnë Kodin e mirësjelljes dhe legjislacionin në fuqi. Ta zbusin gjuhën e tyre, duke garuar me programe dhe platforma të veta zgjedhore, sepse një gjuhë e tillë, mund të jetë dekurajuese për qytetarët që ata të dalin të votojnë më 1 dhjetor, në raundin e fundit”, deklaroi para gazetarëve Shqipe Pantina, përfaqësuese e “Demokracisë në Veprim”.

Qeveria e Kosovës shfaqi shpresën, përmes shefit të saj, se më 1 dhjetor, qytetarët do të dalin në votime dhe se ato do të jenë të qeta, meqë një porosi e tillë pritet nga faktori ndërkombëtar, si rezultat i përmbushjes së standardit të organizimit të mirëfilltë të zgjedhjeve.