Ndërlidhjet

“Grindjet” parazgjedhore në Mitrovicën e veriut


Ndonëse fushata parazgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë ka nisur ditën e hënë, me 25 nëntor, akuzat dhe kundër akuzat e kandidatëve që garojnë në balotazh në Mitrovicën e veriut, nuk kanë pushuar që kur kanë nisur fushata parazgjedhore për raundin e parë të këtyre zgjedhjeve në këtë komunë.

Kryesuesi i Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, njëherësh edhe kandidat që do të garojë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, kishte bërë dhe vazhdon ta bëjë akuza në adresë të Beogradit zyrtar, se në mënyrë joparimore po e mbështet vetëm Iniciativën Qytetare Serbe.

Në anën tjetër, Iniciativa Qytetare Serbe, e cila në garë për kryetar të Mitrovicës së veriut e ka Kërstimir Pantiqin, e ka akuzuar subjektin politik të Oliver Ivanoviqit se po krijon koalicione me shqiptarët.

Oliver Ivanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar, duke i mbajtur anën vetëm një subjekti politik, siç është Iniciativa qytetare Serbe, nuk është treguar e vëmendshme ndaj situatës së ndjeshme, sidomos në një vend të ndjeshëm siç është Mitrovica e veriut.

Vërejtja jonë është e natyrës parimore, sepse Qeveria e Serbisë do të duhej të ishte qeveri e të gjithë qytetarëve lojal të Serbisë, që do të thotë edhe e atyre që janë në Iniciativën qytetare ‘Serbia, demokracia, drejtësia’. Nëse ajo është qeveri e përbashkët, atëherë duhet të ketë qasje të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve që e pranojnë si legale dhe legjitime, sidomos në një situatë të ndjeshme siç është në një vend të ndjeshëm".

"Në kuptimin politik, Mitrovica e veriut është shumë më e rëndësishme se sa të gjitha komunat tjera. Për këtë arsye, qasja ndaj Mitrovicës së veriut do të duhej të ishte shumë i kujdesshme, gjë që nuk është treguar në periudhën e kaluar”, theksoi Ivanoviq.

Por, Vladeta Kostiq, kryesuesi i Iniciativës Qytetare Serbe nga e cila ka dalë edhe kandidati tjetër Kërstimir Pantiq, i cili shkon në balotazh për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se janë të pakuptueshme vërejtjet e Ivanoviqit ndaj subjektit që ai drejton, të cilat lidhen me mbështetjen e Beogradi zyrtar për ta.

“Është e saktë që Iniciativa qytetare Serbe e ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe ne këtë nuk e kemi fshehur nga askush, as nga shqiptarët, as nga Prishtina e as nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu është e vërtetë që kandidat të caktuar dhe parti të caktuara, të cilat janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, e kanë mbështetjen e hapur të Qeverisë së Kosovës".

"Ne për këtë nuk po i ankohemi askujt. Ne nuk ua shohim për të madhe. Kjo është zgjedhja e tyre, gjegjësisht zgjedhja e Qeverisë së Kosovë apo zgjedhja e vetë atyre kandidatëve dhe për ne kjo nuk paraqet asnjë problem se kush kënd e mbështetë”, tha Kostiq.

Në anën tjetër, Ivanoviq mohon të ketë pasur ndonjë ofertë për mbështetje nga ana e Qeverisë së Kosovës apo përgjithësisht nga shqiptarët.

Sipas tij, këto janë deklarata që shprehin dëshpërimin e Iniciativës qytetarë Serbe.

“Jo, nuk ka pasur oferta të tilla, por edhe sikur të kishte, unë nuk do t’i pranoja. Mendoj se Iniciativa qytetare Serbe e ka kuptuar se e ka humbur këtë betejë, sepse me gjithë të angazhim që e kanë pasur, ata nuk kanë arritur të krijojnë përparësi serioze. Prandaj, po i kaplon nervozizmi. Sa na përket neve, jemi të sigurt dhe të qetë, së pari, për fitore dhe për një rezultat të mirë dhe e dyta, ne nuk do të bëjmë në këtë moment asnjë koalicion të papritur”, u shpreh Ivanoviq.

Por, ndryshe e sheh situatën Kostiq. Sipas tij, edhe akuzat dhe kundër akuzat e partive politike duhet parë si pjesë e fushatës parazgjedhore.

“Ne do të shkojmë me programin tonë. Në raundin e dytë, ne më shumë do ta vëmë aksentin në përmirësimin ekonomik të komunave, për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat do të investojnë në vendet e reja të punës dhe në objektet e prodhimit".

"Ndërkaq, sa u përket grindjeve ndërmjet kandidatëve të subjekteve politike, mendoj se ato janë pjesë e secilës fushatë, ashtu sikurse, as më pak e as më shumë, ndodhin grindjet në raundin e dytë ndërmjet kandidatëve të listave shqiptare, qoftë në Pejë, Prizren, Prishtinë apo kudo tjetër”, theksoi Kostiq.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, përfshirë këtu edhe Mitrovicën e veriut, do të shtrihet autoriteti i institucioneve të Kosovës edhe në këtë pjesë të vendit.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë, të cilat e mbështesin Iniciativën qytetare Serbe, kanë theksuar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje lokale të Kosovës siguron lidhjen e tyre me Serbinë, si dhe praninë e kësaj të fundit në Kosovë.

Autoritetet e Beogradit, pretendojnë që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Mitrovica e veriut të jetë qendra ku do të vendoset Bashkësia e Komunave Serbe, e cila ka dalë si rezultat i Marrëveshjes së 19 Prillit në Bruksel, në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG