Rritet numri i lëndëve të pazgjidhura

Ilustrim

Pavarësisht hartimit të strategjive të ndryshme, çështja e numrit të lëndëve të papërfunduara, vazhdon të shkaktojë probleme të mëdha në sistemin e drejtësisë.

Përfaqësuesit e Gjykatës Supreme të Kosovës thonë se numri i lëndëve të pazgjidhura jo që nuk është ulur, por ai kohëve të fundit është rritur edhe më shumë.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, se lëndë të pazgjidhura mendohet të jenë më shumë se 220 mijë.

“Është rritur numri i lëndëve të pazgjidhura për shkak se neve ky procesi i plotësimit vendeve të punës me gjyqtarë na zgjati shumë. Do të thotë, më shumë se 120 gjyqtarë në vitin 2010 ngelën vende vakante. Kështu që deri tani nuk kemi mundur t’i plotësojmë vendet e punës. Për këtë arsye edhe ka ardhur deri te rritja e numrit të lëndëve të pakryera”, tha Hasani.

Hasani, si udhëheqës i Gjykatës Supreme të Kosovës, shtoi se kjo gjendje me lëndë të pazgjidhura është kritike për sistemin gjyqësor në vend.

“Kjo është keq për Gjyqësorin, edhe pse thashë ka lëvizja pozitive. Ka lëvizje pozitive në aspektin në disa gjykata tani jemi duke i proceduar në Gjykatën Supreme lëndët e vitit 2013. Në disa gjykata është ulur numri, por në përgjithësi për shkak se dominojnë 4 - 5 qendra, Prishtina, Peja Prizren, Ferizaj që ka numër të madh të çështjeve të papërfunduara, edhe rritja e numrit tregon se punët nuk po ecin mirë”, shpjegoi Hasani.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Institutit Kosovar për Drejtësi, Betim Musliu, tha se në vazhdimësi sistemi i gjyqësorit në Kosovë është përballur me numër të madhe të lëndëve të pazgjidhura.

Sipas tij, moszgjidhja e këtyre lëndëve është një shkelje e të drejtave themelore të qytetarëve të vendit.

“Arsyet se pse këto lëndë nuk janë duke u zgjidhur në numrin i cili ka arritur në gjykata, janë të shumta. E para, është fakt se numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve ka ndikuar në këtë, por është edhe çështja e llogaridhënies së gjyqtarëve, të cilët nuk janë duke kryer punën sa duhet dhe nuk janë shumë efikasë në orarin e tyre të punës”, u shpreh Musliu.

Vonesat në zgjidhjen e lëndëve i kanë përmendur edhe drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke thënë se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së kuadrove.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kohë më parë kishte hartuar Strategjinë Kombëtare për Reduktimin e Lëndëve të Vjetra. Qëllimi i përgjithshëm i saj ishte reduktimi i lëndëve të vjetra, me të cilat përballen gjykatat e Kosovës.

Strategjia përfshinte lëndët, të cilat janë klasifikuar "si të vjetra" dhe ato lëndë, të cilat do të bëhen "të vjetra" po qe se nuk ndërmerren veprime me kohë për zgjidhjen/mbylljen e tyre. Por, strategjia, për kryetarin Hasani, nuk i ka dhënë rezultatet e duhura.

Ajo e ka vënë njëfarë rendi në drejtim të procedimit të çështjeve sipas ardhjes nëpër gjykata. Nuk ka pasur një refleksion, nuk ka pasur një ndikim në uljen e lëndëve”, tha Hasani.