Rrëfimi i policit: Dëshmi dhe pjesë e krimit

Ilustrim

Autoritetet ligjore në Serbi nuk i mohojnë akuzat për krime lufte, të cilat i ka bërë publike Slobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar i policisë serbe, ish-pjesëtar i Çetës së katërt të Togës së njësive të veçanta të policisë dhe dëshmitar i mbrojtur nga shteti serb.

Gjatë vitit 1998, si pjesëtarë i Policisë të Serbisë ai kishte marrë pjesë në një numër aksionesh, për të cilat ai dëshmon se kjo polici i ka ndërmarrë kundër civilëve shqiptarë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Slobodan Stojanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për të gjitha veprimet, të cilat i kanë bërë pjesëtarët e forcave serbe në terren, në Kosovë, kanë qenë të informuar eprorët e lartë, përmes zinxhirit komandues i cili ka ekzistuar në njësitet e përfshira në, siç e quan ai, “pastrimin e terrenit”.

Ai thotë se ka parë mjaft tmerre, të cilat i kanë kryer forcat serbe dhe kjo kishte ndikuar që ai të largohet nga policia.

Stojanoviq shpjegon një nga rastet që kishin ndodhur dhe që sipas tij ishin rutinë.

“Gjithkah kam shkuar dhe kur kam parë se çfarë po ndodhë, unë jam tërhequr. Thjeshtë, pa asnjë arsye, u afroheshin njerëzve dhe i kërcënonin duke ju kërkuar para. Në qoftë se nuk kishte dikush para, e vrisnin, pa asnjë arsye tjetër”, tha Stojanoviq, duke shpjeguar se dinte edhe emra të njerëzve të caktuar që kishin vrarë të pafajshëm duke thënë se "shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”.

Sipas tij, gjatë “pastrimit të terrenit” fillimisht ushtria grasatonte për orë të tëra dhe më pas futej policia dhe ushtria, të ndarë në njësi të vogla me nga 20 njerëz, të cilët merreshin vesh me komandantët e tyre lidhur me veprimet që i bënin.

Ai akuzon komandantin e tij, Nenad Stojkoviq, për djegien e fshatrave mbi Mitrovicë dhe krimet që kishin ndodhur atje.

Nenad Stojkoviq, është përgjegjësi kryesor për punën që bënim në Mitrovicë. E djegin gjithë fshatin... ja se çfarë bënin. Vetëm merrnin urdhër dhe ato ishin fjalë të shkurtuara. Do të thotë, kur merrnin fjalën ‘shkrepës’ atëherë do të thoshte se duhej djegur gjithë fshatin, nëse ishte fjala “goma”, atëherë nënkuptonte se duhej vrarë. Kur thoshte komandanti Mitroviq ‘dërgoje për rrezitje’, kjo nënkuptonte se duhej vrarë ai njeri shqiptar”, shpjegon Slobodan Stojanoviq.

Ai ka rrëfyer edhe raste tjera, të cilat sipas tij ishin krime, për të cilat askush nuk është përgjigjur deri më sot.

Akuzat për krimet, të cilat, sipas Stojanoviqit, i kanë kryer forcat serbe në Kosovë, i pohojnë edhe autoritetet ligjore në Serbi. Prokurori i Gjykatës speciale për krime lufte i Serbisë, Bruno Vekariq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i sigurt për krimet që i përshkruan Stojanoviq, por sipas tij, ky i fundit u ka bërë shantazh autoritetet për interesa personale.

“Për ato që ai flet, jam i sigurt se kanë ndodhur ato krime. Prokuroria e ka nisur procedurën, bazuar në deklaratat e tij dhe tash jemi në fazën fillestare. Kur ne e kemi nisur procedurën, ai ka qenë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Gjithçka ka funksionuar si duhet deri në një moment kur ai (Stojanoviq) ka filluar të kërkojë nga ne shërbime të caktuara, të cilat ne nuk mund t’i japim në atë program të mbrojtjes, madje as për dëshmitarin e mbrojtur, i cili për ne është i shenjtë".

"Në kontratë nuk qëndron se ne duhet t’ia punësojmë gjysmën e familjes. Nuk qëndron në kontratë që ai të jetë krye shef i policisë së Leskovcit. Esenca është se ai vet ka dalë nga programi i mbrojtjes dhe atë për të cilën na kishte premtuar se do të na jepte, nuk na e dha. Do të thotë, ne nuk mund ta shfrytëzojmë, sepse nuk kemi pasur dëshmi, të cilat na ka premtuar se do të na i japë në procedurën kundër atyre njerëzve”, ka shpjeguar prokurori serb Vekariq.

Ai ka shtuar se aktualisht është iniciuar procedura kundër Stojanoviqit sepse ai ka kërcënuar zëvendës-prokurorët për krime lufte.

Ndryshe, Stojanoviq thotë se për të gjitha krimet që kishte parë, kishte informuar ministrin e Brendshëm të Serbisë, në vitin 2000, si dhe disa organizata joqeveritare.

Por sipas tij, askush nuk kishte dashur ta dëgjojë.

“Të gjithëve ju kam drejtuar. Por, në fund, janë detyruar që si kryeshef të stacionit policor të më fusin edhe në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, kinse më është rrezikuar jeta nga ana e policëve dhe se ata mund të më vrisnin. Ata më komprometuan".

"Kur hyra në program, gruaja dhe fëmijët u traumatizuan, ndërkaq në analizën që ma bënë të gjakut, kinse është gjetur droga. Unë u thash, pse po flisni marrëzira? Ndërkaq, ata janë të gjithë kriminelë që kanë qenë në Kosovë dhe kanë vrarë e prerë popullin shqiptarë. Mu ata njerëz kujdesen për ne në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka theksuar Stojanoviq.

Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka vlerësuar se dëshmia e Slobodan Stojanoviqit, përmes medieve,është paksa e vonë.

Drejtuesi i këtij këshilli, Behxhet Shala, vlerëson se kjo dëshmi e Stojanoviqit është vetëm një mbështetje për deklaratat, materialet dhe kallëzimet penale që i kanë bërë organizatat joqeveritare nga Kosova dhe nga Serbia, për mizoritë që i kanë kryer forcat paraushtarake, policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.

Ai është dëshmitarë i dorës së parë, i cili në njëfarë mënyre është edhe pjesë e krimit, sepse ka reaguar vetëm pasi kanë kaluar më shumë se 13 vjet, ndonëse ai thotë që i ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe e ka informuar për ato që kanë ndodhë. Mirëpo, nuk e ka bërë publike. Do të thotë, kjo është një argument pas së cilit prokuroria në Beograd duhet t’i fillojë hetimet. Besoj që do të merret me rastin”, tha Shala.

Ai ka shtuar se organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe institucionet, nuk janë në pozitë që të ushtrojnë presion mbi Beogradin zyrtarë për hapjen e hetimeve lidhur me krimet e luftës.

Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne nuk jemi në pozitë që ti bëjmë presion akujt, sepse ne jemi në pozitë që i nënshtrohemi presionit. E dyta, thjeshtë, mungon vullneti politik për tu arrestuar apo gjykuar ata të cilët janë përgjegjës për krime luftë. Ata që munden, ata nuk e bëjnë këtë. Këtë mund ta bëjnë vendim-marrësit të cilët janë në Bruksel dhe në Uashington. Por, ata e analizojnë gjendjen politike dhe e shohin nëse ja vlen të merren me të kaluarën, atëherë merren. Në qoftë se jo, atëherë heshtin”, ka theksuar Shala.

Sido që të jetë, ish-pjesëtari i policisë serbe, Stojanoviq, duke folur edhe për mediat serbe, ka rrëfyer episode, siç i ka quajtur ai, të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe krimeve ndaj shqiptarëve.

Siç ka treguar ai, një person, identitetin e të cilit Stojanoviq e di, ka prerë kokat e një shqiptari dhe një shqiptareje të vdekur, duke i shndërruar ato më pas në abazhur tavoline.