Maqedoni: Gabime gjatë përdorimit të gjuhës shqipe

Ilustrim

Gjuhëtarët shqiptarë në Maqedoni thonë se institucionet shtetërore janë gjithnjë e më të papërgjegjshme kur bëhet fjalë për përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe. Kjo, sipas tyre, është rrjedhojë e mungesës së një institucioni që merret me mbrojtjen dhe kultivimin e drejtë të gjuhës shqipe.

Përdorimi i shqipes në ueb-faqet e ministrive dhe institucioneve shtetërore është në dorë të ministrave dhe udhëheqësve të atyre institucioneve.

Bashkë me largimin e ministrit shqiptar, largohet edhe shqipja nga ueb-faqja e asaj ministrie. Megjithatë, gjuha shqipe edhe aty ku përdoret, vërehen shumë gabime, jo vetëm ortografike por edhe sintaksore.

“Është fakt se shumë institucione shtetërore lëshojnë dokumente me një shqipe të pakuptueshme dhe më duhet të theksoj se nuk kemi vetëm gabime të karakterit orografik, por ka shumë gabime që kanë një sintaksë të çoroditur”.

“Unë mendoj se problemi qëndron edhe në atë se gjuha shqipe në Maqedoni nuk ka qenë e përdorur nga ana e institucioneve publike paraprakisht dhe kuptohet se kjo shpërfaq edhe këto probleme”, thotë Salajdin Salihu, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Ai thekson edhe mungesën e një komisioni të posaçëm në Ministrinë e Kulturës për licencimin e lektorëve shqiptarw siç ndodh me lektorët maqedonas.

“Duhet të kemi lektorë, të cilët do të pajiseshin me licenca të veçanta, madje edhe përkthyesit dhe kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Katedrat e Gjuhës Shqipe që funksionojnë në Maqedoni”, vlerëson Saliu.

Nga ana tjetër, Dervish Halimi, profesor universitar konsideron se pos mbrojtjes institucionale duhet të parashihen edhe dënime për të gjithë ata që firmosin përkthimet e gabuara në institucionet shtetërore.

“Nevojitet të kemi një institut më vete që do të merret me përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe dhe i cili do t`i sanksiononte të gjithë ata që nuk e përdorin drejt gjuhën shqipe, duke nisur nga mjetet e informimit, pastaj botimi i librave shkollorë, veprat letrare me kritere dhe pa kritere. Pastaj, edhe interesimi i studentëve nuk është dhe aq i madh, duhet të ketë një dënim material po edhe moral për të shmangur bastardimin e gjuhës shqipe”, konsideron Halimi, i cili ligjëron lëndën Teori e përkthimit, në USHT.

Sipas tij, problem më vete paraqet edhe përkthimi simultan që nuk plotëson as kriteret minimale.

“Përkthimi simultan kërkon investime më të mëdha materiale, kërkon mjete, të cilat universiteti vetvetiu e ka vështirë t`i sigurojë meqë laboratorët e ndryshëm janë goxha të kushtueshëm. Pastaj mungon dhe interesi te studentët, sepse është vërtet një punë shumë e vështirë”, thotë Halimi.

Por, zyrtarët shqiptarë thonë se përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe është proces jo dhe aq i lehtë, ndërkohë që sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është i angazhuar në drejtim të evitimit të gabimeve gjuhësore në dokumentet e ndryshme personale.

Zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, për Radion Evropa e Lirë thekson se Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është duke ndërmarrë të gjithë hapat dhe masat e nevojshme për evitimin dhe përmirësimin e gabimeve drejtshkrimore që paraqiten gjatë përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe nga institucionet e sistemit.

“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve, por edhe nëpunësve shtetërorë dhe atyre publik që merren me përkthim në institucionin përkatës të jenë më të kujdesshëm gjatë kryerjes së punës së tyre. Sekretariati për implementimin e Marrëveshjen e Ohrit, me qëllim të ngritjes së kapacitetit administrativ nëpër institucione, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe, realizon edhe projektin për aftësimin apo trajnimin e përkthyesve nëpër institucionet e sistemit", bën të ditur Hoxha

Ai thekson se në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe, vazhdon trajnimi i përkthyesve të inkuadruar në administratën shtetërore.

“Trajnimi për administratorët do të vazhdojë edhe më tej, veçanërisht për vendet e punës ku kërkohet përkthyes”, përfundon Hoxha.