Buxheti 2014, "sfidë" e re për Kuvendin

Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2014, cili parashihet të jetë 1 miliard e 590 milionë euro.

Ky projektbuxhet, sipas ministrit të Financave, Besim Beqaj, siguron stabilitet makro-financiar, krijon hapësirë për projekte kapitale, por edhe rritje substanciale të pagave për vitin 2014.

Beqaj, po ashtu, ka premtuar se projektbuxheti për vitin 2014, do të shënojë rritje edhe për sektorin e shëndetësisë, bujqësisë dhe arsimit. Ai, madje, këtë projektbuxhet e ka quajtur si buxhetin më stabil në nivel rajonal, i cili shënon rritje ekonomike edhe për vitin e ardhshëm.

“Ne kemi siguruar masë monetare, e cila do të mundësojë rritjen e pagave. Sigurisht, se ky vendim do të jetë vendim meritor për të gjithë njerëzit në Republikën e Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me institucionet publike. Dhe, ky vendim do të jetë i Qeverisë dhe do t’u njoftojmë me kohë për vendimin kur dhe sa do të rriten. Por, stabiliteti buxhetor na mundëson që të kemi rritje meritore për pagat për vitin 2014 dhe të vazhdohet edhe më tutje”, ka thënë Beqaj.

Në projektbuxhetin për vitin 2014 janë paraparë, 484 milionë euro në llogarinë e pagave, apo 45 milionë euro më shumë se gjatë këtij viti, që kanë qenë 439 milionë për paga.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, ndërkaq ka shpjeguar se me këtë projektbuxhet mundësohet vazhdimi i autostradës Prishtinë – Shkup.

“Është buxhet, i cili mundëson projektin e vazhdimit të autostradës në drejtim të Shkupit, zgjerimin e rrugëve në drejtim të Mitrovicës dhe Pejës, si dhe kapaciteteve tjera”
, ka shpjeguar Beqaj.

Pavarësisht miratimit të projektbuxhetit nga Qeveria e Kosovës, ky dokument nuk duket se do të kalojë lehtë në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi tri seancat e fundit të Kuvendit kanë dështuar për mungesë kuorumi.

Në këto seanca, kryesisht është trajtuar çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Deputetja Hikmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se seancat mund të vazhdojnë vetëm nëse Partia Demokratike e Kosovës, pranon që të formohet Komisioni hetimor në lidhje me shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LDK-së, që seanca të mos vazhdojë me pikat e tjera, pa u përfunduar pika që ka mbetur pezull për shkak të mungesës së kuorumit, për formimin e grupit hetimor parlamentar për hetimin e tendencës për privatizim të PTK-së. Ky është një lloji ngërçi, pasi ne, partitë opozitare, po kërkojmë të formohet një Komision hetimor derisa partia në pushtet dhe koalicioni po i frikohen formimit të këtij komisioni”, është shprehur Bajrami.

Por, lidhur me këtë, ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë:

“Buxheti i Kosovës është buxhet i qytetarëve, i Qeverisë, është buxhet i Kuvendit, është buxhet i zhvillimit. Dhe, unë dua të besoj se të gjithë do ta shohin perspektivën në momentin kur të shkojë buxheti për t’u diskutuar. Do të shihet brenda buxhetit, kush e merr dhe e lexon me kujdes, që ky buxhet është një ndër buxhetet më stabile në nivelin rajonal që shënon rritje ekonomike”.

“Këto janë veprime shtetërore, veprime në të mirë të qytetarëve dhe unë besoj se edhe Kuvendi, por edhe qytetarët, do të reflektojnë si të tillë, dhe jam shumë i bindur se buxheti do të kalojë”
, ka theksuar Beqaj.

Shuma e projektbuxhetit për vitin 2014, nuk vërehet shumë nga buxheti i këtij viti. Buxheti i këtij viti ka qenë 1 miliard e 586 milionë euro, përderisa për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 1 miliard e 590 milionë euro.