Kosova pret ende FIFA-n për miqësoret

Ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës pret që deri më 5 dhjetor të sqarohen dilemat e homologes së saj serbe, dhe të hiqet ndalesa për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses kosovare të futbollit.

Fadil Vokrri që drejton këtë federatë tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo përshtypje e forcon edhe më shumë pas takimit që zhvilloi në Zvicër me homologun e tij serb Tomisllav Karaxhiq.

Pas kthimit nga Zuerich-u, ku ishte takuar për herë të parë me kolegun e tij serb, Vokrri thotë se një rrugë e ndërmjetme për Kosovën është propozuar në këtë takim, për të lënë sportin kosovar jashtë kufijve.

“Ne nuk mund të pranohemi derisa të pranohemi në FIFA pa u bërë anëtare në OKB, sepse ashtu shkruan statusi i UEFA-së. Mirëpo çka deri në pranim? Një rrugë intermediere është zhvillimi i ndeshjeve miqësore me të gjitha kategoritë! Ne presim që pas këtij takimi dhe mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së të lejohet reprezentacioni A”, thotë Vokrri.

Me ndërmjetësimin e drejtuesit të FIFA-s Sep Blatter, kryetarët e dy federatave ishin takuar në Zuerich ditën e martë.

Pas takimit që si pikë diskutimi kishte lejimin e zhvillimit të futbollit të Kosovës, shtëpia botërore e futbollit e kishte vlerësuar dialogun mes palëve si “frytdhënës”.

Nga Beogradi Tomisllav Karaxhiq konfirmon atë që homologu i tij kosovar thotë.

Çështja e ndeshjeve miqësore në Kosovë, si ato të reprezentacionit ashtu edhe të klubeve, sërish do t’i vihen në rend dite në fund të nëntorit. Ata [FFK-ja] kanë insistuar që të luajnë ndeshje miqësore kualifikuese me emblema dhe me himn, por kjo krejt ka rënë në ujë, dhe z. Blatter e ka bërë të ditur qartë, se kjo nuk është e mundur”, thotë kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë Tomisllav Karaxhiq.

Njoftimi i FIFA-së i lëshuar pas takimit të 29 tetorit mes FFK-së dhe FFS-së, thotë se dy palët janë pajtuar që “të diskutojnë mjetet potenciale për promovimin e futbollit në Kosovë, e cila për objektiv ka gjetjen e një zgjidhjeje nga e cila do të përfitonin të dy palët”.

Qeveria e Serbisë në saje të politikës së saj karshi Kosovës, ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që në arenën ndërkombëtare të bëjnë çmos për të parandaluar zhvillimin e çdo segmenti kosovar.

Të njëjtën politikë e ndjek edhe Federata e Futbollit të Serbisë, thotë Fadil Vokrri.

“Normal që ata i kanë disa qëndrime të tyre që nuk vijnë nga sporti, por nga politika e tyre. Dhe ne duhet të kemi mirëkuptim edhe për ta. Mirëpo ne i kemi punët e tona. Ato janë të ndara nga Serbia dhe ne vazhdojmë rrugën tonë”, thotë me këmbëngulje Vokrri.

Ai shpjegon se edhe federata serbe i ndjek këto takime në aspektin sportiv, edhe pse në fund po ndikon politika.

“Po ne si dy federata e shohim kryekëput sportiv, mirëpo duke e marr parasysh që qeveria e Serbisë gjithnjë ka ndikuar në federatat sportive, atëherë mund t’i jepet edhe konotacion politik”, shton ai.

Mirëpo për Tomisllav Karaxhiq, që në takimin e parë pala serbe e ka bërë të qartë se vijat politike nuk guxojnë të tejkalohen.

“Përfundimi i parë është që nga rendi i ditës është heq definitivisht luajtja e ndeshjeve zyrtare në gara ndërkombëtare. Përderisa Kosova gjendet në statusin në të cilin është, pra derisa OKB-ja të mos e pranoj. Deri atëherë kjo temë nuk hapet më".

"Ndeshjet miqësore mund të luhen në ato shtete të cilat e ftojnë reprezentacionin e Kosovës. Një vendim i tillë ekziston, por pa emblema shtetërore sepse nuk ka bazë ligjore e cila në një mënyrë tjetër do të lejonte që të luhen ndeshjet e tilla”, tha Karaxhiq.

Dy federatat pritet të ftohen për një raund të dytë diskutimesh në Zvicër më 28 ose 29 nëntor, për të vulosur pajtimin eventual për ndeshjet miqësore.

Nga ky takim do të del edhe rekomandimi që Jozef Sep Blatter do t’ia paraqes Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së që mblidhet me 5 dhjetor.