Pak kushte, edhe më pak interesim për sport

Ilustrim

http://www.evropaelire.org/externalaudio-FLRM/Audio/1024362.html
Rinia kosovare, gjithnjë e më shumë, thuhet se merret me aktivitete të ndryshme, por ato sportive mungojnë, pasi që, siç shprehen edhe vetë ata, ka mungesë të qendrave sportive.

Një pjesë dërmuese e të rinjve të anketuar për rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, thonë se shkak i kësaj mangësie në sport, janë moskrijimi i kushteve, për të cilat është dashur t’i kujdesen institucionet.

Gjeneratat e reja kritikojnë vetë të rinjtë se nuk merren sa duhet me aktivitete sportive, por kohën e lirë e kalojnë në kompjuter, kafiteri dhe duke humbur kohë pranë ekraneve.

Petrit Hajrizi, studion Matematikë në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Prishtinës. Petriti thotë se të rinjtë duhet të kenë interesim më të madh për sportin.

“Mendoj se të rinjtë merren me sport më pak se sa që duhet. Ndoshta nga 100 për qind e rinis, diku 45% e tyre nuk merren me sport. Unë nisem nga vetja ime, nuk kam kohë, fakulteti, dhe shumë obligime tjera. Por, besoj se nuk jemi edhe shumë keq në këtë drejtim si të rinj”, thotë Petriti.

Kurse, Bujar Nebihu, po ashtu student, por që studion për Gjeografi, tregon se nuk merret me ndonjë sport pasi që mendon se nuk ka talent në këtë drejtim.

“Mundësitë janë shumë të vogla për t’u bërë sportist cilësor, edhe pse kemi talente, por shkolla dhe klube të mirëfillta nuk kemi. Unë nuk kam talent për ndonjë sport”, shprehet Bujari duke qeshur dhe duke mos dashur të flasë më shumë për temën.

I riu Elion Bytyçi, nga Prishtina, i cili studion për Ekonomi, shprehet:

“Aktivitetet dhe mundësitë nuk janë edhe shumë të mëdha dhe nuk ka përkushtim të madh për aktivitete sportive. Sa i takon vendit tonë, nuk mund të them që ka diçka dhe se mund të arrijë dikush një nivel të lartë në sport, si në vendet e tjera”.

Kurse, Erdan Krasniqi, nxënës i shkollës së Mesme Teknike, mendon se të rinjtë merren me sport vetëm në orët e detyrueshme të Edukatës Fizike, në shkolla, një apo edhe dy herë në javë.

“Ka sporte të mira në Kosovë, si futbolli, basketbolli, po unë nuk merrem me asnjë aktivitet sportiv. Nuk e di pse, por nuk me pëlqen”, tregon Erdani.

Ndërkaq, Erida Kushumlia, e cila është studente në Fakultetin e Edukatës Fizike, thotë se të rinjtë shumë pak merren me sport.

“Merrem me skijim, volejboll. Të rinjtë, në përgjithësi, me aktivitete sportive merren shumë pak. Në fakultet, te ne, me aktivitete sportive merren më shumë djemtë, kurse vajzat jo shumë”, thekson Erida.

Edhe Arlinda Uka mendon ngjashëm;

“Të rinjtë nuk kanë interesim që të merren me aktivitete sportive dhe kjo mendoj se nuk është gjë e mirë”.

Thuhet se marrja me aktivitete sportive në moshë të re ndihmon pozitivisht shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të mendjes dhe trupit.

Studiuesit rekomandojnë se jo vetëm të rinjtë, por edhe gjeneratat më në moshë, duhet të praktikojnë të paktën një orë në ditë aktivitete sportive.