Institucionet mikrofinanciare me kamata më të larta se bankat

Ilustrim

Në Kosovë operojnë 14 institucione mikrofinanciare, me mbi 110 degë. Këto institucione janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta. Ndërkaq, disa nga to, japin gati të gjitha llojet e kredive që ofrojnë edhe bankat komerciale.

Ekspertë për çështje ekonomike, i konsiderojnë stabile këto institucione, por normat e kredisë, sipas tyre, janë jashtëzakonisht të larta.

Kjo për faktin se në fillim këto institucione regjistrohen si organizata joqeveritare dhe nuk kanë obligim tatimore që paguajnë bankat komerciale.

Safet Merovci profesor i Ekonomisë, në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë, thekson se këto institucione vetëm emrin e kanë mikrofinanciare, sepse rolin e luajnë sikurse bankat komerciale.

“Këto, nga Organizatat Joqeveritare, si mikro-financa tashmë, kanë kaluar në rolin e bankave komerciale. Këto janë rritur dhe zhvilluar pa paguar si OJQ, pa paguar asnjë tatim mbi fitim, ose tatimet tjera që lindin nga veprimtari tjera ekonomike komerciale. Këto vetëm emrin nuk e kanë, përndryshe, normat e interesit dhe provizionet tjera i kanë më të larta se në bankat komerciale”, thotë Merovci.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi, shpreh dyshimin për prejardhjen e kapitalit që kanë institucionet mikrofinanciare, pasi, sipas tij, nuk ka një transparencë të plotë se cili është burimi i kapitalit themelues dhe operimi i tyre.

Gashi thotë se në shumicën e vendeve të botës, institucionet mikrofinanciare luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe ekonomive familjare, ndërkaq në Kosovë ndodh e kundërta.

“Fatkeqësisht, kjo në Kosovë nuk po ndodh, pasi institucionet mikrofinanciare operojnë me kamata të ngjashme dhe më të larta se sa bankat komerciale në Kosovë. Dhe, ato nuk janë duke e luajtur rolin, të cilin është dashur të luajnë në një ekonomi të tregut”, vlerëson Gashi.

Sidoqoftë, sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës, normat e kredive në institucionet mikrofinanciare sillen mbi 22 për qind.

Gashi konsideron se kamata është shumë e lartë, por megjithatë procedurat e marrjes së kredive janë më të lehta se sa në bankat komerciale.

“Kamatat e kredive janë jashtëzakonisht të larta. Dhe, arsyetimi i tyre i vetëm është se ato kanë procedura më të lehta për qasje në kredi, sesa bankat komerciale, të cilat janë më rigoroze në dhënien e kredive, për shkak të riskut të tyre për kthimin e kredive”, shpjegon Gashi.

Edhe profesori Safet Merovci, i vlerëson të larta dhe joreale normat e interesit të kredive.

“Në 1000 euro, një bankë komerciale për normë të interesit ka marrë 59 euro, ndërsa një mikro-financë për shërbime financiare i ka marrë 62 euro. Prandaj, normat janë jashtëzakonisht të larta”, pohon Merovci.

Një qytetar nga Prishtina, Besnik Berisha, thotë se ka qenë i interesuar për kredi në këto institucione, por edhe në bankat komerciale. Ai thotë se kamatat janë ekstreme. Berisha, institucionet financiare në vend, i quan institucione legale ku jepen fajdetë.

“Në përgjithësi, bankat në Kosovë nuk e luajnë rolin e bankave, por më mirë do të ishte të quhen zyre ku jepen fajdetë legale, sepse kamatat janë shumë të larta. E të mos flasim për institucionet mikrofinanciare, ku kryesisht japin fajde. Këtu kamatat për kredi janë ekstreme”, shprehet Besnik Berisha.

Në ueb-faqet zyrtare të disa prej institucioneve mikrofinanciare në vend, thuhet se ofrojnë disa lloje të kredisë, duke filluar nga kredia për biznes e deri tek ato për bujqësi.

Shumat e kredive fillojnë nga 100 deri në 25 mijë euro, me afat kthimi deri në 60 muaj, varësisht nga institucioni mikrofinanciar dhe lloji i kredisë. Ndërkaq, karakteristikë në këto institucione mbetet se nuk kërkohet llogari bankare, procedurat e marrjes janë të shpejta, ndërkaq pagesa e kësteve mund të realizohet edhe në baza javore.