Hajdari: Jemi të gatshëm për marrjen e kompetencave nga EULEX-i

Drita Hajdari

EULEX-i na ka ndihmuar, mirëpo mendoj se ne jemi të gatshëm për marrjen e kompetencave të plota nga EULEX-i, sa i përket lëndëve të korrupsionit, meqenëse kjo është jo vetëm detyrë por edhe përgjegjësi e jona, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Drita Hajdari, koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hajdari korrupsionin në Kosovës në shumë raporte ndërkombëtar është cilësuar si kancer i shoqërisë kosovare. Çfarë po bënë prokuroria për luftimin e kësaj dukurie?

DRITA HAJDARI
Mua më vjen shumë keq për këto vlerësimet e fundit që kanë të bëjnë me nivelin e korrupsionit në Kosovës. Mirëpo, prokuroria bën përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, dhe kësaj dukurie i kemi dhënë prioritet në zgjidhjen rasteve. Për momentin në departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë janë angazhuar 4 prokurorë të cilët ekskluzivisht merren me lëndët e korrupsion.

Kemi arritur që t’i zgjidhim disa raste të mëdha, mirëpo përkundër përpjekjeve tona edhe me tej kemi një numër të madh të lëndëve që janë në procedurë. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se për shkak të natyrës së tyre këto lëndë vështirë hetohen dhe marrin kohë.

Atë që dua të theksoj më këtë trastë është se ne kemi vendosur që në të ardhmen të punojmë më tepër drejt të konfiskimit të pasurisë së përfituar me anë të veprës penale, në mënyrë që të mos lejojmë që kryerësit të pasurohen nga vepra penale. Kjo do të thotë se në të ardhmen ne do të përpiqemi që ta identifikojmë pasurinë e përfituar me vepër penale do ta bllokojmë dhe do ta konfiskojmë. Kjo do të jetë detyra jonë primarë për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni se ka numër të madhe të lëndëve që do të shqyrtohen, a do të thotë kjo se ka rritje të nivelit të korrupsionit?

DRITA HAJDARI
Unë, nuk kam vërejtur se ekziston ndonjë rritja sa i takon lëndëve që arrijnë në prokurori. Ato janë të përcjella me një nivel të rëndomtë, nuk kam vërejtur ndonjë rritje, mirëpo siç e thash për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të këtyre lëndëve ato me të vërtetë marrin shumë kohë.

RADIO EVROPA E LIRE
Agjencia Kundër Korrupsionit po vazhdon me kritikat e saj kundër prokurorisë se nuk po punohet sa duhet në shqyrtimin lëndëve të dyshuar për korrupsion. Ku është problemi në ketë drejtim?

DRITA HAJDARI
Ne e konsiderojmë Agjencinë Kundër Korrupsionit si partner në luftimin e korrupsionit, mirëpo jam e mendimit se agjencia duhet të përqendrohet më tepër në rolin e saj në parandalimin e korrupsionit dhe zhvillimin e kulturës anti-korruptive.

Ndërsa hetimin t’ia besojë prokurorisë e cila është bartëse e vetme të hetimeve për vepra penale. Disa herë kam theksuar dhe do ta përsërisë edhe me ketë rast se prokuroria nuk i bën aktakuzat sipas dëshirave të dikujt, por në bazë të provave dhe proceduarave të përcaktuar me ligj.

Agjencia Kundër Korrupsionit më shumë merret me çështjen e hetimeve ndërsa dihet roli i kufizuar i agjencisë në ato hetime të ashtuquajtura administrative. Me fjalë të tjera agjencia i pranon informatat për rastet korruptive i mbledhë dokumentet nuk ka të drejt të intervistojë, nuk ka të drejtë me zhvillu hetime të tjera se ato janë kompetencat e prokurorisë dhe pas grumbullimit të informatave fillestare kallëzimin penal e dërgon në prokurori mandej prokuroria e kryen panëne e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpesh thuhet nga shoqëria civile se sistemi i drejtësisë në vend është i ndikuar nga politika dhe korrupsioni. A jeni ju në dijeni për diçka të tillë?

DRITA HAJDARI
Dihet se prokuroria është organ plotësisht i pavarur nga politika, funksionalisht dhe materialisht, andaj nuk ekziston asnjë bazë e arsyeshme se prokurori a është në ndikimin e politikës.

Në rast se ka ndodhur ndonjë rast i tillë unë kisha dashur që shoqëria civile të dalë me informata konkrete për rastin e jo të flas në mënyrë paushall me çka gabimisht në opinion krijohet bindja se kjo është dukuri në punën e prokurorisë. Në prokurori ekziston kontrolli i brendshme dhe në raste të tilla nëse raportohen këto raste mund të jenë objekt i ndonjë hetimi tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur që t’i marrë të gjitha kompetencat nga EULEX-i. Ju në prokurori a jeni të gatshëm që të ballafaqoheni në rastet më të renda të korrupsionit (nivelit më të lartë)?

DRITA HAJDARI
Ne edhe deri më tani kemi pasur raste të rënda të korrupsionit, raste të nivelit të lartë sa i përket funksionit të zyrtarëve publikë dhe shumave të cilat i kemi hetuar në raste konkrete të korrupsionit dhe nuk shoh arsye se pse nuk do ta kishim bërë këtë edhe në të ardhmen.

EULEX-i na ka ndihmuar, mirëpo mendoj se ne jemi të gatshëm për marrjen e kompetencave të plota nga EULEX-i, sa i përket lëndëve të korrupsionit, meqenëse kjo është jo vetëm detyrë por edhe përgjegjësi e jona.