Fushatë e re me premtime të vjetra

Prishtinë, foto nga arkivi

Partitë politike e kanë marrë me seriozitet fushatën për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, premtimet dhe ofertat e subjekteve politike nuk paraqesin ndonjë risi për votuesin.

Kurse, prania e shtuar e liderëve partiak në shumicën e tubimeve shihet si skenar që Kosova po shkon edhe drejt zgjedhjeve parlamentare.

Publicisti dhe analisti nga Prishtina Belul Beqaj thotë se votuesi në Kosovë po dëgjon premtime e skenare tashmë të dëgjuara edhe nga fushatat paraprake.

“Kemi paraqitjet e kandidatëve të cilët po riciklojnë vetveten dhe programet e tyre dhe ky do të ishte ndoshta emëruesi i përbashkët pak a shumë i të gjithëve, me përjashtim të Partisë së Fortë e cila ka një koncept diametralisht tjetër”, ka thënë Beqaj.

Ndërkohë, Shqipe Pantina nga Qendra për Politikë dhe Avokim, mendon se premtimet që dëgjohen në vazhdimësi nga liderët nëpër tubime zgjedhore, paraqesin edhe një lloj paradoksi, pasi që lënë përshtypjen se bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare dhe jo lokale.

Por, një frymë dhe atmosferë e tillë, sipas Pantinës, mund të jetë në funksion të përgatitjes edhe për procesin e ardhshëm zgjedhor në nivel qendror që mund të ndodhë që në pranverën e ardhshme.

“Më shumë i shohim liderët e subjekteve politike duke bërë fushatë sesa kandidatët për kryetar të komunave apo ata për asambletë komunale. Shpesh herë krijohet përshtypja se ose është kjo një lloj parafushatë e hershme zgjedhore për zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen në pranverë apo edhe një lloj shqetësimi se do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse e gjithë fushata gati se po zhvillohet nga zyrtarët e nivelit qendror”, ka thënë Pantina.

Në anën tjetër, Belul Beqaj konsideron se ka edhe tendenca nga disa kandidat që të ofrojnë premtime sa më bindëse për qytetarët. Por, megjithatë, ai beson se shumë çka mbetet ende në dilemë nëse këto janë oferta konkrete apo improvizime.

Ka tendenca të cilat mund ta bindin qytetarin se kandidatët, ndoshta në mënyrë shumë më serioze po trajtojnë problemet e natyrës pragmatike, duke u nisur nga çështja e kërkesave ekzistenciale, ujit, ngrohjes e kështu me radhë, por duket se këto janë më tepër produkt i improvizimeve sesa produkt i perceptimit të tyre se nëse vijnë në pushtet do të zgjidhin problemet që preokupojnë qytetarët”, është shprehur Beqaj.

Nga ditët e para të fushatës, Shqipe Pantina ndalet sidomos në disa premtime të kreut të qeverisë së Kosovës për komuna të caktuara.

Ajo thotë se premtime të tilla nuk është dashur të ndodhin në një fushatë që mendohet të zhvillohet në atmosfere fer e demokratike.

Deri tash ofertat, apo premtimet kanë qenë megalomane dhe jo realiste e në veçanti premtimet me kesh që i bën kryeministri. Është e vërtetë që buxheti i komunave varet më shumë nga grantet qeveritare sesa nga të hyrat vetanake që ato krijojnë, por sidoqoftë mendoj se nuk është e ndershme të ofrohen investime për komunat ku partia e tij do t’i fitonte zgjedhjet”, vlerëson Pantina.

Nga ditët e para të fushatës, si zhvillime pozitive që deri më tani vërehen janë mos përdorimi i fëmijëve nëpër tubime si dhe mungesa e incidenteve që do të prishnin atmosferën zgjedhore nëpër komuna.