Përvoja e deritashme me fushatat për zgjedhje si dhe deklaratat e politikanëve gjatë këtyre fushatave, kanë bërë që të mos i kushtohet shumë vëmendje fushatës së tanishme për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në vend, vlerësojnë disa të rinj, studentë në universitetet e Prishtinës.
Në rubrikën tonë të përjavshme, VOX, shumica prej të rinjve vlerësojnë se është humbje kohe t’i kushtohet vëmendje fushatës për zgjedhjet, por ndër ta ka edhe të tillë që vlerësojnë se fushatat duhet të përcillen dhe premtimet e politikanëve të besohen racionalisht.
Driton Morina nga Suhareka thotë se mosbesimi në politikanët e vendit bën që fushatës zgjedhore t’i kushtojë vëmendje fare pak.
“Shumë pak e përcjelli fushatën zgjedhore dhe nuk iu besoj premtimeve të politikanëve tanë. Në zgjedhjet paraprake gjithmonë kanë dhënë premtime dhe ato shumë pak janë mbajtur. Për të rinjtë s’ka ku shkon më keq. Papunësi e madhe, ndërkaq premtime japin për punë, por nuk ka asgjë. Të them të drejtën, nuk e besoj që do të dal të votoj”, shprehet Dritoni.
Faton Krasniqi nga Rahoveci thotë se nuk i interesojnë fare fushatat e partive politike për zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse është zhgënjyer nga ato paraprake.
“Jo, sepse kemi punë të tjera dhe nuk na del shumë kohë për t’u marrë me fushatat. Tash është duke u mbajtur një e tillë pak më tutje, por nuk më intereson. Shumë premtime, shumë njerëzve u thotë se e bëj këtë ose atë, por nuk bëjnë asgjë”, pohon Fatoni.
Teuta Shala nga Prishtina thotë se tashmë ka mbushur 18 vjet dhe se e ka fituar të drejtën për të votuar. Por, ajo tashmë është mjaft e sigurt se nuk do të votojë fare mu për faktin e premtimeve, siç i quan ajo, të kota të politikanëve, të cilat i shkaktojnë nervozë .
“Nuk dal fare për të votuar. Nuk më bën kurrë farë përshtypje as fushata, sepse së pari, para zgjedhjeve japin shumë premtime e pas zgjedhjeve nuk janë askund. Kjo është edhe arsyeja pse nuk dal të votoj. Si të mos nervozohesh me ta? Nervozohesh me premtimet e tyre, sepse janë të kota”, shprehet e bindur Teuta.
Edhe Veton Kryeziu nga Klina, thotë se fushata zgjedhore më tepër i krijon shqetësime se sa ndonjë interesim për ta përcjellë atë:
“Nëse e ndez televizorin ndonjëherë, aty për aty ke për të parë ndonjë reklamë nga politikanët ose ndonjë parti e caktuar. Do të thotë, nuk ka asgjë tjetër përveç fushatë dhe kjo më pengon shumë, sepse me ato para që shpenzohen në fushatë, do të mund të realizohej diçka për rini ose për diçka më fitimprurëse. Unë vij prej Klinës dhe të them të drejtën për rininë këtu kanë bërë shumë pak, ose fare”.
Aulona Balaj nga Prishtina thotë se nuk ka asnjë arsye të fortë që t’ju besojë premtimeve të politikanëve në fushatën për zgjedhje, si dhe fushatës nuk i kushton vëmendje fare.
“Nuk e kam ndërmend të votoj dhe nuk është në interesin tim fushata. Është e drejtë e imja të votoj, por unë kam vendosur të mos e bëj këtë, sepse nuk u besoj premtimeve dhe gjithmonë premtimet që i kanë dhënë, nuk i kanë mbajtur. Më së shumti që më bën nervoz është se gjatë fushatës parazgjedhore shfrytëzojnë çdo gjë për të marrë votën”, thekson Aulona.
Por, ndryshe mendon Samir Krasniqi nga komuna e Rahovecit. Sipas tij, duhet kushtuar vëmendje premtimeve të politikanëve gjatë fushatës për zgjedhje.
“Po, i shikojmë nga pak. Na interesojnë premtimet që bëhen dhe sa janë të realizueshme ato në jetën e përditshme. Disa janë e disa nuk janë për t’u besuar. Varet prej liderëve që konkurrojnë për komuna. Ka liderë që shumë premtime i realizojnë, por ka edhe të tillë që nuk merren fare me ato premtime që i kanë bërë gjatë fushatës”, thotë Samiri.
...na ‘bombardojnë’ për një muaj, e pastaj na ‘mjelin’ për katër vjetët e ardhshëm',
Ndërkaq, Valdrin Krasniqi, shpreh mendimin se të rinjtë deshën apo nuk deshën, nuk mund t’i ikin atmosferës që krijon fushata zgjedhore. Megjithatë, sipas tij, të rinjtë duhet të jenë racionalë në perceptimin e premtimeve që i bëjnë politikanët gjatë fushatës.
“Mendoj se fushata parazgjedhore, në njëfarë mënyre edhe na imponohet me këto billborde e reklama që i kemi çdo ditë, për një muaj, në televizion apo rrugë. Kështu që të imponohet, deshe apo jo. Mendoj se duhet t’iu besohet gjithmonë me atë dozën e skepticizmit se jo gjithçka që thuhet në fushatë, realizohet në praktikë. Mirëpo, më shumë është një mënyrë për t’i bindur qytetarët që të inkuadrohen në fushatat e këtyre partive. Prapë se prapë, na ‘bombardojnë’ për një muaj, e pastaj na ‘mjelin’ për katër vjetët e ardhshëm”, shpreh mendimin e tij Valdrini.