Liderët e veriut me fushatë kundër zgjedhjeve

Fotografi nga arkivi

I ashtuquajturi Kuvend i përkohshëm i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, të cilin përfaqësuesit e serbëve të veriut e patën themeluar në fillim të muajit korrik të këtij viti, tashmë ka nisur fushatën kundër zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

Këtë e konfirmoi lideri i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, i cili tha për Radion Evropa e Lirë se ky i ashtuquajtur kuvend, ka vendosur që të themelojë shtabin kundër zgjedhjeve dhe për bojkotimin e tyre. Sipas tij, fushata kundër zgjedhjeve ka nisur ditë më parë.

“Fushata kundër zgjedhjeve, ka nisur para shtatë ditësh, me vendosjen e panove me mbishkrime. Fushatën kundër zgjedhjeve e udhëheqë, para së gjithash, Kuvendi i përkohshëm Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Ajo krejtësisht financohet me mjetet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë'.

"Në kuadër të kësaj fushate kundër zgjedhjeve hyjnë: vendosja e panove me mbishkrim, pllakateve, bisedimi me popullin dhe sqarimi se çfarë do të thotë dalja e serbëve në zgjedhjet lokale me regji të Atifete Jahjagës. Me siguri që shtabi do të vendosë që të shkohet nga një shtëpi te tjera dhe t’iu shpjegohet njerëzve se nuk duhet të dalin në këto zgjedhje”,
theksoi Jakshiq.

Por, sipas tij, megjithatë i ashtuquajturi kuvend, ka rekomanduar që të mos ushtrohet asnjë formë e dhunës ndaj atyre qytetarëve që mendojnë ndryshe.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit u kanë bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, duke theksuar se bojkotimi i këtyre zgjedhjeve do të ishte në dëm të vetë serbëve që jetojnë në Kosovë, por edhe në dëm të shtetit të Serbisë.

Aleksandër Vulin, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë, u ka thënë mediave se bojkotimi i zgjedhjeve të 3 nëntorit nga ana e serbëve të veriut, do ta zvogëlonte ndikimin e shtetit të Serbisë në Kosovë.

“Kushdo që merr pjesë në bojkot, duhet ta dijë se e merr mbi vete një përgjegjësi shumë të madhe historike dhe mund të sjellë deri tek ajo që në veri të Kosovës, në pushtet të vijnë njerëzit që konsiderojnë se Prishtina është më e afërt se Beogradi. Kjo është e mundur".

"Më 3 nëntor do të mbahen zgjedhjet në hapësirën e Kosovës. Në këto zgjedhje mund të fitojë kushdo qoftë. Do të fitojnë ata që konsiderojnë se Beogradi është kryeqyteti ynë ose ata që do të konsiderojnë se Prishtina është kryeqyteti ynë. Ata që i bojkotojnë zgjedhjet le ta dinë se do t'u ndihmojnë atyre që konsiderojnë se Prishtina është kryeqyteti”
, tha Vulin.

Por, lideri i serbëve të veriut, Jakshiq shprehu bindjen se shumica e serbëve në veri janë kundër zgjedhjeve. Ai i quajti mashtrime thirrjet dhe argumentimet e Beogradit zyrtar që zgjedhjet e nëntorit në Kosovë të mos bojkotohen nga serbët.

“Mendoj se ky është një mashtrim. Ne kemi pasur porosi të llojllojshme nga përfaqësuesit e autoriteteve zyrtare dhe ato të gjitha kanë pasur për qëllim që t’i mashtrojnë serbët që jetojnë në këtë hapësirë. Duke pasur parasysh gjithë këtë, më duhet të them se Beogradit zyrtar asgjë nuk i besohet, sepse gjatë këtyre viteve e deri më sot, krejt çfarë kanë thënë, kanë mashtruar. Çfarëdo që të flasin tash e tutje, serbët që jetojnë në këto hapësira nuk do t'u besojnë”, u shpreh Jakshiq.

I ashtuquajturi Kuvend i përkohshëm i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë nuk është i njohur nga Beogradi. Vulin ka theksuar se për autoritetet në Serbi ky kuvend nuk ekziston legalisht.

“Është interesante kur flitet për atë kuvend, se ata që më së shumti insistojnë për respektimin e rendit kushtetues të Serbisë, mu ata e pranojnë institucionin, të cilin Republika e Serbisë dhe Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë asnjëherë nuk e ka verifikuar dhe nuk e ka pranuar se ekziston".

"Nuk mund ta respektoni ligjin vetëm kur ju konvenon, e të mos e respektoni kur nuk ju konvenon. Shteti i Serbisë e ka thënë atë që ka pasur për të thënë. Secili që i respekton ligjet e Republikës së Serbisë, me ato ligje duhet të shërbehet dhe t’i pranojë. Gjithçka tjetër, pra edhe bojkoti, në fund të fundit, çojnë drejt asaj që roli i Serbisë të zvogëlohet dhe zhduket dhe t’ju pamundësohet që të jetoni në Kosovë”,
porositi Vulin.

Ndryshe, Jakshiq ritheksoi se fushata kundër zgjedhjeve të nëntorit në Kosovë do të vazhdojë. Sipas tij, nuk ekziston ndonjë përçarje ndërmjet serbëve në veri të Kosovës. Por, siç tha ai, ekziston përçarje e thellë ndërmjet këtyre të fundit dhe Beogradit zyrtar, për shkak të mungesës së besimit tek autoritetet e shtetit serb.