Rasti Kleçka: Të pafajshëm

Your browser doesn’t support HTML5

Lirimi i Fatmir Limajt dhe të tjerëve (Video: RFE/Fatmir Aliu)

Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, janë shpallur të pafajshëm.

Procesi në atë që njihet si "rasti Kleçka" merr fund me këtë vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, se trupi gjykues kishte konsideruar se "lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë".

Akuza në këtë rast, mbështetet kryesisht mbi dëshmitë e Zogajt, i njohur edhe si Dëshmitari X. Në muajin shtator të vitit 2011, ai kreu vetëvrasje në Gjermani. Për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.

Megjithatë, EULEX pohon në komunikatë se "trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera".

"Në përgjithësi, trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza".

Në komunikatë thuhet gjithashtu se trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se "në vitin 1999, UÇK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë; disa të ndaluar ishin keqtrajtuar gjatë mbajtjes së tyre në Kleçkë; Dragoljub Tanaskoviq, Zharko Filipoviq, Zhivota Todoroviq, Dragan Vuçetiq dhe Bojan Cvetkoviq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë; Veljko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KEQ01 në fshatin Kleçkë; Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur".

Ndryshe, Fatmir Limaj menjëherë pas lirimin si i pafajshëm para mediave, u shpreh:

“Shpreh mirënjohje dhe falënderim ndaj të gjithë atyre qytetarëve, të cilët kanë pasur besim në fjalët tona, kanë pasur besim në luftën tonë çlirimtare, kanë pasur besim në drejtësinë tonë dhe në atë që kemi thënë! Pas një procesi të gjatë shterrues, trupit gjykues i shpreh mirënjohje që mbi bazën e provave dhe fakteve erdhi deri te verdikti që shpalli të pafajshëm gjithë bashkëluftëtarët dhe mua. Unë nuk kam çka them, ju mediat shikoni çka kam thënë para tre vjet e gjysmë. Gjykata edhe një herë e vërtetoi atë që kam thënë”.

Qytetarët e mbledhur para ndërtesës ku po jepej verdikti për "Rastin Kleçka"

Kurse, avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, tha se shpallja e verdiktit nga trupi gjykues që Limaj dhe të tjerët, të pafajshëm, është një fitore e madhe për drejtësinë.

“Kjo është një fitore e madhe e drejtësinë, sepse drejtësinë e ndajnë gjykatat dhe jo prokurorët apo organet e ndjekjes. Mendoj se gjithçka është kryer ashtu siç është dashur të kryhet dhe bazamenti i këtij rigjykimi ka qenë edhe aktgjykimi lirues i majit të vitit të kaluar. Besoj se Fatmir Limaj, por edhe bashkëluftëtarët tij kanë të drejtë që më në fund të gëzojnë paqen në Kosovën, për të cilën kanë luftuar dhe shpresojmë se ky është përfundimi i të gjitha proceseve kundër ushtarëve të UÇK-së”, u shpreh Gashi.

Rruga gjyqësore

Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, për vepra të cilat thuhej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja.

Në muajin mars të vitit 2011, prokurorët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, lëshuan një urdhër arresti për deputetin Limaj, i cili gjatë luftës ishte një nga komandantët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza kundër zotit Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij u konfirmua më 2 shtator 2011.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, më 30 mars të vitit 2012, gjashtë nga të akuzuarit shpallen të pafajshëm: Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Më 2 maj, të po të njëjtit vit, shpallen të pafajshëm edhe Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.

Megjithatë, në nëntor të vitit 2012, Gjykata Supreme e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Trupi gjykues atëbotë i shpalli të pranueshme edhe dëshmitë e Agim Zogajt.

Ndryshe, më 30 nëntor të vitit 2005 Tribunali Ndërkombëtar për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.