Më 18 tetor, hapen negociatat Kosovë-BE për MSA

Pamje nga takimi i së martës

Pas një muaji Kosova do të hapë formalisht me Bashkimin Evropian negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, njoftuan të martën zyrtarë të lartë qeveritarë.

Për këtë gjë në Prishtinë do të vijë Komisionari për Zgjerim, Stefan Fuele, ndërsa ekzekutivi po bën përgatitjet e fundit që Kosova të jetë maksimalisht e përgatitur.

Kryeministri Hashim Thaçi ua tërhoqi vërejtjen sërish institucioneve që humbjen e kohës nuk do ta tolerojë.

“Na ka mbetur edhe pak kohë deri në hapjen e negociatave, dhe duhet të sigurohemi që të ndërmarrin me kohë hapat e nevojshme për të siguruar një proces të shpejtë dhe kualitativ të negociatave me BE-në”, tha Thaçi.

Shefi i Qeverisë në Prishtinë e dha këtë paralajmërim gjatë takimit të dytë të ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, ku kërkoi nga kabineti i tij qeveritar dhe të gjithë akterët e tjerë të përfshirë në këtë proces, që të mos harrojnë se me BE-në do të diskutohen interesat e drejtpërdrejta të shtetit.

Ai kërkoi që në aspektin kohor përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm të jenë efektivë, sepse vetë procesi është i kufizuar.

“Për shkak të rëndësisë së madhe që kjo marrëveshje ka dhe fakti që ka ndikim afatgjatë në vendin tonë, duhet të sigurohemi që të gjitha institucionet e përfshira të jenë të përgjegjshme për pjesën e tyre së punës dhe të gatshëm në çdo moment që të japin llogari”, theksoi Thaçi.

Kryenegociatorja në procesin e negocimit të MSA-së, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, dha pothuajse të njëjtën porosi, si dhe shpjegoi përse kërkohet seriozitet në raport me Bashkimin Evropian.

“Më lejoni të nënvizoj një gjë shumë të qartë: Duhet të kuptojmë drejt që afatet kohore që do të vendosen në kuadër të MSA-së, do të kenë karakterin e afateve obligative, si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me karakter ndërkombëtar. Mospërmbushja e tyre do të jetë mospërmbushje e obligimeve shtetërore ndaj BE-së dhe si e tillë do të paraqesë pengesë të drejtpërdrejtë, në kuadër të procesit negociues dhe integrues të Kosovës”, tha Çitaku

Ministrja Çitaku ftoi të gjitha institucionet që nga fillimi i procesit të kenë parasysh kapacitetet administrative dhe financiare, kur është fjala për zbatimin e obligimeve që derivojnë nga MSA-ja.

Që koha të mos humbet, bëri thirrje edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, sipas së cilës fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit, s’bën të nisë pa miratimin e një ligji, për të cilin ka vërejtje tash e një kohë të gjatë nga faktori evropian.

“Te kapitulli i Prokurimit publik, ne kemi marrë një iniciativë në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, për hapjen dhe amendamentimin e Ligjit për prokurim publik. Ky ligj ende nuk është prezantuar në Qeveri. Megjithatë, sfida më e madhe me këtë ligj, është prezantimi i këtij ligji para hapjes zyrtare të negociatave, gjegjësisht para vizitës së Komisionarit [për Zgjerim të BE-së Stefan] Fuele në Prishtinë më 18 tetor, periudhë kjo pas së cilës ne nuk mund të përfshijmë shtesë amendamente, të cilat ne i kemi paraparë për ndihmë sektorit privat, gjegjësisht prodhuesve të Kosovës”, shpjegoi Çitaku.

Ndërkaq, shefi i Qeverisë në Prishtinë, potencoi se përveç efiçiencës kohore, dhe negociatave të bazuara në fakte dhe statistika, ai kërkon edhe llogaridhënie nga të gjithë sektorët e përfshirë në procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit.