SHBA-ja e shqetësuar me ndërtimet izraelite

Ilustrim

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur “shqetësime serioze” rreth vendimit të Izraelit për të ndërtuar vendbanime të reja në territorin palestinez, pavarësisht fillimit të një rrethi të ri të bisedimeve për paqe.

“Ne nuk pranojmë legjitimitetin e këtyre vendbanimeve”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

Deklarata vjen pasi Qeveria izraelite ka miratuar të dielën ndërtimin e mbi 1,000 shtëpive të reja për hebrenjtë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Bisedimet izraelito-palestineze pritet të rinisin të mërkurën në Jerusalem, me iniciativën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja pritet të arrihet brenda nëntë muajsh, por Uashingtoni druan se ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite mund të rrënojë procesin.

Bisedimet janë ndërprerë në vitin 2010 për shkak të ndërtimeve izraelite në tokën e pushtuar palestineze. (v.tela)