Kosova punësim sezonal vetëm në tri shtete

Ilustrim

Kosova nuk ka arritur ende të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore për punësim sezonal me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Një marrëveshje e arritur para nëntë viteve me Agjencionin Federal të Gjermanisë dhe dy tjera të arritura së fundmi me Zvicrën dhe Principatën e Litershtajnit, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë marrëveshje të cilat nuk hyjnë në kuadër të marrëveshjeve ndërshtetërore.

Megjithatë, si të tilla, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do t’i hapin rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore për punësim sezonal.

“Tash për tash nuk kemi marrëveshje ndërshtetërore. Arsyeja është se Kosova ende nuk është shtet anëtar i BE-së dhe nuk është nënshkruese e marrëveshjes për bashkëpunim në tregun e punës mes shteteve anëtare të BE-së, por këto zhvillimet e fundit për punësim sezonal janë sinjalet e para dhe veprimet e para që kanë filluar të hapen korridoret dhe mundësit për të ardhmen”, thotë Leka.

Marrëveshja me Agjencionin Federal të Gjermanisë, tregon Hafiz Leka, ka arritur të punësojë në punë sezonal për nëntë vite pesë mijë persona dhe si marrëveshje ende është në fuqi.

Ndërkaq me shtetin e Zvicrës, i cili kishte kërkuar 10 studentë në lëmin e bujqësisë nga Kosova, është arritur të dërgohen vetëm tre për punë sezonale, për shkak që, siç thekson Leka, nuk kishin arritur të gjejnë më shumë studentë me kriteret të cilët ata i kanë kërkuar.

Sa i përket punësimit sezonal në Principatën e Litershtajnit, thekson Leka, janë kërkuar inxhinierë të ndërtimtarisë, makinerisë së rëndë dhe inxhinierë të ushqimit. Ai bën të ditur se këtij vendi iu janë dërguar disa aplikacione dhe pritet të bëhet përzgjedhja.

“Kemi pasur afër shtatë kandidatë për inxhinier dhe diku rreth 18 aplikacione të kandidatëve i kemi përgatitur dhe e kemi dërguar atje. Tani ata do të vendosin për punësim sezonal të atyre kandidatëve”, bën të ditur Leka.

Kosova vazhdon të përballet më shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarave janë shumë të vogla, thonë përfaqësues të punëtorëve. Si alternative ata konsiderojnë punësimin sezonal.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Haxhi Arifi thotë se duhet të ndërmerren hapa konkret dhe të arrihet nënshkrimi i më shumë marrëveshjeve për punësim sezonal.

“Nëse nuk bëhet diçka në punësim është jo e mirë edhe për shtetin pasi që një ditë kjo rini e cila ka filluar të migrojë do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen dhe në këtë vend do të ketë edhe trazira social. Duhet të zbutet kjo papunësia”, thotë Arifi.

Ndryshe, sipas regjistrimit, të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë.