Brammertz: Vendimet e Hagës tronditën Ballkanin

Serge Brammertz, Brussels

Tribunali Ndërkombëtar për Krime Luftë në ish-Jugoslavi pritet që të përfundojë punë pas pak vjetësh, mirëpo vendimet kur të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, kanë nxitur disa, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor të vënë në pikëpyetje punën e Gjykatës së Hagës, tha në intervistën për shërbimin qendror të Radios Evropa e Lirë, prokurori i këtij Tribunali, Serge Brammertz.


RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni që trashëgimia e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish - Jugosllavi do të dëmtohet pas disa vendimeve për të lënë të lirë disa të akuzuar? Po i referohem ish-shefit të ushtrisë jugosllave, Momqilo Perishiq, dënimi i të cilit për krime kundër njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, është hedhur poshtë në shkurt, si dhe lirimi në maj i ish-shefit të inteligjencës serbe, Jovica Stanishiq, dhe zëvendësit të tij, Franko Simatoviq, të dy të akuzuar për krime lufte...

SERGE BRAMMERTZ
Natyrisht, kjo mbetet të shihet. Fakt është se tribunali apo zyra jonë ka padi kundër 161 personave. Shumica e këtyre proceseve janë përfunduar dhe unë besoj se një numër i madh i vendimeve tashmë janë marrë. Tani, askush nuk mund ta mohojë se vendimet e fundit e kanë lëkundur, nëse mund të them kështu, tribunalin.

Natyrisht, si pjesë e këtyre proceseve, ne duhet të pranojmë vendimet që merren prej gjykatësve, por ne e kemi bërë shumë të qartë se ne nuk mendojmë që ato kanë qenë vendime të duhura dhe se nuk mendojmë se ato vendime e reflektojnë realitetin e dëshmive, por, siç e thashë, ne jemi pjesëmarrës në ato procese. Se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i trashëgimisë së tribunalit, kjo mbetet të shihet, por zyra ime është kryesisht e përqendruar në një numër të proceseve të apeleve ku e njëjta pyetje e drejtimeve specifike që ka çuar deri te lirimi në rastin e Perishiqit, diskutohet prapë.

Pra, ne e kemi përqendruar energjinë tonë në përpjekjet për të ndryshuar jurisprudencën e ankesave dhe, natyrisht, se ne kemi tri procese shumë të rëndësishme që janë duke u mbajtur, atë të Karaxhiqit, procesin e Ratko Mlladiqit dhe ish-liderin e serbëve të Kroacisë në kohën e luftës, Goran Haxhiq. Ne, natyrisht se do të sigurohemi që këto procese të vazhdojnë dhe se jemi të sigurt se ato do ta kenë rezultatin e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Tribunali i Hagës është krijuar që të kontribuojë në paqe dhe ripajtim në Ballkanin Perëndimor. A mendoni, vërtet, që mund ta arrijë këtë qëllim pas zhvillimeve të fundit?

SERGE BRAMMERTZ
Merrni për shembull vendimet e fundit për Stanishiqin dhe Simatoviqin. Fakti që viktimat nuk mund të jenë të kënaqura me këto vendime, është i qartë. Gjykatësit, në njërën anë, e kanë konfirmuar se Stanishiq dhe Simatoviqi si përgjegjës për shërbimet e inteligjencës në Beograd gjatë kohës së luftës, kanë krijuar ato njësitë speciale (grupet paramilitare përgjegjëse për krimet në Bosnje dhe Kroaci), se ata ishin që i përkrahën financiarisht këto njësi dhe se ata, de facto, ishin personat që e kishin një lloj kontrolli në ato njësi.

Për të pasur si konkludim se ata janë liruar pasi nuk e kanë drejtuar në mënyrë specifike përkrahjen e tyre për kryerjen e krimeve, është natyrisht një nocion shumë vështirë i kuptueshëm për viktimat. Edhe në zyrën time ne kemi konsideruar se është një çarje prej gjykimit të mëparshëm kur ishte e mjaftueshme që të verifikohet se dikush, i cili ofronte përkrahje substanciale për njërën palë në konflikt, në fakt, ka pasur njohuri rreth kryerjes së krimeve nga ato grupe.

Pra, ne kemi qenë shumë të zhgënjyer dhe të palumtur rreth këtij vendimi gjithashtu, dhe nëse ne si prokurorë kemi pasur vështirësi në pajtimin apo pranimin e arsyeve ligjore që janë përmendur në vendim, si mund të kërkosh që viktima ta kuptojë atë vendim?

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të thoni rreth letrës së dalë në media të gjykatësit, Frederik Harhoff, ku ai e akuzon Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, duke thënë se ka qenë subjekt i ndikimeve politike dhe presionit?

SERGE BRAMMERTZ
Ajo çfarë ne, apo zyra ime, kemi bërë është se ne kemi reaguar publikisht ndaj kësaj letre, në njërën anë duke thënë se ne nuk duam t’i hyjmë një debati në lidhje me ato dyshime specifike, por në të njëjtën kohë kemi thënë se ne gjithashtu nuk jemi shumë të kënaqur me disa vendime, porse natyrisht se u përmbahemi të gjitha metodave ligjore që i kemi në posedim për të sfiduar ato vendime.

Unë gjithashtu në një mënyrë kam bërë komente që, siç e dini, tërësisht ndaras nga letra e Harhoffit, ka pasur shumë kritika në media, ka pasur me dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike në lidhje me ato vendime dhe s’e besoj që si Tribunal ne nuk duhet të injorojmë ato kritika dhe duhet t’i lejojmë ato.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur ju presione politike në rolin e prokurorit të Gjykatës së Hagës?

SERGE BRAMMERTZ
Jo, e kam thënë këtë shumë herë, unë jam prokuror prej 20 vjetëve. Unë kurrë nuk jam ndjerë kaq i pavarur në asnjë prej funksioneve të mëparshme. Kjo, vërtet, është në pozitë shumë e pavarur nëse e sheh prej perspektivës së prokurorit.

Nuk është një detyrë e lehtë pasi pritet që të marrësh vendime të rëndësishme rreth asaj se kush janë individët që po i ndjek. Por unë, në lidhje me zyrën time, ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar gjithmonë e kam konsideruar më shumë si përkrahje se sa presion, veçanërisht në lidhje me arrestimin e të arratisurve. Unë mendoj që pa përkrahjen dhe presionin e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian, ne ende do të ishim në kërkim të të arratisurve sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë nga njerëzit që janë gjykuar dhe janë dënuar nga Gjykata e Hagës janë pritur si heronj kur janë kthyer në vendet e tyre, si p.sh. Biljana Plavshiq, ish- presidentja serbe e Bosnjës, e cila është liruar në vitin 2009 pasi ka qëndruar në burg për gjashtë vjet për krime lufte. A mund Gjykata e Hagës të bëjë çfarëdo qoftë për ndaluar glorifikimin e njerëzve që janë dënuar për krime lufte?

SERGE BRAMMERTZ
Kjo, sigurisht që është një çështje shqetësuese dhe e kam parë shumë herë të ndodhë gjatë pesë vjetëve të fundit. Ne e kemi parë të njëjtën gjë kur ishim duke kërkuar të arratisurit, Karaxhiq dhe Mlladiq. Në sondazhet që janë bërë në Serbi dhe Republikën Serbe të Bosnjës, një pjesë shumë e madhe e njerëzve kanë qenë kundër arrestimit të tyre.

Ju e përmendet rastin e Plavshiqit, që gjithashtu është pritur si heroinë pasi e ka kryer dënimin dhe e cila e kishte pranuar fajin, pra ajo e kishte pranuar përgjegjësinë për krimet e kryera.

Fatkeqësisht, edhe këtyre ditëve shohim disa politikanë që shfrytëzojnë qasjen nacionaliste, nëse mund të them, tërësisht për qëllime politike, duke e krijuar një lidhje në mes të individit dhe grupeve të veçanta etnike. Këtë ne e shohim si një gabim të madh, sepse Tribunali përndjek individët për përgjegjësitë kriminale individuale, ndërsa ne nuk përndjekim grupe, apo shtete, apo enti.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndodhë me arkivat e Gjykatës së Hagës pasi kjo e fundit të mbyllet?

SERGE BRAMMERTZ
Që prej 1 korrikut, i ashtuquajturi mekanizmi i mbetur ka marrë përsipër disa pjesë të punës sonë dhe atëherë kur kjo gjykatë të mbyllet në vitin 2015, 2016 apo vitin 2017 - unë nuk e di kur kjo gjykatë do përfundojë punë - i gjithë ky dokumentacion natyrisht se do të shfrytëzohet nga kjo organizatë e vogël për proceset e mbetura të Apelit, që do të mbahen para këtij mekanizmi.

Atëherë kur e gjithë puna e këtij mekanizmi të përfundojë, arkivat duhet të shkojnë diku. Ky vendim pritet të merret nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Unë nuk e di se ku do mbesin këto arkiva krejt në fund, por personalisht shpresoj shumë që do të mbesin në OKB, pse jo në Hagë, por prapë po e them ky vendim do të merret nga OKB-ja, sepse është pronë e saj.(a.haraçia)