Analfabetizmi financiar bllokon pavarësimin ekonomik

Ilustrim

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar të enjten Strategjinë e parë për mbrojtje të konsumatorit dhe edukim financiar.

Kjo strategji, sipas përfaqësuesve të BQK-së, do të synojë që konsumatori të jetë i pajisur me mekanizma më të lehtë dhe të arritshëm për të mbrojtur të drejtat e tyre përmes mekanizmave efektiv për zgjidhjen e kontesteve.

Përmes kësaj strategjie, BQK-ja do të forcojë aftësinë e saj për të mbledhur dhe analizuar informacionin në lidhje me tregun financiar të Kosovës, si dhe mënyrën se si trajtohen konsumatorët.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, ka theksuar BQK-ja do të jetë e përkushtuar që të zbatojë këtë strategji për mbrojtje të konsumatorit dhe edukimin financiar.

Edukimi financiar, ka theksuar Hamza, do të mundësojë që Kosova ta avancojë kulturën mbi konceptet themelore financiare për të drejtat e konsumatorëve dhe për edhe obligimet, siç janë rregullat për huamarrje të përgjegjshme.

“Mbrojtja e konsumatorit do të jetë efektive vetëm nëse konsumatori në mënyrë aktive mbron të drejtat e veta. Është me rëndësi që qytetarët vazhdimisht kërkojnë informatat për të krahasuar kushte dhe afatet e produkteve financiare dhe më e rëndësishmja është që ata të ngrenë zërin nëse ndeshen me probleme. Gabimet ndodhin, andaj institucionet financiare duhet të jenë të vetëdijshme për gabimet dhe t’iu jepet shans që t’i korrigjojnë ato”, ka thënë Hamza.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, ka theksuar se angazhimi i faktorëve kompetent në avancimin e pozitës së të drejtave të konsumatorëve është detyrim ligjor dhe institucional.

“Është obligim yni, si qeveri dhe si institucione, të sigurojmë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në mënyrë efektive dhe adresimin e ankesave të konsumatorëve në mënyrë të drejtë dhe në kohë sa më të shkurtër. Kjo parqet edhe gurthemelin kryesor në marrëdhënien e shëndetshme në mes të konsumatorëve dhe ofruesve të shërbimeve”, ka theksuar Kusari - Lila.

Ndërsa, në periudhën afatgjate të strategjisë, BQK-ja ka paraparë që çështjet financiare të përfshihen në plan-programet shkollore.

Sipas kësaj strategjie, fëmijët duhet të mësojnë mbi konceptet bazë financiare të tilla si përfitimet e kursimit apo huamarrjen e përgjegjshme sa më herët që të jetë e mundur.

Prandaj, BQK-ja do të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ekspertë të arsimit dhe industrisë financiare për të mbështetur zhvillimin e aftësisë financiare të fëmijëve dhe të rinjve brenda sistemit arsimor të Kosovës.

Udhëzimet do të sigurohen mbi mënyrën se si çështja e financave personale duhet të prezantohet në sistemin shkollor dhe si të monitorohet dhe vlerësohet efektiviteti i programeve të edukimit financiar.

Jan Peter Olters, menaxher për Kosovën nga Banka Botërore ka thënë se edukimi financiar rrit aftësinë, lirinë dhe besimin familjeve apo kompanive për të menaxhuar mirë financat e tyre, duke marrë parasysh edhe anën ekonomike dhe sociale.

“Te shumë familje, por edhe disa firma, analfabetizmi financiar bllokon rrugën drejt pavarësimit ekonomik”, është shprehur Oltres.

Strategjia e parë për mbrojtje të konsumatorit dhe edukim financiar siguron që BQK-ja do të punojë në avancimin e kornizës rregullative në mbrojtje të konsumatorëve në sektorin financiar, duke forcuar mbikëqyrjen e tregut, zgjidhjen e kontesteve ku konsumatorëve do t’iu sigurohen mekanizma për të mbrojtur të drejtat e tyre në mënyrë pro-aktive.