Ndërlidhjet

Mësoni si të menaxhoni paranë




Me mbi 35 për qind të papunësisë në mbi 1.8 milionë banorë, sa vlerësohet t’i ketë Kosova, ka pak informacione mbi menaxhimin e parasë në një familje.

Radio Evropa e Lirë nga kjo javë ju sjell më shumë informacione, që mund t’i hyjnë në punë secilës familje se si të menaxhojë paranë.

Mikrofoni ynë do të jetë i hapur për ekspertë të kësaj fushe, të cilët me udhëzimet e tyre, do të mund t’ju ndihmojnë t’ia dilni mbanë çdo muaj.

Autore e kësaj rubrike është korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Luljeta Krasniqi - Veseli.

Dy herë në muaj do të keni mundësinë të merrni njohuri se si dhe sa të shpenzoni.

Vetëmenaxhimi

Rubrikën “Vetëmenaxhim” që ka për fokus menaxhimin e parasë, e fillojmë me një pasqyrë pagash mesatare në Kosovë.

Mbi 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë në Kosovë, marrin asistencë sociale rreth 85 euro në muaj. Paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj.

Kjo pason nga paga në sektorin e strehimit që është 308 euro. Punonjësit e sektorit të ekonomisë publike marrin një rrogë mesatare prej 309 eurosh, ndërsa ata në sektorin e arsimit paguhen mesatarisht me 326 euro në muaj. Paga mesatare në sektorin e kulturës është 341 euro.

Në sektorin e ambientit punëtorët marrin një pagë mesatare prej 350 eurosh, ndërsa në atë të shëndetësisë nga 360 euro. Punonjësit në organet e rendit e të drejtësisë marrin mesatarisht një pagë mujore prej 376 eurosh, ndërsa të paguarit më së “miri” janë ata në shërbimet e përgjithshme me një pagë mesatare prej 387 eurosh.

Çka duhet ditur një person për një menaxhim e duhur të parave?

Mysafiri ynë është profesori i Universitetit të Prishtinës për menaxhimin e financave, Berim Ramosaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka duhet të dijë një qytetar i Kosovës për menaxhimin e parasë?

BERIM RAMOSAJ
Fillimisht, duhet kuptuar se paraja është një mjet i këmbimit dhe të njëjtën kohë ajo shpreh edhe një nivel të caktuar të vlerës, të pasurisë, të financave që ka një person, apo biznes, një kompani, apo një shtet. Në një farë formë, paraja sot ka marrë një pozicion të tillë që ndërton edhe pozicionin e njerëzve, përcakton nivelin e tyre, përcakton edhe shtresën shoqërore ku gjendet në bazë të sasisë së parave që ka. Pra, paraja ka marrë rolin e një çudibërësi.

Vërtet, paraja e ka kuptimin e krijimit të një statusi pasuror të një individi, të një niveli, të një mirëqenie, por sidoqoftë kërkohet të menaxhohet ajo si duhet. Mirëpo, njerëzit iu nënshtrohen dy opsioneve, kur është fjala për menaxhimin e parasë, ose e menaxhojnë në mënyrë emocionale ose në mënyrë racionale të vetëdijshme.
Ata të cilët iu nënshtrohen më shumë emocioneve, ata u nënshtrohen rreziqeve të marrin vendime me rrisk të lartë, andaj në shumicën e rasteve edhe mund t’i humbin ato.

Kurse, ata të cilët mundohen që ta menaxhojnë në mënyrë racionale, sigurisht që vendimet për shpenzimin e atyre parave, qoftë për investime, qoftë për financim të jetës së tyre, qoftë në procesin e shpërndarjes, ata vendimet i marrin shumë racionale, që nënkupton që për një vendim duhet të peshohet mirë edhe shkalla e riskut, edhe shkalla e fitimit të mundshëm potencial, e atëherë i hyhet procesit, qoftë të financimit, qoftë të investimit, qoftë diçka tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ramosaj, ku mendoni se qëndron problemi, pse kosovarët kanë problem në menaxhimin e parasë. A mendon se mungon edukimi i tyre në këtë fushë?

BERIM RAMOSAJ
Në një farë formë nuk është se nuk kanë traditë me paranë qytetarët e Kosovës në raport me vendet tjera, sidomos të regjionit. Mirëpo, edukimi në këtë fushë në Kosovë është i paktë. Përveç njerëzve që janë ekspertë të fushës, që kjo sot shihet nga pasojat që kanë familjet e ndryshme në lidhje, qoftë me mungesën e parave, qoftë në format që bien në pozita të palakmueshme.

Në vendet e ndryshme, p.sh në Amerikë, sa i përket funksioneve të parasë dhe mënyrës së menaxhimit të saj, ata edukimet e para i fillojnë qysh në mësimet parashkollore. Në çerdhet e fëmijëve mësojnë ato ligjshmëritë elementare të ofertës dhe kërkesës, mungesës së parasë, tepricës së parasë, shfrytëzimit të tyre, qarkullimit dhe ndërtimit të një portofoli. Ato i mësojnë fillimisht në formë të përrallave të fëmijëve, në formë të lodrave, të tregimeve të bukura. Pastaj, në shkollat fillore mësojnë diçka më seriozisht.

Në shkollat e mesme shumë lëndë të ekonomisë që njihen nga fusha e mikro-ekonomisë dhe makro-ekonomisë, ata i mësojnë. Gati nuk ka fakultet në Amerikë që nuk e ka ndonjë lëndë të ekonomisë edhe nëse është duke studiuar në edukim, ka më pas një lëndë për mikro-ekonomi apo lidhshmëritë elementare të ekonomisë, që te ne, në Kosovë, janë mungesë e madhe. Këtë proces të menaxhimit të parasë kosovarët e marrin si përvojë nga prindërit ose i emitojnë të tjerët, e më së paku e marrin si edukim elementar që është dashur ta kenë siç e kanë të gjitha vendet tjera.

Sa shpenzon një qytetar i Kosovës në muaj? Sa kushton shporta e tij?

Për të ditur më shumë rreth shpenzimeve dhe shportës së konsumatorit, kemi zhvilluar një bisedë me drejtorin e Departamentit të Politikave e Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, i cili do të ofrojë të dhëna rreth këtyre shpenzimeve.

"Sipas rezultateve të dala të anketës së buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2011, konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare është 7010 euro, apo për muaj shpenzojnë mesatarisht 584 euro. Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore e përbëjnë konsumin, ushqimi, banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli dhe duhani".

"Tek ekonomitë familjare, marrin pjesë me 84 për qind në kuadër të konsumit të përgjithshëm. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shfrytëzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, ku është llogaritur rreth 2.665 euro për vit, që do të thotë në kuadër të 7.010 euro, shpenzojnë 2.665 euro, vetëm për ushqim".

Nga të dhënat që ky institucion i ka ofruar, tregohet se qytetarët e Kosovës, rreth 38 për qind të buxhetit e shpenzojnë për ushqim.

"Ushqimi në Kosovë dominohet nga buka 21 për qind, mishi 19 për qind, qumështi, djathi, vezët me 18 për qind, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit. Më pas radhiten perimet me 11 për qind dhe pijet joalkoolike me 8 për qind, ndërsa në konsum artikujt të tjerë hyjnë me një përqindje më të vogël", thotë Bellaqa.


Konsumi i përgjithshëm në Kosovë 2009 - 2011
Viti Gjithsej në milion € Konsumi për ekonomi familiare € Konsumi për banor €

2009
1.911 6.847 1.161

2010
1.937 7.110 1.226

2011
1.928 7.010
1.210


Në edicionin e dytë të rubrikës sonë, ju ftojmë të ndiqni menaxhimin e parave në bashkësitë familjare.

Aty, po ashtu, do të njoftoheni për ndikimin e dërgesave të emigrantëve te familjet në Kosovë. Si i kanë menaxhuar ata këto para? Ku i shpenzojnë dhe si i shpenzojnë?

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
XS
SM
MD
LG