Kriza e eurozonës prek Kosovën

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar në të cilin thuhet se ka thellim të recesionit ekonomik në Evropë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike është alarm edhe për Kosovën.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani tregon se çdo krizë ekonomike në vendet e rajonit apo në vendet e Bashkimit Evropian prek edhe Kosovën në shumë aspekte.

Ekonomia jonë përveç faktorit të brendshëm varet edhe nga faktorët e jashtëm. Si sfidë e ekonomisë së Kosovës në kushtet e tanishme është se ekonomia e Kosovës është e ndikuar dukshëm nga vendet fqinje të rajonit, për shkak të marrëdhënieve shumë të theksuara me këto vende dhe me vendet e Evropës”, thekson ai.

Ekspertët e ekonomisë kujtojnë krizën ekonomike botërore të vitit 2008 dhe 2009, krizë kjo e cila kishte pasur ndikim mjaft të madh edhe në Kosovë dhe vendet tjera në tranzicion.

Ajo ishte reflektuar në rritjen e varfërisë, papunësisë, pastaj në rënien e fuqisë blerëse, rënien e nivelit të investimeve të huaja, rënien e remitancave dhe eksporteve.

Profesor Limani thekson se përveç krizës ekonomike, marrë parasysh edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë të cilat nuk janë në funksion të ekonomisë, vendi mund të ketë trendë jo të mira dhe të ngadalshëm ekonomik.

“Kur krizës ekonomike financiare në Evropë ia shtojmë një politike ekonomike ta pafavorshme, dhe pa politikë zhvillimore, pasi që tek ne zhvillimi i ekonomisë bëhet ad-hook pa ndonjë vizion atëherë mund të priten trende jo të mira dhe të ngadalshme të zhvillimit ekonomik”, vlerëson ai.

Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë, vazhdimisht kishin theksuar se Kosova ka arritur të mbetet relativisht e mbrojtur nga kriza në eurozonë, për shkak të një lidhjeje të kufizuar financiare dhe tregtare me vendet që janë në krizë dhe si rezultat i prurjeve të fuqishme rrjedhëse dhe të kapitalit nga diaspora e Kosovës.

Ato po ashtu, kishin thënë se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet me ritme të shëndetshme, ndër më të lartat në rajon.

Derisa sa i përket sistemet bankar të Kosovës, ishte vlerësuar se është njëri nga sektorët i cili në Kosovë ka përformuar mirë dhe nuk është prekur nga kriza.

Eksperti i çështjeve ekonomike Mjedi Bektashi thekson se sistemi bankar është njëra nga sektorët më të suksesshme.

“Momentalisht sektori bankar në Kosovë është shumë stabil dhe nuk besoj se mund të ketë një ndikim kriza financiare e shteteve të rajonit dhe më gjerë, edhe pse shumica e bankave në Kosovë vetëm dy janë vendore, por përparësia qëndron në faktin se shumica e depozitave në banka janë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, vlerëson Bektashi.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se fundi se nga thellimi i recesionit ekonomik në Evropë, pritet që në BE rritja ekonomike të ulet me 0.6 për qind