Kosova e gatshme për negociatat për MSA-në

Kosova është shprehur e gatshme të nisë negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e njohur si MSA.

Kjo gatishmëri e qeverisë dhe institucioneve tjera është shprehur në kuadër të takimit të katër të dialogut për MSA-në të mbajtur në Prishtinë.

Me këtë rast, përfaqësueses të Komisionit Evropian i kanë rikujtuar autoriteteve në Prishtinë se miratimi për nisjen e negociatave për MSA-në paraqet vetëm fillimin e punës për plotësimin e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Ata kanë ritheksuar që Kosova duhet të përkushtohet në pesë prioritet të agjendës evropiane, siç është reforma zgjedhore, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, integrimi i pakicave dhe tregtia.

Zëvendësdrejtori në Drejtoratin e Përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, Jost Korte ka bërë të ditur se në Bruksel kanë filluar përgatitjet e një teksti të marrëveshjes, ku para se të hapën negociatat me Kosovën, do të konsultohen me shtetet anëtare të BE-së.

Është më rëndësi të jashtëzakonshme që të sigurohemi se të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë në pajtim me këtë. Pra na nevojitet koha para se teknikisht të fillojnë negociatat. Komsionieri Stefan Fule kur të vijë në Kosovë gjatë javës së ardhshme do të qartësojë sa i përket afateve kohore. Në dëshirojmë që kjo të fillojë sa më shpejtë dhe presim në fillim të vjeshtës. Dëshirojmë që këto te jenë intensive dhe prapë do të kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët. Na presin çështje të vështira”, është shprehur Korte.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hasim Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përgatitur që të fillojë sa më shpejt negocimin e Marrëveshjes për Stabilizimi-Asociim.

Ai tha po ashtu se Prishtina zyrtare qysh në muajin shkurt 2013, ka miratuar strukturën negociuese dhe se tani po punon në ngritje të kapaciteteve të institucioneve.

Sipas tij, reforma e administratës publike vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë, dhe se pas miratimit të pakos legjislative në fushën e administratës publike, ka nisur procesi i ristrukturimit të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ndërkaq paralajmëroi edhe se nga 1 janari do të fillojë zbatimi i sistemit të ri të pagave.

Para nesh janë shumë sfida, por ato nuk janë të patejkalueshme. Dëshmi konkrete është përmbushja në një afat rekord e kritereve afatshkurta për nisjen e negociatave për MSA në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së minoriteteve dhe tregtisë”, shtoi kryeministri Thaçi.

Së shpejti, sipas kryeministrit Thaçi do të mbahet edhe takimi i Këshillit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike me ç’rast do të përcaktohet korniza e re strategjike në kuadër të reformës së administratës publike.

Ndërkaq, zgjedhjet, ka shtuar kryeministri Thaçi janë një nga temat që sigurisht se do të vazhdojnë të jenë subjekt i agjendës së reformave.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Posaçëm dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka theksuar se nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit është një rrugë e gjatë, mirëpo premtuese.

Në këtë takim, zëvendësdrejtori për zgjerim, Jost Korte tha se po ashtu se Qeveria e Kosovës ka arritur të tregojë kredibilitet në arritjet e saja, prandaj edhe BE-ja, siç thotë Korte duhet të jetë kredibile duke i ofruar Kosovës shpërblim përkatës.

Këshilli Evropian pati miratuar nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 28 qershor, pasi që paraprakisht ishte vlerësuar konstruktiviteti i palës kosovare në dialogun me Beogradin.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit paraqet vetëm hapin e parë të vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. Bazuar në një strategji të institucioneve në Prishtinë, nevojiten edhe 7 vjet që Kosova t’i përmbushë të gjitha kriteret teknike që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, problemi më i madh politik në këtë proces mbetet mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së.