Kosova dhe Ajova thellojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 7 korrik 2013.

Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve është një marrëveshje e mirë dhe e rëndësishme për gjithë rajonin.

Kështu ka deklaruar guvernatori i shtetit amerikan të Ajovës, Terry Branstad, në një konferencë për media, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Dy zyrtarët kanë nënshkruar të dielën një marrëveshje për partneritet mes dy vendeve.

“Kam rastin të përgëzoj kryeministrin për arritjen e marrëveshjes. Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës kanë qenë problematike tash e 100 vjet ose më shumë. Dhe, të shihet ky përmirësim i marrëdhënieve, ky lloj i marrëveshjes për paqe, mendoj se është shumë pozitve për gjithë rajonin. Ky është një shembull shumë i mirë se si mund të arrihet paqja ndërmjet dy kundërshtarëve. Dua vetëm të përgëzoj të dyja palët që kanë punuar së bashku për të arritur këtë. Mendoj se ka një potencial të madh për të ardhmen e gjithë rajonit”, ka thënë Branstad.

Nënshkrimi i memomrandumit apo binjakëzimit të dy shteteve parasheh bashkëpunim në shumë fusha, duke nisur nga ato shkencore e deri tek ato ekonomike.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad, në një bisedë të përbashkët, kanë vlerësuar bashkëpunimin e Kosovës dhe të Ajovës.

Presidentja Jahjaga ka thënë se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Ajovës janë vendosur që prej ndihmës që ky shtet i SHBA-së i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ajo po ashtu ka theksuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera.

“Marrëveshja e Partneritetit për Shtetet Simotra, të cilën e nënshkruam sot, ka një rëndësi të veçantë, pasi krijon mundësi të reja për shkëmbime të eksperiencave dhe përvojave në mes të dy vendeve tona, mundësi për zhvillim në fushën ekonomike, fushën e kulturës, të drejtësisë dhe të edukimit. Me anë të këtij partneriteti po krijohen mundësi të reja të thithjes së investimeve, të rritjes së kapaciteteve humane, të shfrytëzimit të potencialit tonë natyror, si dhe të promovimit të vlerave tona të përbashkëta. Me nënshkrimin e këtij partneriteti ne po forcojmë dhe më tej përkushtimin tonë të përbashkët për të zhvilluar marrëdhënie miqësore në mes të dy vendeve tona”, ka thënë Jahjaga.

Shteti i Ajovës konsiderohet se ka ndihmuar shumë në formimin dhe forcimin e FSK-së.

Ky bashkëpunim, kanë thënë zyrtarët, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejmë të kësaj force.

E pyetur se kur kjo forcë do të shndërrohet në ushtri, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë:

“Siç e dini, Qeveria e Kosovës është e inkuadruar në shqyrtimin strategjik të sektorit të sigurisë. Ne do t’iu gëzohemi rezultateve që do të dalin nga ai shqyrtim. Askush nuk duhet të paragjykojë, shpresojë që rezultatet do t’i shohim kah viti i ardhshëm”.

Terry Branstad ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Ajovës nuk janë të reja, pasi raportet dhe bashkëpunimi mes dy shteteve tashmë kanë kaluar dhjetë vjet.

Guvernatori Branstad ka përmendur përkrahjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës në fushën e sigurisë, drejtësisë, arsimit, kulturës e të tjera.

“Kjo që ne kemi nënshkruar sot, është vetëm një fillim dhe mund t’ju them se do të jetë një miqësi e gjatë e pozitive në mes të dy shteteve - Ajovës dhe Republikës së Kosovës. Me nënshkrimin e këtij memorandumi mund të përfitojnë të dyja palët dhe të krijohen marrëdhënie të mira”, ka thënë Branstad.

Guverantori i Ajovës, bashkë me delegacionin e tij, është takuar të dielën edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.