Mashtrimi i konsumatorëve

Ilustrim

Kompanitë e shumta tregtare në Kosovë në periudha të ndryshme gjatë vitit, në kuadër të marketingut të tyre për shitjen e produkteve organizojnë edhe lojëra të shumta shpërblyese, në të cilat konsumatorët përfitojnë produkte gratis.

Por, a janë të sinqerta këto oferta dhe a janë të besueshme nga konsumatoret dhe përfaqësuesit e tyre?

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se konsumatori kosovar po mashtrohet nga ky marketing që po bëjnë kompanitë e ndryshme.

“Ne jemi dëshmitarë që nëpërmes reklamave në mediume elektronike dhe të shtypura shihen mashtrime që bëjnë kompanitë. Për shembull në disa raste thuhet se ‘nëse i blen dy gjera, i treti artikull është falas', derisa në strukturën e çmimit të bie njëjtë sikur të blesh një apo dy apo tre dhe asgjë nuk është falë".

"Këtu e shoh gjumin e thellë të institucioneve të shtetit që akoma nuk kanë marr mundin, interesimin gatishmërinë që konsumatorin, taksapaguesi ta informojë ta edukojnë që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve”, shton ai.

Këto aktivitet marketingu të kompanive, Kaçaniku i konsideron mashtrime që iu bëhen konsumatorit në Kosovë.

Sipas tij, si dukuri ky mashtrim është mjaft shqetësues dhe po bëhet pa u inspektuar nga mekanizmat institucional.

Organizata “Konsumatori”, ka ftuar inspeksionet dhe prokuroritë, e në veçanti inspektorët e tregut, që t’i hetojnë këto aktivitete marketingu të kompanive, të cilat siç thekson Kaçaniku shprehin konkurrencë jo të drejtë.

“Janë disa nivele të mbikëqyrjes administrative, më pastaj nëse është e arsyeshme këto raste duhet t’i shqyrtojë niveli juridiko - gjyqësor mirëpo të paktën unë nuk kamë njohuri se ndaj dikujt që ka bërë abuzime me reklama, joshje, mashtrime me reklama të ketë dhënë përgjegjësi”, thotë Kaçaniku.

Në anën tjetër, qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë që shumë herë janë mashtruara nga kompanitë tregtare të cilat kanë pasur oferta të shumta marketingu për ulje të çmimeve apo edhe shpërblimeve.

Fadil Gashi, qytetar, thotë se nuk iu beson aspak marketingut që bëhet nga kompanitë tregtare.

“Ne këtyre reklamave nuk iu besojmë fare. Këto reklama janë vetëm për përftime të atyre kompanive që i bëjnë ata për vete jo për konsumatorin. Janë gënjeshtra, propaganda, nuk ka asgjë prej tyre”, thotë Gashi.

Lea Maloku, ndërkaq thekson se shumë herë ka parë vet që ky marketing i kompanive ka qenë i pa vërtetë.

Nuk iu besoj aspak se nëpër fletushka ka zbritje ndërsa kur të shkon atje nuk janë të vërteta, krejt gjerat janë më të shtrenjta".

Ngjashëm mendon edhe Vjollca Krasniqi.

“Nuk janë të vërteta. Kur të shkon nuk është ai çmim, shkruajnë se janë 50 për qind më lirë që i bie gjysma, ndërkaq nuk janë ato çmime”, thotë ajo

Në vendet e rajonit apo me gjerë, tregon kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku, këto gjëra i të rregulluar dhe është e pamundur që të mashtrohen konsumatorët dhe askush të mos jep përgjegjësi.

Kjo ndodh në Kosovë, thekson ai, sepse ligjet në Kosovë nuk zbatohen.