Ndërlidhjet

Marketing: Fletushkat irrituese


Ilustrim
Ilustrim

Super çmime”, “S’ka më lirë”, “Blej një, merr një tjetër falas”…

Disa nga titujt që hasin qytetarët në korridoret e ndërtesave ku jetojnë, oborret e shtëpive të tyre, e madje edhe në dritaret e makinave të tyre. Janë tituj fletushkash që reklamojnë artikuj të kompanive të ndryshme.



Kjo mënyrë e reklamimit, qytetarëve ndonjëherë po u pengon.

Majlinda Nuredini, studente 24 vjeçare, qytetare nga Prishtina, jep mendimin e saj rreth mënyrës së reklamimit, duke pohuar se hedhja e fletushkave me bollëk ndonjëherë edhe e irriton.

Edhe pse ndonjëherë është mënyrë e mirë e informimit, megjithatë mendoj se ka mënyra tjera që janë të suksesshme, dhe të cilat e kursejnë ambientin prej ndotjes. Këto forma të irritojnë ndonjëherë, sepse sa herë e hap derën e shtëpisë, has në një grumbull letrash, ose ne veturë të mbushin xhamin me letra reklamuese të tilla”, shprehet Nuredini.

Ilir Morina, drejtues i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se hedhja e letrave dhe ambalazheve të ndryshme në sipërfaqe publike, qofshin ato të mbyllura apo të hapura, rezultojnë me shqiptim të gjobave, te personi që kapet duke e hedhur.

Përndryshe, sipas tij, nuk ka ndonjë specifikë që e ndalon shpërndarjen e këtij lloj reklamimi nga letra.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, përveç ligjit të mjedisit dhe ligjit të mbeturinave që rregullon këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ në vitin 2009, për ndëshkimin me gjoba, varësisht nga ndotja”, thekson Morina.

Por sa e dëmton ambientin letra, zoti Morina ka një shpjegim.

Letra si letër është një mjet që dekompozohet dhe nuk merret si një ndotës i rrezikshëm, por është ndotje vizuale. Andaj nuk është mirë që letra të tilla t’i hasim në rrugë, parqe apo trotuare. Janë kompanitë të cilat i printojnë dhe i shpërndajnë, por nuk kemi hasur në njerëz të këtyre firmave që i hedhin në vendet joadekuate, dhe nuk kemi një ligj që e sanksionon këtë direkt. Ata i vendosin para dyerve tona, por më pastaj përgjegjësia bie mbi qytetarin që e merr dhe varet se ku e hedh”.

Ndërkaq, Besa Haxhiu, njohëse e marketingut, jep hollësi rreth asaj se sa ka efekt reklamimi i produkteve të një kompanie apo institucioni.

Ajo gjithashtu shton se mënyrat e reklamimit janë nga më të ndryshmet, por që varet nga kreativiteti i kompanisë, që dëshiron t’i promovojë produktet.

Efekti i reklamimit natyrisht që është shumë me rëndësi për çdo institucion apo kompani. Sa i përket fletushkave, ato kanë efekt të rëndësishëm, meqë ndikojnë në zhvillimin e produkteve apo edhe vetë kompanive. Ndoshta duhet të gjendet ndonjë mënyrë tjetër më adekuate për shpërndarjen e tyre, por ato definitivisht kanë efekt pozitiv”, bën të ditur Haxhiu.

Sidoqoftë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, i ka të gjitha të drejtat që t’i gjobojë të gjithë qytetarët të cilët vazhdojnë të hedhin letra reklamuese apo edhe mbeturina në ambiente publike.

Por megjithatë, drejtues të agjencisë për mbrojtjen e mjedisit nuk janë të kënaqur me të arriturat për parandalimin e hedhjes së mbeturinave.

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka shqiptuar disa dënime, por nuk jemi të kënaqur. Por, falë edukatës së ulët, qytetarët vazhdojnë të hedhin mbeturina edhe nga dritaret, veturat, duke përfshirë edhe këto reklama. Janë me dhjetëra dënime që janë shqiptuar, dhe ka pasur sanksione të tilla, por nuk e ka pasur jehonën që kemi pritur”, thotë Morina.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG