Kroacia - shtet anëtar i Bashkimit Evropian

Your browser doesn’t support HTML5

Kroacia i bashkohet BE-së

“Mirëserdhët në Bashkimin Evropian”, ka thënë në gjuhën kroate presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Kroacia është bërë vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Pranimi ka ndodhur gati dy dekada pas fundit të luftës së Kroacisë për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vitesh reforma.

“Realiteti kroat, pavarësisht nuancave me të cilat e përjetojmë, është krejtësisht ndryshe nga ai kur kemi nisur rrugën për pavarësi dhe për krijimin e shtetit tonë. Dhe, pikërisht këtë realitet, sot e festojmë me krenari”, ka thënë presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, në dollinë me të ftuarit në darkën solemne në Zagreb.

Kryeministri Zoran Millanoviq ka falënderuar mysafirët e vendeve të tjera evropiane për rëndësinë që i kanë dhënë momentit.

“Prania e të gjithë juve në këtë mbrëmje na mbush me krenari të veçantë, ndërsa mua më frymëzon që me bindje më të madhe ta shoh gjysmë të mbushur këtë gotë dhe jo gjysmë të zbrazur”, ka thënë Millanoviq.

“Njerëz, ia dolëm. Kemi përfunduar me suksese këtë punë. Urime të gjithëve”, ka qenë porosia e ministres së Integrimeve, Vesna Pusiq, për qytetarët kroatë.

Në kremten e Kroacisë, kanë qenë të pranishëm zyrtarë të lartë të vendeve të Ballkanit, në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ky i fundit ka pasur tri porosi – se sot është ditë historike për Kroacinë, Ballkanin dhe Kosovën, se Kroacia është shembulli më i mirë për vendet e rajonit se si të reformojnë dhe modernizojnë shoqërinë dhe se BE-ja, këtë vit, mund të jetë krenare me dy arritje: hyrjen e Kroacisë në bllok dhe marrëveshjen e Kosovës me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Dëshiroj fuqishëm që deri më 2020, të gjitha vendet e rajonit të hyjnë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Hoxhaj.

Në mesnatë, himni evropian është dëgjuar në Zagreb, Split, Rijekë, Osijek, Dubrovnik dhe disa qytete të tjera më të vogla kroate.

Qytetarët kanë festuar gjithandej dhe për sigurinë e tyre, vetëm në Zagreb janë angazhuar rreth 1,100 policë. Për shënimin e kësaj ngjarjeje janë akredituar rreth 700 gazetarë nga të gjitha kontinentet.

Vendi prej 4.4 milionë banorësh bëhet shteti i dytë ish-jugosllav që i bashkohet BE-së, pas Sllovenisë, e cila është anëtarësuar në vitin 2004.

Megjithëse anëtare e plotë e BE-së, Kroacia nuk do të jetë menjëherë pjesë e Schengenit, zonës së udhëtimit pa viza, as nuk do të përdorë monedhën euro.

Anëtarësimi i Kroacisë në BE ndodh në kohën kur ajo tashmë ka hyrë në vitin e pestë të recesionit dhe ka një papunësi prej 20%.