Njerëz me diploma, por të papërgatitur për punë

Ilustrim

Studentët, të cilët përfundojnë studimet në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe universitetet publike dhe ato private, të licencuara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në shumë raste nuk arrijnë të fitojnë njohuri të mjaftueshme dhe të jenë të përgatitur për tregun e punës.

Këto vlerësime i japin për Radion Evropa e Lirë, ekspertë të arsimit dhe ekonomisë, si dhe përfaqësues të bizneseve.

Në shumë raste, bëjnë të ditur përfaqësues të bizneseve, ndodh që punëkërkuesit të jenë të diplomuar, por jo profesionalë për të punuar në një pozitë të caktuar.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur pyeten punëdhënësit se sa janë të kënaqur me punëtorët, të cilët janë të kualifikuar, shumë herë ndodh që ata të ankohen se këta persona nuk po tregojnë shkathtësi dhe profesionalizëm.

“Duhet t’i shpjegohet opinionit të gjerë, e sidomos atyre punëkërkuesve, të cilët kanë një përgatitje shkollore, por nuk ka përgatitje profesionale, sepse pjesa praktike pothuajse shumë punëkërkuesve iu mungon. Kjo vlen sidomos ndaj atyre punëkërkuesve që i kanë kryer shkollimet më herët, kurse tash teknologjia është avancuar dhe iu mungojnë trajnimet”, thotë Shahini.

Sistemi i arsimit në Kosovë në vazhdimësi në shumë raporte të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, është kritikuar për nivel të ulët të cilësisë. Reformat e bëra në arsim për vjet të tëra, thuhet se nuk kanë dhënë efekte të duhura.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë se është shqetësues fakti kur studentët, që diplomohen, nuk janë të aftë të kryejnë punën për të cilën janë kualifikuar.

“Pavarësisht asaj se mbi 60 studentë për çdo vit janë pjesë e Universiteteve, qoftë publike apo private, niveli apo shkathtësitë që ata fitojnë, nuk janë të përshtatshme për tregun e punës në vitin 2013, apo viteve tjera për shkak se prurjet e reja teknologjike dhe metodat e reja të punës, janë shkathtësi, të cilat universitetet tona nuk po ua mësojnë studentëve”, vlerëson Demi.

Si rrjedhojë e mosmarrjes së njohurive të duhura në universitetet, shton Demi, ka një numër të madh të personave të diplomuar, por të cilët nuk janë të aftë për tregun e punës.

“Në një vend si Kosova, që ka 47 për qind papunësi dhe në anën tjetër bizneset nuk arrijnë të gjejnë forca kualifikuese punëtore, konsiderohet papunësi strukturale, ku edhe bizneset nuk mund të gjejnë njerëz të kualifikuara, por edhe ata që diplomohen dhe mendojnë se janë të kualifikuar, nuk arrijnë të gjejnë punë”, thekson Demi.

Mungesën e njerëzve me diploma, por jo mirë të përgatitur për tregun e punës e thekson si dukuri mjaft shqetësuese edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci.

Ai konsideron se studentët, të cilët diplomojnë në Kosovë, duhet të jenë të përgatitur jo vetëm për tregun e punës në Kosovë, por edhe jashtë saj.

“Tash, te ne, është edhe një problem tjetër, se Kosova si një vend i vogël dhe me ekonominëmë të varfër në Evropë, nuk mund t’i absorbojë të gjithë ata studentë, të cilët e përfundojnë arsimin e lartë. Prandaj, ne duhet të llogarisim se njerëzit tanë duhet të jenë të përgatitur edhe për një treg më të gjerë të punës, respektivisht në vendet evropiane”, shprehet Popovci.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 75 mijë persona në vend kanë shkollim superior.