Sulejman Rexhepi: Forcat çlirimtare kundër Asadit, s'janë radikale

Reflektim xhamie në ujë...


Ditë më parë është raportuar se një i ri nga Gostivari i Maqedonisë është vrarë në luftën e Sirisë. Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky i ri, si dhe shqiptarë të tjerë eventualë, u bashkohen vëllezërve të tyre sirianë që synojnë të çlirohen nga kthetrat e një sistemi totalitar.

EVROPA E LIRË
Pasi humbi jetën i riu shqiptar nga Gostivari në luftimet në Siri, keni informacione se kush është ky djalë?

SULEJMAN REXHEPI
Që nga momentet e para kur dëgjuam, këtë çështje e trajtuam me një interes të veçantë, dhe menjëherë kontaktuam me bazën tonë në qytetin e Gostivarit, përkatësisht me myftiun tonë të Gostivarit. Menjëherë vërejtëm atë se ky person është i njohur për të gjithë në këtë qytet, sepse Gostivari nuk është ndonjë qytet i madh që të mos njihen njerëzit.

Në këtë drejtim, të gjithë janë të habitur nga fakti se ai person nuk ka pasur ndonjë të kaluar dhe aq të pastër sipas parimeve islame, do të thotë ka konsumuar alkool, punë që islami e ndalon, dhe përnjëherësh ai të bëhet radikal do të thotë të kalojë në strukturat e Al Kaidës, mendoj se është shumë e palogjikshme, shumë pa mend.

Prandaj, e gjithë ajo që thuhet rreth atij të riu, nuk e përjashtoj mundësinë se mund të ketë edhe të tjerë, është fakt se ata, duke i parë skenat e ndryshme, torturat që i bën pushteti sirian ndaj qytetarëve të Sirisë ku ka një opozitë, është evidente një oponencë revolucionare që synon që sistemit të dëmshëm aktual t'ia përfundojë mandatin përfundimisht. Ata quhen forca të reja demokratike dhe pjesëmarrja e këtij të riu, eventualisht edhe të tjerë, gjendet në anën e demokracisë. Do të thotë, u janë bashkangjitur vëllezërve të tyre për t`i çliruar nga kthetrat e një sistemi totalitar siç është sistemi i Asadit.

Njëherësh nuk mund t`i quajmë ata radikalë, pasi ata janë pjesë në strukturën e ushtarëve, gjegjësisht forcat ushtarake perëndimore. Do të thotë atëherë do të duhej të akuzohet komplet aleanca, do të duhej të akuzohej komplet SHBA-ja, sepse ata të rinj janë në radhët e tyre dhe u janë bashkuar njerëzve, të cilët luftojnë për t'u rehatuar një herë e përgjithmonë nga sistemi totalitar i Sirisë.

EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, si drejtues i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, cilat janë njohuritë tuaja, a veprojnë këtu, siç thuhet, forca radikale islame?

SULEJMAN REXHEPI
Sa u përket strukturave radikale islame, është një e vërtetë se më herët, siç duket ato lëvizje, të them, ato struktura të quajtura radikale, siç qarkullonin, jo vetëm në Maqedoni, por në tërë territorin e Ballkanit, mirëpo me kalimin e kohës, dalëngadalë erdhi deri tek ajo që edhe vetë organet kompetente të Republikës së Maqedonisë (do të thotë ata që janë kompetentë për këtë çështje), disa herë kanë pasur deklarata se struktura të këtilla në Maqedoni më tutje nuk ekzistojnë, ose kanë dalë me deklarata të tjera që janë kontradiktore.

Tani shoh se këto ditë paraqiten deklarata kontradiktore me të kaluarën se kinse në Maqedoni ka struktura të tilla ende, mirëpo nuk qenkan ose nuk janë ndesh me ligjet e Maqedonisë.

Të quash dikë radikal dhe njëkohësisht të thuash se këta persona janë komplet strukturë e mirëfilltë, kjo është e pakuptimtë.

Pa dashur të hyj në këto punë, me sa di në të kaluarën kishte tendenca të paraqitjes së strukturave, të cilat nuk ishin në përputhshmëri me traditën islame të këtij vendi - jo për momentin, por gjatë tërë historisë - do të thotë kishte tendenca të një interpretimi të ri, i cili nuk pranohej edhe nga vetë myslimanët e këtij nënqielli. Refuzohej me të madhe dhe ata, duke bërë presione që ta kryejnë misionin e vet, dilnin në sipërfaqe si forca apo lëvizje radikale.