Vazhdon bilanci negativ tregtar

Ilustrim


Pavarësisht përpjekjeve të organeve kompetente për të mbështetur sektorin privat, konkretisht sektorin e prodhimit, niveli i eksportit të produkteve kosovare vazhdon të jetë shumë i ulët në krahasim më importin e mallrave të huaja që hyjnë në tregun kosovarë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas shifrave zyrtare, eksporti i mallrave ka arritur në 269.3 milionë euro, ndërsa importi i mallrave ka arritur shumën në 2.5 miliardë euro, duke bërë që mbulueshmëria e importeve me eksport të arrijë normën prej 10.8 për qind.

Këto statistika për përfaqësues të shoqatës së eksportuesve dhe ekspertë të ekonomisë, paraqiten shqetësuese, pasi, sipas tyre, që nga viti 2000, Kosova ballafaqohet me deficit të lartë në bilancin e tregtisë së jashtme.

Muhamet Imeri, është kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës. Ai tregon disa probleme sa i përket kompanive eksportuese.

Si problem kryesor përmend mungesën e mjeteve financiare për të ngritur kapacitete prodhuese, kuadrove, teknologjisë, por edhe marketingut. E që një dozë të fajit për këtë, sipas tij, e ka sektori bankar me normat e larta të interesit.

Si shqetësim tjetër, Imeri paraqet mungesën e besueshmërisë së konsumatorëve të jashtëm në cilësinë e produkteve kosovare, pavarësisht faktit, se disa kompani prodhuese përmbushin standardet ndërkombëtare sa i përket cilësisë së mallrave.

“Unë besoj se është e nevojshme që Qeveria të jetë më afër kompanive private dhe t'u përgjigjet sfidave të tyre, sepse është momenti i fundit, që Kosova të ketë një deficit aq të lartë në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, në përgjithësi".

"Është problematike që pas 14 vjetësh Kosova të jenë në këtë situatë. Pastaj as procesi i privatizimit nuk i ka dhënë frytet e veta, pjesa dërmuese e ndërmarrjeve që kanë ekzistuar, kanë ndërruar veprimtarinë e tyre, edhe pse një pjesë e teknologjisë ka qenë e papërdorshme”
, thotë Imeri.

Edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se ekzekutivi i vendit duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të përmirësuar këtë fenomen, sepse, thotë ai, Kosova nuk mund të vazhdojë edhe vitet e ardhshme me këtë trend, për shkak të përkeqësimit të bilancit të pagesave të Kosovës.

Bektashi, madje, vlerëson se Kosova nuk ka prodhime të mjaftueshme për të eksportuar në tregjet e Bashkimit Evropian. Për këtë thotë ai, autoritetet kompetente duhet që të krijojnë kushte për tërheqjen e investimeve të huaja, në sektorin e prodhimit.
Problemi është se ne nuk kemi çfarë të eksportojmë në këto tregje.

“Ne nuk kemi asnjë ndalesë për të eksportuar në shtetet e CEFTA-s, përjashtim bën Serbia dhe Bosnja, por tregu i Bashkimit Evropian është shumë i madh. Problemi është se ne nuk kemi çfarë të eksportojmë në këto tregje".

"Sipas mendimit tim, është se e vetmja mundësi është ristrukturimi i ekonomisë së Kosovës duke tërhequr investimet e huaja. Përndryshe ne nuk mund të ballafaqohemi edhe në vitet e ardhshme me një deficit kaq të lartë tregtar”,
vlerëson Bektashi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë , pohojnë përpjekjet për përmirësim të ndërmarrjeve në Kosovë, me qëllim që të ngrenë kapacitetet, respektivisht të rrisin nivelin e eksportit.

Arta Istrefi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thekson se një ndër aktivitetet në këtë sektor, është krijimi i zonave të para ekonomike, ku fokusi do të jetë, vendosja e bizneseve prodhuese që kanë për qëllim eksportin.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, konsideron sektorin privat kyç në zhvillimin ekonomik, prandaj edhe ka ndërmarrë një mori iniciativash deri më tani, për të krijuar një ambient më të favorshëm për bizneset".

"Po ashtu, tashmë kemi ndërruar fokusin jemi më shumë të përqendruar në ngritjen e eksportit, e cila do të ndikojë në balancin tregtar që deri më tani e kemi jashtëzakonisht keq krahasuar eksportin me importin”
, shprehet Istrefi.

Sidoqoftë, të dhënat e fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, për muajin mars të këtij viti, tregojnë se eksporti kishte vlerën 23.1 milionë euro, ndërsa importi 195.2 milionë euro.

Grupet kryesore të eksportit përbëjnë metalet bazë, produktet minerale, si plastikë, gomë, kurse në Kosovë në pjesë më të madhe, importohen produktet minerale dhe ushqimet e përgatitura.

Përqindja më e madhe e eksportit është në Itali, Shqipëri, Maqedoni , kurse produktet nga Serbia, Gjermania dhe Italia më së shumti importohen në tregun kosovar.