Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku është takuar me ta pasdite, ka thënë se është arritur pajtimi për koordinim të aksioneve të ardhshme dhe për veprim të përbashkët.
Vuçiq gjatë ditës në takimet që ka pasur në Leposaviq me disa nga përfaqësuesit e banorëve atje, ka thënë se marrëveshja e Brukselit nuk është e përsosur, por me të nuk duhet frikësuar popullin, duke porositur se Serbia do të jetë me serbët në Kosovë.
Sipas zëvendëskryeminsitrit të parë të Qeverisë së Serbisë, Vuçiq, marrëveshja është ajo që ka mundur të arrihet më së shumti në këtë periudhë, ndërsa Beogradi bën çdo gjë të mundur dhe kështu do të veprojë edhe në të ardhmen për të mirën e popullit të vet.
“Serbia është me popullin e saj, nuk e braktisë dhe shikon kah e ardhmja”, është shprehur Vuçiq, në deklaratën pas takimit me klerikun e Kishës Ortodokse Serbe, Teodosije, duke shtuar se:
“Ndonjëherë marrim vendime që janë të vështira, por shteti nuk mundet pa popullin e vet, e as populli nuk mundet pa shtetin e vet”.
Ai ka thënë se ka ardhur në Kosovë jo që të arsyetohet, por të bisedojë me njerëzit, për atë se si shteti do të jetë pranë tyre në të ardhmen dhe çka duhet të bëhet.
Duke folur për marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve me Kosovën, Vuçiq ka theksuar se ajo nuk është shumë e mirë, por është rezultat i gjithë asaj që ka qenë e mundur të arrihet.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai ka shpjeguar se në këtë dokument askund nuk shkruan se do të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe se ushtria e Kosovës nuk do të hyjë në pjesën veriore.
Vuçiq ka njoftuar se do të zbatohen ligjet e Kosovës, por Serbia do t'i financojë të punësuarit në arsim dhe shëndetësi.
Sipas tij, kompetencat e tjera do t’i marrë bashkësia e komunave serbe në pjesën veriore të Kosovës.
“Askush nuk mund të shohë gëzim në sytë e mi, për shkak të marrëveshjes së Brukselit. Kam ardhur që popullit t’i them çka duhet të bëjmë në periudhën e ardhshme, cilat janë obligimet tona dhe nuk dua ta bindë popullin se ky është dokument i mirë”, ka sqaruar Vuçiq, për të vazhduar se nuk do ta mashtrojë popullin, “sikur disa që flasin se janë patriotë më të mëdhenj se ai”.
Zëvendëskryeministri serb, mes tjerash, ka deklaruar, po ashtu, se me marrëveshjen e arritur për herë të parë bota do të njohë bashkësinë e komunave serbe dhe është një dëshmi që çizmet shqiptare nuk do të shkelin në veriun e Kosovës.
Ndërkaq, kleriku Teodosije ka deklaruar se për mbetjen e serbëve në Kosovë është shumë e rëndësishme mbështetja e Qeverisë së Serbisë.
Kurse, për marrëveshjen e Brukselit, Teodosije ka thënë se është bërë ajo që ishte e mundshme në momentin dhe periudhën, në të cilën jetojmë. Disa kanë dashur edhe më tepër, por “kur e keni pacientin, i cili është në fazën e vonshme të sëmundjes së rëndë, kërkohet që të bëhet sa më tepër për të”. Ai ka kërkuar që të mos ketë zemërngushtësi dhe se kjo marrëveshje nuk paraqet fundin.
Në territorin e Komunës së Leposaviqit gjatë rrugës magjistrale janë parë mbishkrimet “Mirë se erdhe Vuçiq”.
Kurse, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po kujdeset për ketë vizitë dhe po përcjell edhe eskortën delegacionit nga Serbia.
Edhe pse disa nga serbët në veri të Kosovës nuk e mirëpresin këtë vizitë, siç është paralajmëruar, Vuçiq po përpiqet t’i bindë serbët, që të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Zëdhënësi i Policisë, Hoti, ka thënë se edhe pse disa nga serbët në veri të Kosovës nuk e mirëpresin vizitën e Vuçiqit, nuk ka ndonjë reagim nga ana e atyre personave.
“Jo, deri më tani nga informacionet që ne i kemi nga terreni, nuk ka ndonjë indikacion që do të mund të ndikonte në aspektin e sigurisë, përfshirë këtu edhe protesta të ndryshme, pra informacione të tilla ne nuk kemi”, ka shpjeguar Hoti
Hoti ka bërë të ditur se në vendbanimet me popullatë të etnive të ndryshme, patrullimet e policisë janë më të shpeshta.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia me 19 prill kanë arritur një marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga baronesha Ketrin Ashton, që u siguron serbëve në komunat veriore, veç tjerash, përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.