Integrim me ndërrim uniformash?

Fotografi ilustruese

Shpërbërja e strukturave të sigurisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veriun e Kosovës, është një prej temave, për të cilën është thënë se do të bisedohet sot në kuadër të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, të arritur më 19 prill.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi i cili po e udhëheqë delegacionin nga Kosova në këtë takim, ka theksuar se do të bisedohet për “integrimin e plotë në Policinë e Kosovës të pjesëtarëve të policisë së Kosovës të cilët për momentin, mund të thuhet se i kanë nga dy kapela, atë të Policisë së Kosovës dhe të MUP-it serb”.

Por, njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se në njëfarë forme, një numër i personave, të cilët deri më tash kanë qenë pjesëtarë të MUP-it serb, vetëm se do ta ndërrojnë uniformën, me atë të Policisë së Kosovës.

Eksperti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel, më 19 prill, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të drejtën e konkurrimit për në Policinë e Kosovës e kanë të gjithë qytetarët që, sipas tij, nuk janë të inkriminuar.

Ai ka thënë se në qoftë se persona të caktuar, janë marrë me aktivitete kriminale, atëherë me ta do të merret gjyqësia. Por, sipas tij, fillimisht duhet të shpërbëhen strukturat e sigurisë serbe në veri.

“Pastaj, normalisht, pjesëtarët e atyre strukturave, mund të kandidojnë, si qytetarë të Kosovës, qoftë për Polici të Kosovës, qoftë për struktura që do të krijohen për emergjencë civile atje. Ne e kemi Agjencionin e Emergjencave".

"Është në nivel të Kosovës dhe ata mund të konkurrojnë për aty, si qytetarë të Kosovës. Mund të ndodhë që gjatë procedurës së pranimit të atyre kandidatëve, atëherë, përvoja që e kanë pasur në këto punë, mundet ndoshta të merret si një plus që janë njerëz, të cilët kanë një përvojë”, tha Maloku.

Por, Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmendja, në marrëveshjen e 19 prillit, e kushtit që në Policinë e Kosovës në veri të vendit të mos përfshihen personat e inkriminuar, hap dyshimin se gjatë procesit të verifikimit nuk do të merren parasysh parametrat profesional, por ata politik.

Ndryshe, sipas tij, nuk ka dileme se pjesëtarët e MUP-it serb, të cilët, si qytetarë të Kosovës, do të konkurrojnë dhe pranohen eventualisht në Policinë e Kosovës, vetëm se do t’i ndërrojnë uniformat.

Nuk ka dilemë. Do të thotë, tash të jemi të qartë dhe ta pranojmë edhe një aspekt. Tashmë këta persona do të ri-integrohen. Këta persona do t’i nënshtrohen një procesi të ashtuquajtur demobilizim dhe ri-integrim. Kjo i bie që mund të ketë koncesione politike".

"Kjo i bie që disa persona, të cilët kanë qenë në MUP, do të përfshihen në Policinë e Kosovës. Mirëpo, unë uroj që ky proces i përfshirjes së këtyre personave, të bëhet mbi bazën e kritereve profesionale dhe të mos ketë lehtësime për hir të politikës apo siç quhet, stabilitetit të ekzagjeruar, që mbizotëron në atë pjesë të Kosovës”, u shpreh Qehaja.

Qehaja ka shtuar se supozohet që personat që janë të MUP-it serb në veri dhe që eventualisht mund të futen në Policinë e Kosovës, janë të vjetër në moshë.

Një situatë e tillë, sipas tij, mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të freskimit të Policisë së Kosovës me pjesëtarë të moshës së re, duke pasur parasysh se kjo polici është me moshë mesatare ndër më të vjetrat në rajon.

Të dy këta njohës të rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë me shpërbërjen e strukturave të sigurisë të Serbisë në veri të Kosovës, Policia e Kosovës nuk do të mund t’i shmanget infiltrimit të pjesëtarëve këtyre strukturave në radhët e saj, të cilat do të vazhdonin të punonin fshehur për shtetin serb.

Maloku thekson se infiltrimit të elementeve të padëshiruar dhe armiqësor, nuk mund t’i shpëtoj asnjë organizatë e sigurisë në botë.

“Asnjë strukturë e policisë në botë, pra as CIA, nuk është imune nga tentimet e infiltrimit të shërbimeve tjera armiqësore ndaj CIA-s, përmes kandidatëve të konkurrimit dhe pranimit në strukturat e brendshme apo blerjes së individëve".

"Këto gjëra, Kosova duhet t’i ketë parasysh se kanë për të ndodhur dhe do të ndodhin përderisa të ekzistojnë Serbia dhe Kosova. Nuk do të jetë imune Policia e Kosovës nga kjo. Nuk do të jetë imune as AKI-ja (Agjencia Kosovare e Inteligjencës) nga këto tendenca dhe këto duhet t’i kemi parasysh. Por, ne duhet të krijojmë mekanizma mbrojtës dhe mos t’i lejojmë”, theksoi Maloku.

Ndërkaq, Qehaja vlerëson se kjo çështje do të jetë një nga problemet kryesore të procesit.

“Çështja e besueshmërisë në disa qarqe atje (veri) do të jetë gjithmonë me pikëpyetje, duke pasur parasysh që ata tashmë do të fitojnë ingerenca shtesë. Mbi të gjitha, unë, problemin më të madh që e shoh në të ardhmen, do të jetë ajo se deri në ç’masë do ta respektojnë zinxhirin komandues".

"Apo, me fjalë të tjera, deri në ç’masë këto struktura po rajoni i posaçëm i policisë, që po bëhet tashmë, do ta respektoj komandën me seli në Prishtinë. Kjo do të jetë një sfidë e radhës, të cilën unë e pres se do të jetë një prej sfidave më të mëdha në funksionalizimin e Policisë së Kosovës”. tha ai.

Ndryshe, njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, kanë shprehur mendimin se Kosova duhet të krijojë mekanizmat e saj, për zvogëlimin në minimum të mundësisë së infiltrimit të shërbimeve sekrete dashakeqëse ndaj Kosovës brenda mekanizmave të saj të sigurisë.