Me ulëse të rezervuara në Kuvend për inkurajimin e veriut

Veri...

Komunitetet pakicë në Kosovë kërkojnë që t'u vazhdohen ulëset e rezervuara në Kuvend edhe për dy mandate tjera.

Sipas Pakos së Ahtissarit, në bazë të cilës ishte shpallë pavarësia e Kosovës, komunitetet pakicë gëzonin të drejtën e 20 ulëseve të rezervuar për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit, kurse më pas, ato shndërrohen në ulëse të garantuara.

Dallimi qëndron në faktin se përmes ulëseve të rezervuara, komunitetet fitojnë 20 ulëse që në start dhe llogarisin në vende shtesë që sigurojnë përmes votave gjatë zgjedhjeve.

Kurse përmes ulëseve të garantuara ato marrin gjithsej 20 vende në Kuvend. Një praktikë e tillë, në termet politike ishte cilësuar edhe si një diskriminim pozitiv.

Petar Miletiq, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Serbe i ka thënë Radios Evropa e Lirë se komunitetet u kanë kërkuar partive politike të shumicës që 20 ulëset e rezervuara të mbeten në fuqi edhe për dy mandate tjera.

Ai beson se me një veprim të tillë, institucionet e Kosovës do t’i inkurajonin për integrim edhe serbët e komunave veriore.

Ne kemi ofruar që vendet e rezervuara të përfshihen në reformën zgjedhore edhe për dy mandate tjera në mënyrë që të dërgojmë edhe një mesazh bashkëkombësve tanë në veri se në Kosovë të drejtat e bashkësive etnike nuk do të cenohen”, ka thënë Miletiq.

Kërkesa e partive politike serbe edhe atyre të komuniteteve tjera pakicë, deri më tani është kundërshtuar haptas nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çështja e vendeve të rezervuara tashmë është e mbyllur. Ai thotë se LDK nuk do ta mbështesë një kërkesë të tillë nëse ajo vjen për votim në Kuvend.

Ne si LDK nuk e shohim të arsyeshme që të ketë vazhdim të mandateve të rezervuara. Kushtetuta e Kosovës dhe Pakoja e Presidentit Ahtisaari e ka paraparë që ulëset e rezervuara të jenë për dy mandate dhe ato po përmbyllen me këtë legjislaturë dhe ne si LDK nuk jemi në favor të vazhdimit të tyre”, ka thënë Beqiri.

Kthimi i ulëseve të rezervuara vlerësohet se do të përbënte një dispozitë plus në Pakon e Ahtisaarit.

Ish-Kryeshefi Ekzekutiv i KQZ-së, Mazllum Baraliu vlerëson se vazhdimi i mandateve të rezervuara do të përbënte edhe shkelje të Pakos së Ahtisaatrit dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Shtimi i mëtejmë i përfaqësimit të një komuniteti nënkupton favorizimin dhe nëse kjo shkon edhe më larg, atëherë shkelet kushtetuta, pakoja e Ahtisaarit dhe shumica do të rrezikohej, sepse cungohet përfaqësimi i tyre”, ka thënë Baraliu.

Me miratimin e 22 amendamenteve kushtetuese, Kuvendi i Kosovës kishte vendosur që vendet e rezervuara për pakicat t’i shndërroj në vende të garantuara.

Rikthimi i këtyre vendeve, kërkon votat e 80 deputetëve të cilat nuk mund të arrihen nëse LDK dhe Vetëvendosje do të kundërshtonin.

Mirëpo, edhe pakicat i kanë instrumentet e veta ligjore për ta bllokuar reformën për pjesët që kërkojnë amandamentime të Kushtetutës, pasi që për ndryshime kushtetuese, Kuvendi duhet t’i ketë edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga bashkësitë etnike.

Megjithatë, Petar Miletiq ka thënë se për momentin, komunitetet nuk janë duke u kërcënuar me bllokimin apo kushtëzimin e reformave me vazhdimin e ulëseve të rezervuara.

Ai ka shprehur besimin se komunitetet do të gjejnë një gjuhë të përbashkët me partitë e shumicës për vazhdimin e mandateve të rezervuara.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse. Prej tyre, nga mandati i ardhshëm, 20 ulëse do të jenë të garantuara për pakicat, 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera. E nëse vazhdohet mandati i ulëseve të rezervuara, atëherë ku numër do të mund të rritej edhe për të paktën 5 vende në Kuvend.