"Medicus": Hetime zyrtare për tetë persona të tjerë

Ilustrim

Një prokuror special i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar zyrtarisht hetime kundër tetë të dyshuarve.

"Tetë persona janë duke u hetuar për një numër veprash, përfshirë krim të organizuar, trafikimi të personave, dëmtime të rënda trupore, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, mashtrim, si dhe ushtrim të ndikimit", ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.

Ky hetim i ri është i bazuar mbi hetimet e kryera në rastin “Medicus”, si dhe gjetjet mëtejshme gjatë fazës së gjykimit thotë Krasniqi.

"Janë zbuluar dyshime të bazuara se të tetë të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje apo kanë pasur drejtpërdrejtë apo indirekt rol kyç në ndihmë ndaj anëtarëve të grupit të organizuar kriminal në kryerjen e veprave penale të rënda – pra trafikimit të personave me qëllim të heqjes së organeve”, tha Krasniqi.

"Mendohet se pa mbështetjen ose bashkëpunimin e këtyre të dyshuarve, anëtarët e grupit kriminal në 'Medicus' nuk do të kishin qenë në gjendje për të kryer përgatitjet, elemente këto thelbësore në kryerjen e veprave penale, të arrijë rezultate të synuara apo përpjekjeve për të mbuluar veprat e paligjshme", ka shpjeguar Krasniqi.

Petrit Dushi, avokat mbrojtës i Arban Dervishit, i cili u dënua një ditë më parë me 7 vjet burgim, tha se asnjëherë gjatë seancave gjyësore, nuk është përmendur ndonjë emër tjetër i personave të dyshuar për implikim në rastin Medicus, veç atyre që tashmë dihet.

“Ne si mbrojtje e këtyre të akuzuarve që dje janë dënuar e që nuk është dënim përfundimtar e është dënim i kësaj shkalle, ne nuk kemi qenë asnjëherë të njoftuar dhe nuk duhet të jemi të njoftuar. Ajo është çështje e prokurorisë ata e dinë se ndaj kujt mund eventualisht të ngrisin aktakuzë në të ardhmen. Ata që kanë qenë emra të njohur për publikun dhe për ne, dje kanë qenë në bankën e të akuzuarve, disa janë liruar dhe disa janë dënuar”, tha Dushi.

Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka shpallur të hënën fajtor urologun Lutfi Dervishin, me tetë vjet burgim e 10,000 euro, të birin Arban Dervishin, me shtatë vjet e tre muaj burgim e 2,500 euro, kurse Sokol Hajdinin me 3 vjet burgim.

Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla janë dënuar me kusht, me nga një vit burgim.

Kurse, Ilir Rrecaj, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, është liruar nga të gjitha akuzat.

I akuzuari i shtatë, Driton Jilta, ishte raportuar se ka pranuar kohë më parë fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por janë hedhur poshtë akuzat kundër tij, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it.

Që të gjithë ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.