Islamofobi dhe tolerancë

Politikanët, ekspertët, ashtu si edhe amerikanët e zakonshëm, janë duke bërë përpjekje të kuptojnë se çfarë ka çuar dy të rinjtë çeçenë që të kryejnë sulmet në Boston. Disa kanë retorikë slamofobike, ndërsa të tjerët janë përgjigjur ne me tolerancë.

Erik Rush ka qenë në mesin e komentuesve të parë konservatorë, të cilët kanë tërhequr kritika me reagimet e tyre.

Në orët e pas sulmit, disa ditë para se të zbulohej identiteti i të dyshuarve, ai ka lënë të kuptohej në Twitter se sulmuesi ishte nga Arabia Saudite. Një shtetas saudit është shpallur menjëherë person i kërkuar nga autoritetet, por është liruar shpejt.

Kur është pyetur nga një përdorues tjetër i Twitter-it nëse Rush po fajëson automatikisht myslimanët, ai është përgjigjur: “Po, ata janë të këqij. T’i vrasim të gjithë”. Ndërsa, më vonë, ka thënë se ka folur me sarkazëm.

Më 22 prill, një javë pas bombadimeve, ish-kongresisti amerikan, Joe Walsh, ka dhënë këtë deklaratë për kanalin MSNBC:

“Ne jemi në luftë dhe ky vend ka pasur një përkujtues të zymtë javën e kaluar se jemi sërish në luftë. Jo vetëm që duhet të bëjmë një pauzë kur është fjala për imigracionin, por ne duhet të profilizojmë se cili është armiku ynë në këtë luftë: të rinjtë myslimanë”.

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ka vëzhguar lagje të tëra myslimane. FBI ka kryer po ashtu operacione që kishin në shënjestër komunitetet myslimane dhe të tjera.

Kritikët i kanë quajtur këto programe antikushtetuese, ndërsa autoritetet kanë thënë se janë duke vepruar në bazë të dispozitave të sigurisë kombëtare.

Më 23 prill, Bob Beckel, nikoqir në rrjetin Fox News, ka thënë se autoritetet duhet të shqyrtojnë ndalimin e studentëve myslimanë nga shkuarja në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të caktuar dhe të vendosin nëse disa njerëz në SHBA duhet të dërgohen në shtëpi apo në burg.

Më 26 prill, kongresisti republikan, Dana Rohrabacher, ka kryesuar një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, me titull” “Ekstremizmi islamik në Çeçeni: Një kërcënim për SHBA-në?”.

“Shpresoj të punojmë së bashku kundër një feje, e cila do t’i motivojë njerëzit të vrasë fëmijë”, ka thënë ai në deklaratën përmbyllëse.

Disa organizata myslimano-amerikane kanë qortuar ndjenjën islamofobike dhe raportet e ndryshme për frikësimin verbal apo fizik të myslimanëve.

Nasser Weddady është drejtor në Kongresin Amerikano-Islamik në Boston, i cili mbështet mirëkuptimin ndërfetar dhe të drejtat e njeriut. Ai thotë se ashpërsimi i retorikës ndjek një model, me të cilin myslimanët në SHBA kanë jetuar qysh nga sulmet e 11 shtatorit, 2001.

“Kurdo që ndodhin ngjarje, të cilat përfshijnë terrorizmin apo myslimanët, ka një reagim të ashpër dhe një rritje të islamofobisë. Nuk janë spontane, sepse ka disa qarqe që përpiqen t’i përshkruajnë të gjithë myslimanët si terroristë potencialë dhe janë pikërisht këto qarqe që kontribuojnë në rritjen e kësaj ndjenje”, thotë Weddady.

Por, ai pranon se ka marrë edhe mbështetje nga grupe civile, qytetarë të zakonshëm dhe po ashtu zyrtarë qeveritarë.

“Bazuar në reagimet që kam dëgjuar, besoj se shumica e amerikanëve bëjnë dallimin në mes të individëve dhe komuniteteve të tëra. Në fund të fundit, ata e dinë se predhat e bombave nuk diskriminojnë”, thotë Weddady.

Në shërbesën e 18 prillit, presidenti Barack Obama ka dhënë mesazh të ngjashëm.

“Në mesin e mizorisë, ne do të zgjedhim miqësinë, do të zgjedhim dashurinë”, ka thënë ai.

Almut Rochowanski është bashkëthemeluese e Rrjetit për Mbrojtjen e Çeçenisë, me seli në Nju Jork. Ajo thotë se ka pranuar mesazhe mbështetëse pas sulmeve në Boston dhe ka vendosur t’i postojë ato online.

“Ka qenë një artikull në ‘The New York Times’ për atë se si ndjehen çeçenët në SHBA dhe një numër njerëzish ka nisur të na shkruajë mesazhe, duke thënë: ‘Ne jemi amerikanë dhe jemi miqtë tuaj. Mos kini frikë. Ne ju mirëpresim në vendin tonë’”, rrëfen Rochawanski.

Një arabo-amerikan, i cili ka kërkuar anonimitet, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “çdo sulm terrorist, që nga 11 Shtatori, ka qenë sprovë për tolerancën e këtij vendi. Këtë herë, nuk është ndryshe”. (v.tela)