Ndërlidhjet

Tsarnaevët kishin në shënjestër edhe Nju Jorkun


Times Square - Foto nga arkivi
Times Square - Foto nga arkivi
Kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ka thënë se të dyshuarit për sulmet në Maratonën e Bostonit kanë planifikuar që eksplozivët e mbetur t’i hedhin në Times Square.

Bloomberg ka thënë se informacionet i ka siguruar nga Byroja Federale e Inteligjencës (FBI).

“Jemi informuar nga FBI se sulmuesi i mbijetuar ka pasur shënjestër të radhës Nju Jorkun. I ka thënë FBI-së se ai dhe vëllai i tij kanë planifikuar të shpërthejnë eksplozivë shtesë në Times Square. Kanë ndërtuar eksplozivë shtesë dhe kanë pasur kapacitet t’i kryejnë këto sulme”, ka thënë Bloomberg.

Ai i ka bërë këto komente përkrah komisionarit të policisë së Nju Jorkut, Raymond Kelly.

Ky i fundit ka thënë se të dyshuarit kanë poseduar pajisje të mjaftueshme shpërthyese për të shkaktuar dëm të madh.

“Të dy vëllezërit kanë pasur në dispozicion gjashtë pajisje të improvizuara shpërthyese. Njëra ka qenë bombë, në formën e tenxheres me presion, e ngjashme me atë që ka shpërthyer në maratonë”, ka shpjeguar Kelly.

Vëllezërit Tamerlan dhe Dzhokhar Tsarnaev kanë sulmuar Maratonën e Bostonit më 15 prill. Tre persona kanë humbur jetën dhe mbi 260 të tjerë janë plagosur nga shpërthimet.

Tamerlan, 26 vjeç, është vrarë në të shtënat me policinë, ndërsa Dzhokhar, 19 vjeç, është arrestuar pas një kërkimi masiv në Boston dhe është shtruar në spital me plagë në qafë – të shkaktuar po ashtu nga përplasja me policinë.

Sot, Dzhokhar është bartur në objektin spitalor të burgut në Fort Devens të Masaçusetsit.

I pyetur nëse autoritetet për sundimin e ligjit në Nju Jork kanë qenë në gjendje të parandalojnë sulmet, Bloomberg ka thënë se është i lumtur që nuk ka qenë e nevojshme të veprohet.

Nuk e dimë nëse dotë ishim në gjendje të ndalojmë terroristët që të arrijnë këtu nga Bostoni. Jemi mirënjohës që nuk kemi pasur nevojë të veprojmë. Si rezultat i punës së jashtëzakonshme të Departamentit të Policisë në Masaçusets, FBI-së, Departamentit për Siguri Kombëtare dhe agjencive të tjera të sundimit të ligjit, terroristët janë ndaluar para se të kryenin sulme të tjera”, ka thënë Bloomberg.

Sipas hetuesve amerikanë, Dzhokhar Tsarnaev ka udhëtuar së paku një herë në Nju Jork, vitin e kaluar. Dy vëllezërit kanë qenë me prejardhje çeçene.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG