Ndërlidhjet

WP: Mënyrë më e mirë për SHBA-të në integrimin e myslimanëve


Derisa ne mësojmë më tepër për vëllezërit Tsarnaev, ne jemi të pirur të shtrojmë pyetje më të gjëra lidhur me rënien e tyre të qartë në terror, shkruan në fillim të artikullit, autori Fareed Zakaria, në të përditshmen Washington Post.

Në artikull shtrohet çështja se çka tregon kjo për islamin radikal, imigrantët rusë, komunitetet myslimane dhe shkatërrimin e asimilimit, dhe menjëherë jepet përgjigjja: duket se jo shumë.

Duket se këta dy persona janë vetëm dy të rinjë të tjetërsuar, që u zhytën kah urrejtja dhe pastaj, dyshohet edhe në vrasje.

Kjo ishte pika të cilën e shpjegoi xhaxhai i vëllezërve, Ruslan Tsarni, kur tha se nipërit e tij ishin “humbës”.

Ai argumentoi kundër nocionit se të rinjtë e përfaqësonin komunitetin më të gjerë.

Ai dhe familja e tij, në fund të fundit, ishin pjesë e migrantëve çeçenë në Shtetet e Bashkuara dhe janë mirë të përshtatur, i nënshtrohen ligjit dhe janë plotësisht amerikanë, shkruan Washington Post.

Prej 11 Shtatorit 2001, terrorizmi i inspiruar nga jashtë ka marrë afro një duzinë jetësh në Shtetet e Bashkuara. (Njëherësh, më se 100 mijë vetë janë vrarë nga armët dhe më tepër se 400 mijë vetë në incidentet me makina motorike).

Një arsye madhore, që numri i vrasjeve nga terrorizmi është aq i vogël, është se Amerikan nuk ka shumë imigrantë të tjetërsuar. Hulumtimet e opinionit disa herë kanë treguar se imigrantët myslimanë në Shtetet e Bashkuara, e kanë përqafuar thelbin e vlerave amerikane. Makina amerikane e asimilimit vazhdon të funksionoj mirë, shkruan Washinton Post.

Ajo që është befasuese është se gjërat janë përmirësuar në Evropë, ku imigrantët myslimanë, shpeshherë, kanë pasur më tepër probleme me asimilim.

Jonathan Laurence, nga Boston College, që ka bërë kërkime të gjëra për komunitetet myslimane në Evropë, ka gjetur se para vitit 1990, vendet evropiane, në masë të madhe, e kanë injoruar popullatën e tyre myslimane dhe kanë lejuar që Ambasadat e vendeve, siç janë Maroku, Algjeria dhe Arabia Saudite, të kujdesen për nevojat e tyre duke ndërtuar xhami dhe duke i stërvitur imamët.

“Ky nuk ishte multikulturalizëm aq shumë sa ishte indiferencë”, ka shkruan Laurence aktualisht. Këto vende kanë pasur pak interes për të ndihmuar në asimilimin e migrantëve; në fakt, përpjekjet e tyre ishin që ta bëjnë të kundërtën: t’i mbajnë lidhjet me vendet e vjetra dhe me mënyrat e vjetra, shkruan Washington Post.

Gjatë dy dekadave të kaluara, sipas autorit Laurence, vendet evropiane e kanë njohur rrezikun e krijuar nga indiferenca e tyre dhe kanë synuar t’i integrojnë imigrantët myslimanë. Qeveritë në të gjitha nivelet janë angazhuar me komunitetet islamike, duke ndërmarrë hapa për përfshirjen e myslimanëve në rrjedhën kryesore të përgjithshme të shoqërisë, por po ashtu, për ta ushqyer një version më modern, një version evropian të islamit.

Si rezultat, shumë qeveri tash po merren me islamin ashtu siç janë marrë me religjionet e tjera, duke krijuar këshilla islamike, duke dhënë fonde për aktivitete kulturore, me përfaqësime në forumet publike dhe duke i pasur parasysh praktikat fetare dhe festat, shkruan Washinton Post.

Në shumë vende, e më së shumti në Gjermani, imigrantët myslimanë, përjetshëm konsideroheshin të jashtëm, duke mos pasur rast që të jenë pjesë e shoqërisë, në të cilën kanë punuar. Kjo po ndryshon. Më tepër myslimanëve po u jepet shtetësia dhe po bëhen më tepër pjesë e shoqërisë. Në mënyrë të shtuar aktiviteti i tyre bëhet brenda sistemit. Autori Laurence, shkruan se liderët e tyre “janë bërë aktorë përgjegjës në ndërtimin institucional dhe ata tash mund të humbin diçka”.

Megjithëqë është e parakohshme që të shpallet ndonjë sukses i madh, ia vlen të theksohet se sulmet që i janë referuar islamit radikal, gjatë viteve të fundit, duket se janë ndalur ose kanë rënë.

Shtetet e Bashkuara mund të mësojnë nga përpjekjet evropiane për integrimin e myslimanëve. Historikisht, asimilimi ka funksionuar më mirë në Shtetet e Bashkuara, por vendet evropiane po merren me problem më kompleks, më të gjerë.

Popullata e tyre myslimane është më e madhe - 5% e popullatës në Gjermani dhe 7.5% në Francë, krahasuar me 0.8% në Shtetet e Bashkuara, sipas llogarive të agjencisë Pew – dhe imigrantët shpeshherë vijnë nga vendet e afërta dhe lehtë mund t’i mbajnë lidhjet me shtetet ku kanë lindur, shkruan Washington Post.

Mësimi nga Evropa duket se është ky: përqafojini komunitetet myslimane. Ky është një konkluzion që agjencitë e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara do ta konfirmonin. Sa më të mira marrëdhëniet me grupet lokale myslimane, aq janë më të mëdha gjasat, që ata do të japin informacione të dobishme për xhihadistët potencialë.

Një sulm, qartazi i inspiruar, por po ashtu i drejtuar nga al-Kaida, është zbuluar aktualisht në Kanada, pikërisht për këtë arsye.

Një imam në Toronto ka njoftuar se njëri nga mbështetësit e tij po sillej në mënyrë të çuditshme dhe këtë rast e paraqiti në polici, e cila e përcolli dhe e arrestoi personin, para se ai do të mund e ekzekutonte planin e tij.

Para se të izolohen ose përqafohen myslimanët, pas rastin në Boston, lëvizje më e mençur do të ishte afrimi edhe më i madh, në mënyrë që herën e ardhshme kur dikush fillon të veprojë në mënyrë të çuditshme, liderët e komunitetit do ta marrin telefonin dhe do t’i thërrasin miqtë e tyre në polici, shkruan në fund të artikullit në Washington Post, autori Fareed Zakaria.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG