Turizmi i të rinjve në Kosovë

Pamje nga Prizreni

Kosova edhe pse nuk ka det, ka shumë resurse turistike që krijojnë mundësinë për zhvillimin e turizmit në forma të ndryshme.

Në Kosovë, si zona turistike njihen: Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimës, Ujvara e Mirushes, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla, Batllava e të tjera.

Pavarësisht, mungesës së infrastrukturës rrugore në shumë nga vendet turistike që ka Kosova, të rinjtë pëlqejnë t’i vizitojnë ato.



Sinaq Berxha, nga Prizreni, i cili studion në Universitetin e Prishtinës, thotë se në vendin ku ai ka lindur ka shumë vende për t'u vizituar.

Në Prizren ka shumë vende për t'u vizituar. Unë dal për shembull në Reqan, Prevallë, Brezovicë, në male, kurse këtu në Prishtinë nuk dal shumë. Zakonisht këto vende që i përmenda i vizitoj për relaksim. Një herë në dy javë bëj një shëtitje, pasi që mendoj se në atë mënyrë mund ta largosh stresin”, thotë Berxha.

Kurse, Zymer Qarri, thotë se për të pasur vizita turistike më shumë në Kosovës, autoritetet lokale duhet të bëjnë organizime të ndryshme, e kjo u mungon komunave ku ka vende për turizëm.

Organizimet janë zero, sepse aktivitetet turistike këtu organizohen vetëm nga shoqëria. Mendoj se do të ishte shumë më mirë që të bëhen organizime, pasi që nëse e ke një transport të duhur për në destinacionin e duhur edhe interesim nga qytetarët do të kishte me shumë. Unë zakonisht e vizitoj Batllavën, Radoniqin, Brezovicën, etj., por investimet infrastrukturoreje nuk janë në nivelin e duhur, dhe aty mendoj se është edhe një problem”, shprehet Qarri.

Shega Bahtiri thotë se varësisht nga sezoni, viziton edhe vendet turistike që ka Kosova.

“Për shembull unë e vizitoj Brezovicën dimrit, Prevallën verës. Ndryshimet nuk janë shumë të mëdha në këto vende. Ato ndryshime që janë i takojnë infrastrukturës, po janë të vogla”, thotë ajo.

Dafina Ajvazi, nga Prishtina, konsideron se vendet turistike që ka Kosova, nuk janë shumë atraktive dhe nuk i viziton.

“Në të shumtën e rasteve vendet turistike në Kosovë nuk preferoj shumë që t'i vizitoj, ndoshta ndonjëherë po, por jo shumë shpesh. Nuk me duket diçka atraktive, nuk diçka interesant, përveç Brezovicës. Rrugët janë shumë të këqija dhe kjo paraqet një pengesë të madhe, sidomos të ne që jemi shumë më të rinj”, tregon Dafina për Radion Evropa e Lirë.

Nderkaq Leutrim Abazi thotë se Kosova ka shumë vende të bukura që duhet të vizitohen.

“Po, bëjmë vizita të ndryshme kohë pas kohe edhe me familje, edhe me shoqëri. Vizitojmë Bogën, Prevallën etj.”, bën të ditur Abazi.

Ndryshe, Rilind Gjata, thotë se të rinjtë nuk vizitojnë shumë vendet turistike që ka Kosova.

“Kosova ka vende turistike, po nuk jemi të atillë që i vizitojmë shumë. Për shembull të rinjtë që janë nga Prishtina nuk dalin shumë nga kryeqyteti, rrinë më shumë në qytet, nëpër kafene”, thotë ai.

Erviz Hana, mendon që të rinjtë në Kosovë duhet t'i vizitojnë më shumë vendet turistike që ka Kosova.

Unë i vizitoj vendet turistike. Javën e kaluar kam qenë në Rugovë. Por me vjen keq që rinia e sotme më shumë po fiksohet në gjëra që nuk janë shumë atraktive, si për shembull kafet...Unë veç që i vizitoj me familje vendet turistike, shpesh shkoj edhe me organizimet që i bën shkolla”, tregon Ervizi.

Diaspora shqiptare bën një nga flukset më të mëdha të turizmit në Kosovë, duke ardhur që t'i kalojnë pushimet e tyre në atdhe, dhe në këtë mënyrë sezoni veror ka një qarkullim të madh në të gjitha aspektet.

Pavarësisht resurseve të mjaftueshme turistike, sipas njohësve të fushës së turizmit në Kosovë, ky potencial nuk ka arritur të promovohet për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë treguar të organizuara karshi këtij sektori.