Kryeqyteti me mungesë të madhe uji

Ilustrim

Kosova edhe 13 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë.

Shumë lagje në kryeqytet kanë furnizim me ujë për vetëm tri orë në ditë. Besa Gashi, e cila jeton në lagjen Bregu i Diellit, ankohet se me gjithë furnizimin me ujë për tri orë në ditë, shtypja e ujit është aq e ultë sa që është jo funksionale.

"Uji konsiderohet një prej elementeve bazë për një jetë normale. Unë jetoj në lagjen Bregu i Diellit dhe ka një javë ditë rresht që uji vjen vetëm nga 3 orë në ditë, derisa edhe ato tri orë, është jo funksional, meqë nuk ka shtypje. Kur i kemi thirrur nga ujësjellësi, kanë thënë se niveli i Liqenit të Badovcit ka rënë, dhe se kryeqyteti është mbipopulluar dhe nuk mund t'i mbulojnë nevojat që kanë qytetarët për ujë", tregon Besa.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arbërije Zogiani - Hiseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë uji, për shkak të rënies së kapaciteteve të ujit në liqene, dhe gjithashtu edhe keqpërdorimi i ujit nga ana e qytetarëve, ndikon në mungesën e furnizimit të bollshëm të qytetarëve me ujë.

"Pjesët që furnizohen nga Liqeni i Badovcit, kanë probleme me furnizim me ngritjen e temperaturave, meqë kanë filluar keqpërdorimet. Kanë bërë qytetarët sera, pastaj i ujisin kopshtet dhe kjo na krijon probleme në disa lagje edhe në shtypje, edhe në furnizim. Me orarin e ri të reduktimeve, do të ketë stabilizim të situatës", thekson Zogiani.

Por, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina, thotë se mungesa e ujit vjen si pasojë e keqmenaxhimit të ujit nga vetë zyrtarë institucionesh. Ai thotë se Kosova ka resurse ujore të mjaftueshme, por problemi mbetet te menaxhmenti.

"Drejtoratet e komunave nëse i rendisin më mirë planet e veprimit lokal, do të mund të furnizonin 24 orë me ujë pa ndërprerë pa pikë problemi, sepse ekziston mundësia, por me kusht që teknikisht të investohet më drejtpërdrejt apo të jenë më të qarta investimet", deklaron Morina.

Sidoqoftë, zyrtarët nga drejtoria e Shërbimeve Publike në Kuvendin Komunal të Prishtinës thonë se kryeqyteti lëngon nga mungesa e ujit, si pasojë e mbipopullimit të saj. Andaj, sipas tyre, kryeqyteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e fabrikës së ujit, e për ç'gjë duhet të mbajë përgjegjësi edhe Qeveria e Kosovës.