Kuvendi miraton nën tensione rezolutën për marrëveshjen me Serbinë

Kuvendi i Kosovës 21-22 prill 2013

Me 89 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën me të cilën mbështet marrëveshjen e arritur në dialogun me Serbinë.

Vendimi është marrë gjatë një seance të jashtëzakonshme dhe nën tensione, pasi që deputetët e Vetëvendosjes janë munduar të pengojnë votimin, duke e cilësuar këtë rezolutë si shumë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës.

Seanca i ka filluar punimet të dielën mbrëma pas orës 20:00, kurse ka përfunduar pas orës 01:00 të mëngjesit të hënës.

Pas dy pauzave të shpallura, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi vendosi që të hedh në votim rezolutën, të cilën e kishte kërkuar kryeministri Thaçi dhe partia e tij.

Në atë moment, para kryetarit ndodhej deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu i cili kërkonte të mos votohej, kurse deputetë të tjerë të këtij subjekti politik mbanin pankarta e lëshonin audio incizime të bisedave telefonike të kryeministrit me zyrtarët e PDK-së.

Njëherësh deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi kërkonte që votimi të mos mbahej.

Zoti kryetar, Jakup Krasniqi, mos lejo, mos lejo, mos lejo, sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për ata që kanë luftuar e punuar, qytetarët e këtij vendi, është nyja, është udhëkryqi, është o me Kosovën jashtë Serbisë, o me Serbinë brenda Kosovës”, ka thënë Selimi.

Ndërsa Kuvendi po miratonte këtë marrëveshje, edhe para ndërtesës së Kuvendit, një grup i aktivistëve të Vetëvendosjes po protestonte dhe kërkonte nga Kuvendi të mos miratonte marrëveshjen.

Sidoqoftë, votimi solli si rezultat mbi dy të tretat e votave të deputetëve që mbështetën rezolutën, përfshi edhe partitë opozitare LDK e AAK.

Në raportimin e tij, kryeministri Hashim Thaçi tha se marrëveshje nuk ishte perfekte, por ajo siguronte fillimin e vendosjes së normalitetit në marrëdhëniet me Serbinë.

“Kjo marrëveshje konsolidon edhe më shumë tërësinë territoriale të shtetit tonë. Konsolidon institucionet tona të rendit dhe ligjit dhe na mundëson që ta avancojmë subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, kjo marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë e forcon paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe i hap Kosovës një perspektivë të qartë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka thënë Thaçi.

Hapi i ardhëm, ka nënvizuar Thaçi, është që Serbia dhe Kosova të merren vesh në Bruksel në lidhje me fazat e zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Në lidhje me marrëveshjen, janë deklaruar edhe grupet parlamentare. Përveç partive të koalicionit qeveritar, marrëveshjen e kanë përkrahur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga tabori opozitar, përderisa ajo është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në emër të LDK-së, deputeti Ismet Beqiri ka thënë se kjo parti politike e mbështet marrëveshjen duke e ditur se ndërmjetësues ishte BE-ja me asistimin e SHBA-së.

Ndërkohë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kritikuar në tërësi marrëveshjen duke e cilësuar atë si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe shtet-ndërtimin e saj.

Me këto 15 pika, bosnizohet Kosova duke u shndërruar në shtet jo funksional drejt dështimit të sigurt. Për hir të pushtetit të tij, Thaçi, i zhytur në korrupsion e krim të organizuar, i sakrifikoi e braktisi, si shqiptarët në veri të Kosovës, ashtu edhe ata në Kosovën lindore”, është shprehur Kurti.

Mjaft kritik ndaj marrëveshjes ishte edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se Kosova është dashur të insistonte në masa reciprociteti dhe të mos lejonte që vetëm Prishtina të bënte koncesione.

Ashtu si është, kjo marrëveshje, sipas Krasniqit nuk do të duhej të miratohej fare, pasi që ajo, nënvizoi zi, paraqet autonominë e fshehtë për veriun e Kosovës.

“Vet fjala se po flitet për kompromis, do të thotë se është shkuar përtej dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, përtej kushtetutës dhe ligjeve që i kemi miratuar. Ajo që po mungon këtu është emri i vërtetë i kësaj autonomie”, ka thënë Krasniqi.

Marrëveshjen nuk e ka përkrahur as deputeti tjetër i PDK-së, Hydajet Hyseni, i cili ka thënë se dialogu nuk i ka marrë parasysh kërkesat e Kuvendit të Kosovës në fillim të këtij procesi.

Veç tjerash, deputetët në disa raste kritikuan delegacionin e Kosovës që nuk ka vendosur masa reciprociteti dhe të kërkonte të drejta të barabarta, si për serbët e veriut, edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Ndonëse seanca u zhvillua nën tensione dhe rrethana jo të zakonshme të punës, ajo vlerësohet se i ka përmbushur anët procedurale.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, tha për Radion Evropa e Lirë se rezoluta e aprovuar është në përputhje me procedurat dhe normal ligjore.

Ai vlerësoi se gjatë seancës, Vetëvendosje kishte tendenca që të bllokonte punën e Kuvendit, përderisa kryetari Krasniqi ishte treguar gjakftohtë dhe nuk kishte shfrytëzuar kompetencat e tij.

“Ajo që u vërejt dje ishte më tepër një tendencë nga Lëvizja Vetëvendosje për ta bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës dhe në anën tjetër qasjen e zotit Jakup Krasniqi i cili përpiqej të mos i shfrytëzonte autoritetin e tij në përputhje me kompetencat që ai i ka. Kryetari i Kuvendit ka mandatin që në rast se vlerëson se dikush po pengon seriozisht punën e Kuvendit të konsultohet me Kryesinë dhe të kërkojë nga sigurimi apo edhe nga policia që të hyjë dhe ta largojë atë nga salla e Kuvendit. Ai këtë nuk e bëri dhe mirë që nuk e bëri sepse ndjeshmëria e çështjes ishte shumë më e rëndësishme sesa çdo veprim tjetër”, ka thënë Selmanaj.

Pas aprovimit nga Kuvendi, sot, marrëveshja është miratuar edhe nga qeveria e Kosovës.

Me pëlqimin e kësaj marrëveshje, institucionet e Kosovës i dërguan aprovimin edhe shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashtone, e cila paraqiti më pas para këshillit të Ministrave të BE-së vendimin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq.