Sot raundi i dhjetë i bisedimeve

Sot në Bruksel zhvillohet raundi i dhjetë i bisedimeve Prishtinë - Beograd, në nivel kryeministrash. Bisedimet, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, mbahen me ndërmjetësimin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Në Bruksel rreth orës 12:00, pritet të fillojë raundi i dhjetë i bisedimeve Prishtinë – Beograd, në nivel kryeministrash.

Këshilltari i lartë i kryeministri të Kosovës, Bekim Çollaku, i cili është pjesë e delegacionit tha për Radion Evropa e Lirë, se epilogu i takimit ende nuk është përcaktuar nga baronesha Ashton, dhe se sipas tij nuk dihet ende se si do të mbahen takimet.

“Ky është një raund i ri i bisedimeve dhe nuk mund të thuhet asgjë për epilogun e këtij raundi”, tha Çollaku.


Beogradi do “diçka që do të quhej marrëveshje”

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiq, tha sot se Beogradi ka dëshirë që të arrijë një lloj marrëveshjeje me Prishtinë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Beogradi “me shumë sinqeritet” po dëshiron të arrijë “diçka që do të quhej marrëveshje” me Prishtinën, e që do të ishte në interes të Serbisë, dhe nuk do t’i dëmtonte interesat e palës tjetër.

Duke folur për Radio-Beogradin, Mrkiq shfaqi shpresën se bashkësia ndërkombëtare nuk do të fajësojë askënd për mossuksesin në Bruksel.

“Këtë herë mund të ndodhë që askush nuk ka faj. Kjo, në fakt, është edhe tendencë, që askush të mos jetë përgjegjës për mossuksesin, por që të gjithë, disi, të festojmë një lloj suksesi”, tha ai.

Sipas tij, është më e rëndësishme që të arrihet një lloj marrëveshjeje e tillë, e cila do të mundësonte jetën normale dhe që, siç tha ai, “do t’u garantojë siguri tanëve poshtë në Kosovë, e që do t’i lejojë serbët të përqendrohen në çështje zhvillimore dhe në çështje të jetës normale”.

Vulin: Nuk shkojmë përtej Kushtetutës

Ndërkohë, pak para mbrëmjes, në veri të Kosovë, ishte drejtori i zyrës së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Ai mblodhi kryetarët e komunave në pjesën veriore, për t’i njoftuar me zhvillimet e fundit në dialogun politik Prishtinë-Beograd.

Pas takimit ai u tha mediave serbe matanë Ibrit, se ka “përcjellë garanci” nga ekipi negociator serb se “askush nuk do të bëjë gjë, që nuk është në përputhje me Kushtetutën, Rezolutën dhe interesin e kombit tonë”.

Serbët e veriut, ndërkaq, kanë vendosur që të premten paradite të mbajnë një kuvend të përbashkët në Zveçan, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë asambleistët e komunave veriore Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tema e vetme, siç kanë paralajmëruar, do të jetë raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd. (f.aliu)